OPINION

Të mos përdoren celularët e (pa) mundur

16:08 - 20.08.18 Besnik Rama
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Urdhri i znj. Lindita Nikolla, ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë për mospërdorimin e celularëve nga mësuesit dhe nxënësit gjatë procesit mësimor, i nxjerrë kohët e fundit, edhe pse në ditët e pushimeve të verës, ka ndezur diskutime në mjediset shkollore, por, më së shumti e më gjerësisht, në rrjetet sociale. Prirja e parë që vërehet, është vlerësimi i urdhrit si një hap shumë i dobishëm për shkollën. Por, siç ndodh zakonisht, mendimet, gjykimet e opinionet janë nga më të ndryshmet, ato janë sa optimiste e mbështetëse, aq dhe pesimiste, mosbesuese dhe paragjykuese. Gjithë këto vijnë nga fakti se celulari sot ka marrë një shtrirje e përdorim aq të madh, sa është vështirë të shohësh dikë, të çfarëdo moshe, pa celular(ë). Dhe njerëzit e mbajnë, të shumtën e kohës, në dorë, në gatishmëri për ta përdorur, në çdo kohë, kudo qoftë. Celulari, tashmë, na ka “infektuar” të gjithëve.




Gjithkujt prej nesh na është bërë ves që, edhe po nuk e dëgjuam zhurmën e tij (muzikën, dridhjet), apo edhe po nuk e pamë të ndizet ekrani  i tij, “ta kontrollojmë” se mos na ka shpëtuar një telefonatë, një mesazh, një postim në rrjetet sociale. Kaq shumë na ka robëruar celulari, saqë edhe ne, të rriturit, edhe zyrtarët, shkelim protokollet duke u marrë me celularin. A nuk jemi ne që shohim deputetët “të punojnë”, në çdo seancë, më shumë me celularin dhe në celular sesa të ndjekin agjendën e ditës? A nuk jemi ne që, në rrugë, në urban, në qendra tregtare, në dreka e darka rrimë në shoqërinë e celularit dhe merremi me të, në vend që të bëjmë atë që duhet të bëjmë? A nuk jemi ne që, edhe kur drejtojmë makinën, pavarësisht Kodit Rrugor, u përgjigjemi telefonatave ose bëjmë telefonata, shkruajmë mesazhe, hapim e lexojmë mesazhe, ndjekim postime në rrjetet sociale, pa e vrarë mendjen se sa rrezikojmë veten dhe të tjerët? A nuk jemi ne që, edhe kur na del gjumi natën, duart e sytë i çojmë te celulari “për t’u informuar”? Shkurt, a nuk jemi të sëmurë pas celularit? Këtë sëmundje tonën ne ua kemi futur në gjak fëmijëve dhe të rinjve, i kemi infektuar ata, ndaj mikun më të madh kanë celularin. Edhe kur ulen për kafe me shokët e shoqet, fizikisht janë bashkë, mendërisht jo, sepse secili prej tyre “noton” e “lundron” në atë rrjet social a faqe interneti që e tërheq më shumë (në atë moment).

Ka kohë që celulari është bërë shkak për shqetësime dhe probleme në shkollë. Thuajse të gjithë në shkollë kanë celular(ë), madje të fjalës së fundit të teknologjisë. Me këtë nuk po themi pse mësuesit dhe nxënësit kanë celular(ë). Por ky aparat çudibërës ka rritur adrenalinën e moshës adoleshente për të “mbushur” kohën me “shejtanllëqe” nga më të paimagjinuarat, duke e kthyer nga një mjet për komunikim në rast nevoje në një gjenerues të thyerjes së rregullit dhe të disiplinës, pa të cilat procesi mësimor nuk ka asnjë kuptim. Vëmendja e nxënësve rri më shumë te celulari, sesa tek ajo çfarë bëhet në mësim. Mësuesit vuajnë minuta pa fund me nxënësit duke debatuar e duke ngritur zërin: “Hiqe celularin ti!”, “Mos e nxirr celularin!”, “Jepi celularit të paktën komandën e heshtjes!”, “I kujt është ky celular që po na shurdhon veshët?!”, “Mos fol në celular se të nxora jashtë!”, “Pse po filmon me celular?”, “Çfarë ka ndodhur që po regjistron me celular?”; “Më mori babi (nëna, motra)”, “Nuk e heq celularin, se pres të më telefonojë x-i”, “Po x-it pse nuk i bërtet, o zyshe, edhe ai në dorë e ka celularin?”, “Po ti, mësuese, pse fole në celular pak më parë?” etj., etj. Të kesh celular(ë), nuk do të thotë të abuzosh me të deri duke e përdorur kur e ku nuk duhet dhe duke regjistruar situata të ndryshme në klasë a kudo qoftë. Celulari nuk mund të vlerësohet as si mjet mësimi. Për fat të keq, telefoni e ka lënë mënjanë mësimin, kurse librin e ka anashkaluar në shkollë e në shtëpi.

