Kryesore

Biznesmeni i arrestuar për trafik droge, Balla thyen heshtjen: E njoh atë dhe familjen e tij

14:49 - 21.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagon për herë të parë lidhur me arrestimin në Greqi të biznesmenit Edmond Bego, i akuzuar për trafik droge.




Ndërsa opozita akuzon se biznesmeni ka bërë biznes në Shqipëri me mbrojtje të Taulant Ballës, ky i fundit pohon që e njeh.

Ai tha ditën e sotme se lidhur me akuzat e hedhura nga gojëtarë të ndryshëm të Partisë Demokratike, do i përgjigjet vetëm njërës që sipas tij ka interes.

“A ka qenë ligji dhe sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person? Apo ka gëzuar mburojë politike? Dua t’iu them qartë për secilin prej nesh dhe për mua sundimi i ligjit duhet të jetë dhe është një. Personin në fjalë sigurisht që e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tij të shkëlqyer, nxënës shembullorë moshatarë me tim bir. Dua t’i them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë dhe përgjigjen e ka dhënë shteti shqiptar. Që shumë shqiptarë nëpër kufij të ndryshëm të BE vendosen në proces verifikimi të së shkuarës së tyre është një proces normal dhe janë të shumtë ata që e dinë”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se për të është e rëndësishme që të hiqet dorë nga hedhja e baltës në dëm të krahut tjetër.

“Në fund të kësaj do të kemi pjesë të serisë Babale 3. Sepse personi nuk ka qenë në kërkim dhe nuk është në kërkim ndërkombëtar nga askush dhe pas verifikimit, pyeteni personin vetë nëse ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike. Këtu e konsideroj të mbyllur këtë çështje”, deklaroi Balla këtë të martë, pas një takimi që pati me disa deputetë gjermanë.

Ishin shërbimet e policisë greke të Igumenicës ato të cilat në bashkëpunim me sektorin e kontrollit të pasaportave të Sajadhes, arrestuan të shumëkërkuarin shqiptar, fundjavën e kaluar.

48-vjeçari rezultonte i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje ne organizate kriminale për trafik kokaine dhe heroine.

Arrestimi i tij trazoi ujërat e politikës, pasi opozita akuzon se i dyshuari ka lidhje të ngushta me deputetin socialist Taulant Balla, ku thuhet se me mbrojtje të tij ka bërë i qetë biznes në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.