Tani që doli urdhri, njësitë arsimore vendore dhe institucionet arsimore parauniversitare janë ngarkuar të marrin masa për ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor nga mësuesit dhe nga nxënësit. Në biseda e diskutime me kolegë, drejtues shkollash e mësues, po shfaqen problematika e alternativa të ndryshme. Një prej tyre është dëshira e stafeve të shkollave që atyre t’u shkojë ndonjë shtojcë për urdhrin, ku të cilësohen masat përkatëse, si, bie fjala, te rregullorja e brendshme e shkollës të sanksionohet: – për nxënësit, konfiskim i celularit deri në mbarim të vitit shkollor (herën e parë), në rast përsëritjeje, të mblidhet komisioni i etikes…; – për mësuesit, vendim drejtorie në zbatim të urdhrit të MASR-së, ku të cilësohen masat: këshillim (herën e parë), vërejtje (herën e dytë), largim nga puna për atë vit shkollor (herën e tretë). Të kërkosh shtojcë urdhri, do të thotë të presësh receta të gatshme, ndërkohë që çdo institucion arsimor ka kushtet dhe specifikat e veta.

Një ide tjetër është që, kur të fillojë regjistrimi i nxënësve në shtator, drejtoria e shkollës të informojë prindërit për urdhrin e MASR-së (ndërkohë që ata dhe gjithë opinioni janë njohur me urdhrin që në fund të korrikut) dhe të përgatisë një deklaratë që do ta nënshkruajnë të gjithë prindërit për rëndësinë e urdhrit dhe pasojat që do kenë, në rast të mossbatimit të tij (Urdhri nuk ngarkon me përgjegjësi prindërit e nxënësve). Drejtori i një shkolle po planifikon që, në plotësim të dëshirës së të gjithë atyre prindërve që duan që fëmijët ta kenë telefonin me vete, për arsye të largësisë nga shkolla, sidomos fëmijët e fshatit, mësuesi kujdestar të mbledhë celularët çdo mëngjes, sigurisht duke shënuar sipër emrin, për të mos u ngatërruar, dhe do t’ia kthejë pas mësimit. Sa për mësuesit, sipas një drejtuesi shkolle, është e thjeshtë për t’u zbatuar urdhri (por nuk shpjegon pse është e thjeshtë). Një drejtor mendon që të nxjerrë një urdhër të brendshëm dhe atë ta nënshkruajnë të gjithë mësuesit (A nuk mjafton urdhri i MASR-së?). Një drejtor tjetër shprehet se e ka provuar vjet, pa dalë urdhri, por nuk ka arritur asnjë rezultat, sepse prindërit duan që fëmijët t’i kenë celularët me vete, sidomos ata që kanë vajza.

Pra, të gjithë janë vënë/do të vihen në lëvizje për të parashikuar e për të vendosur rregulla se si të bëjnë të mundur që celularët të mos përdoren gjatë procesit mësimor. Mendimi i përgjithshëm është për nevojën e një fushate sensibilizuese. Shumë drejtues shkollash po mendojnë që të mbështeten në organizmat që funksionojnë në shkollë. Kjo do të thotë të kërkosh konsensus, ndërkohë që urdhri duhet zbatuar nga të gjithë. Në këtë kuptim, nëse nuk arrihet konsensusi, si do të veprohet? Me imponim? Drejtues të tjerë e shohin suksesin te bashkëpunimi me prindërit e nxënësve, por nuk janë shumë optimistë. Dhe kanë të drejtë, sepse janë prindërit/kujdestarët e nxënësve që u kanë mbushur xhepat e çantat fëmijëve të tyre me celular(ë), ipad, tableta, orë elektronike (telefon, radio etj.) e aparate të ndryshme që mundësojnë komunikimin në çast. Përmenda dhe aparate të tjera komunikimi, se diku njëri shtronte pyetjen: Mirë për celularët, po me tabletat etj. si do veprohet?

Mendoj që duhet gjetur një gjuhë e përbashkët me të gjitha palët. Stafet e shkollave janë të ndërgjegjshme që nuk do ta kenë të lehtë. Prej vitesh, në rregulloret e brendshme të shkollave është futur një nen a pikë neni për ndalimin e celularëve në orën e mësimit. Por çështja nuk është zgjidhur. Shkaku kryesor e i vetëm ka qenë mungesa e vullnetit për të zbatuar rreptësisht rregulloren, pa asnjë lëshim apo shmangie. Tani duhen marrë masa. P.sh., nëse një nga masat do të ishte grumbullimi i celularëve në mëngjes dhe shpërndarja e tyre në fund të ditës së mësimit, sa i mundshëm është realizimi i saj? A ka kushte shkolla për ta bërë këtë gjë? Duhen, bie fjala, rafte, por, edhe po t’i ketë shkolla, ato do të “gumëzhijnë” gjithë ditën nga meloditë e ritmet pa fund të telefonatave e mesazheve (se do të ketë nxënës që do ta lënë ndezur celularin (me apo pa qëllim). Mendoni 200, 400, 700, 1200, madje mbi 1500 nxënës që do të dorëzojnë/marrin celularët çdo ditë. Sa kohë do gjithë kjo procedurë e përditshme? Kush do të merret me këtë? Kjo do të thotë të marrësh masa për të zgjidhur një problem duke hapur probleme të reja, si: kontroll xhepash e skutash, identifikim të “pronarit” të çdo celulari, mosbesim mësues-nxënës, shtrëngo e lësho, tërhiq e mos e këput etj.

Një rrugë e zgjidhjes është vënia e bllokuesve të valëve telefonike, edhe pse blerja e tyre koston, sigurisht. Por këto aparatura, nga përdorimi i gjatë, nuk funksionojnë gjithë kohën. Gjithashtu, sado të fuqishme të jenë aparaturat e bllokimit të valëve, ne “ua gjejmë anën” duke ulur automatin e energjisë elektrike.

Një rrugëzgjidhje do të ishte që çdokush, sapo hyn në shkollë, të fikë celularët. Por a do ta bëjnë të gjithë një veprim të tillë? Pa paragjykuar, trembemi se shkelësit e parë të këtij rregulli janë/do të jenë drejtuesit e mësuesit e shkollës.

Qarkullon një ide për të vendosur një telefon fiks në shkollë që t’u përgjigjet prindërve. Ky telefon e do një person në çdo çast. Pra, na duhen mbi 2000 “roje operative”. Edhe nëse do t’i kemi kaq burime njerëzore, a do të jenë në gjendje këta “korrierë” ta përballojnë fluksin e madh të telefonatave dhe lëvizjen nëpër korridore e klasa duke prishur procesin mësimor, njësoj apo më keq sikur në klasë të tingëllonte zilja e telefonit?!

Urdhri duhet zbatuar. Po kur ai shkelet? Natyrisht, merren masa. Për këtë mendojnë dhe stafet drejtuese: në rast të shkeljes së urdhrit, institucioni arsimor të zbatojë aktet normative. Por sa kapacitete njerëzore dhe sa kohë fizike ka drejtoria e shkollës që të mblidhet për të marrë masa thuajse përditë? Çfarë efekti do të kenë masat shtrënguese, kur thuajse çdo mësuesi e nxënësi do t’i bjerë ta marrë “kartonin e kuq”?

Mendoj se zgjidhja e problemit dhe zbatimi i urdhrit duhen kërkuar, së pari, te drejtuesit dhe mësuesit e shkollës. Në ç’mënyrë? Drejtuesit e shkollës nuk duhet të përdorin celularët, përveçse në zyrë (as në korridor, as në oborr). Asnjë mësues të mos marrë celular(ët) me vete në orën e mësimit.

Së dyti, prindërit duhet t’u ndalojnë fëmijëve të tyre marrjen e celularëve me vete në shkollë. E dimë që mijëra prindër nuk janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë. Pse? Se kanë një interesim dhe kujdes të tepruar për fëmijët e tyre. Interesimi i tepruar i prindërve për kohën që fëmijët janë në shkollë është, në një farë kuptimi, mungesë besimi te siguria në shkollë. Ndërkohë që institucionet tona arsimore kanë rritur ndjeshëm sigurinë dhe asnjë nxënësi nuk i mungon kujdesi për t’u ndjerë i qetë e i vlerësuar si individ që po arsimohet dhe edukohet. Tradita disavjeçare ka bërë që komunikimi i shkollës me familjen e çdo fëmije të jetë i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm, falë adresave dhe numrave të kontaktit. Ky është një argument që duhet të qetësojë çdo prind për kohën kur fëmijën e ka në shkollë. Këtu po japim një fakt më shumë: jo pak nxënës, sidomos në shkollat e mesme, shkojnë e kthehen nga shkolla me makinë personale apo me biçikletë/motoçikletë. Prindi duhet të ketë siklet rrugëtimin e fëmijës me mjet transporti më shumë sesa kohën e qëndrimit të tij në shkollë.

Tani dhe në javët që vijojnë, do të kemi dy kahe mendimesh e veprimesh: nga njëra anë si të zbatojmë urdhrin dhe të ndalojmë përdorimin e celularëve dhe, nga ana tjetër, si ta shkelim urdhrin, se nuk mund të rrimë pa celular(ë). Në gjykimin tonë, procesi mësimor duhet të zhvillohet pa celular(ë) me vete. Ndoshta nuk do të pranohet si analogji, por celulari me vete, aty ku është e ndaluar, është njësoj si arma me vete që, në rast konflikti, qoftë të rastësishëm e banal, të trimëron e të shpie në krim, se nuk rri pa e nxjerrë e pa e përdorur. Një paralelizëm tjetër: Kur e di që ke fara në xhep, nuk rri dot pa e futur dorën, derisa t’i mbarosh – kështu e lidh një ish-kolegu im vesin me celularin.

Urdhri, që të zbatohet, nuk ka nevojë për shumë masa, por për një masë të vetme: Që të mos përdorim celularët, nuk duhet t’i marrim ata me vete. Ne kemi përvoja të përvitshme të problemeve që gjenerojnë celularët në provimet e maturës shtetërore. Një urdhër si ky për vitin shkollor 2018-2019, do të kishte dhënë efekte pozitive edhe gjatë provimeve ndër vite. Ja pa qëllim, maturantët këmbëngulin të mbajnë celular(ë) me vete në sallën e provimit. Celulari atyre u ka ardhur në ndihmë gjithë kohën gjatë shkollimit, sidomos në testimet e zakonshme në klasë, pasi nxënësit, duke mos ndjekur mësimin normalisht dhe duke mos studiuar pas mësimit, shpëtimin e gjejnë te celularët për të kopjuar me lehtësi. Nxitësit kryesorë janë prindërit që duan nota të pamerituara për fëmijët e tyre, ndërsa mbështetës janë stafet e njësive arsimore vendore dhe mësuesit administratorë provimi, të dorëzuar para presionit që u bëhet.

Pak javë na ndajnë dhe do të jemi dëshmitarë të ndalimit të celularëve në mësim në institucionet e sistemit arsimor parauniversitar. Dhe do të themi: “Duhej një urdhër që të ndodhte kjo!”. Por është rasti të shtrojmë pyetjen: Po në institucionet e arsimit të lartë çfarë do të bëhet për celularët? Nuk ka pedagog e student pa celular(ë). Studentët që nuk “prekin” në auditor celularin me dorë gjatë leksionit apo seminarit, numërohen me gishtat e dorës. Në shumicën e kohës, ndërsa pedagogu mban leksionin apo flet një student, studentët e tjerë rrinë kokulur (gërmuar) dhe “mbajnë shënime” në celular, nuk e kanë mendjen fare se çfarë thuhet e çfarë po ndodh. Ky zell i madh dhe kjo mani për të kaluar (vrarë) kohën me celular ka paralizuar punën në auditorë, por dhe përtej tyre. Studentët, në përgjithësi, ndoshta më shumë se nxënësit e parauniversitarit, celularin e kanë “mikun e tyre më të ngushtë”. Edhe ata, ashtu si maturantët, shpresat për të dalë me sukses në provime i kanë te celularët dhe sajojnë 1001 marifete për të kopjuar, sepse jetojnë “kohë celulari”, në vend të kohës së studimit për t’u formuar si profesionistë në një fushë/degë të caktuar.

Celularët në parauniversitar po hiqen. Po në universitet a do të hiqen nga përdorimi në auditorë? Kush e ka në dorë: rektori, dekani, pedagogu, studenti apo prindi/kujdestari i studentit? Është koha t’i themi “Ndal!” epokës kur adoleshentët, dhe jo vetëm ata, punojnë gjithë kohën me gishta në tastierat e celularëve e të aparateve të tjera elektronike! Është koha t’i kthejmë nxënësit dhe studentët t’u përvishen mësimeve me mendje e me zemër, që t’i sigurojnë vetes së tyre një të ardhme plot prosperitet. Sot jemi të vonuar, ndërsa nesër do të korrim dështimin, nëse do të vazhdojmë të pajtohemi me humbjen e kohës në tastiera aparatesh androide.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.