Intervista

Intervista/ Deputetja Tabaku: Qeveria, 500 mln euro për të bojatisur qendrat bosh të qyteteve

15:30 - 21.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina MADANI – Deputetja demokrate Jorida Tabaku zbardh strategjinë e PD-së për rrëzimin e qeverisë “Rama” duke garantuar se opozita do të jetë zëri që do të përballet me ashpërsi përballë kokëfortësisë dhe keqdashësisë së qeverisë. Tabaku thotë për “Gazeta Shqiptare” se me mazhorancën, e cila ka prirjen t’i mbyllë gojën opozitës, nuk mund të ketë një dialog.




Sipas saj konsensusi që kërkon Kryeministri Rama mund të vijë vetëm duke respektuar Kushtetutën, askush nuk ka ndërmend t’i japë pushtet absolut kryeministrit Rama për të vazhduar i pashqetësuar
kapjen e sistemit. Tabaku flet edhe për ngërçin në gjyqësor teksa akuzon qeverinë për përvetësim të
sistemit ndërkohë që shtron pyetjet: Pse nuk alokohen më shumë fonde për institucionet e vetingut siç kanë kërkuar? Pse nuk ngrihet SPAK dhe Byroja e investigimit që janë kërkesa kryesore në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimit të kritereve për hapjen e negociatave? Sistemi, shprehet Jorida Tabaku, është duke u shndërruar në një agjenci të qeverisë. Nënkryetarja e Komisionit kuvendor të Ekonomisë
akuzon qeverinë për shpenzime të tepruara, ndërkohë që shqiptarëve nuk u ofrohen shërbimet e duhura.

Zj.Tabaku, opozita po përgatitet për aksionin e ri politik por çfarë surprizash do të shohim në shtator, si brenda dhe jashtë Kuvendit?

Për gjatë gjithë muajve të verës opozita ka vazhduar evidentimin dhe denoncimin e lidhjeve korruptive dhe mafioze të qeverisë dhe mazhorancës në pushtet. Raporti i KLSH, evidentimi i korrupsionit, lidhjet e
mazhorancës me bandat e kriminelëve janë pasqyruar përditë në sy të qytetarëve. Sikundër edhe raporti i qeverisë me problematikën e vetingut, se si kryeministri Rama po përdor vetingun për të kapur sistemin e drejtësisë. Shtatori, për nga dinamika, natyrisht që do të jetë më konfrontues duke qenë se fillon dhe sesioni parlamentar. Pa harruar që qeveria ka shumë tema të nxehta me të cilat duhet të dalë para publikut, ku një ndër to është edhe çështja e prishjes së Teatrit Kombëtar për t’i dhënë udhë
kullave. Në Kuvend dhe jo vetëm, opozita do të jetë zëri që do të përballet me ashpërsi përballë kokëfortësisë dhe keqdashësisë së qeverisë.

Një ftesë e hapur për dialog, mazhoranca e la të hapur për opozitën sesionin që shkoi, por si i shihni thirrjet e PS-së për bashkëpunim?

Nuk mund të ketë një dialog në çastin kur mazhoranca dhe qeveria kanë qenë të prirura që të mbyllin gojën e opozitës me dhunë. Dialogu mund të mirëkuptohej si ofertë ditën që mazhoranca do të kërkonte një zgjidhje kushtetuese për Prokurorin e Përgjithshëm, por përderisa qeveria vendosi të bëjë një
emërim politik, përderisa vazhdon të nxjerrë ligje edhe duke mos pasur Gjykatë Kushtetuese, përderisa vazhdon të ruajë të njëjtat lidhje me të inkriminuarit, atëherë kjo nuk ka vlerë. Përkundrazi, dialogu sot më së shumti është një tentativë për t’i ikur përgjegjësive të qeverisë. Për t’ia hedhur një pjesë të mirë
të fajit në shpinën e opozitës që nuk është aspak fajtore për situatën ku e ka çuar vendin qeveria. Kryeministri Rama para një viti kërkoi timonin e qeverisë ndërsa ne si opozitë kërkuam qeverisjen e Shqipërisë përmes një programi. Fatkeqësisht sot shqiptarët po e përjetojnë e shohin se fushata ishte thjeshtë propagandë.

Parlamenti dështoi në votimin për disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe
prokurorëve, të cilat synojnë t’i hapin rrugë pranimeve të reja në shkollën e magjistraturës dhe emërimeve të magjistratëve të rinj të diplomuar tanimë. Shkak është bërë opozita. Konkretisht si mund të zgjidhet ngërçi me Shkollën e Magjistraturës? A do japë opozita konsensus për miratimin në Kuvend?

Opozita dhe për më tepër kryetari i Partisë Demokratike, Z. Basha, është shprehur qartë mbi këtë temë. Nuk mund të kemi një votim me 84 vota vetëm në rastin kur do të kemi ndryshime të nevojshme në ligjet e miratuara në kundërshti me Kushtetutën në lidhje me reformën në drejtësi. Janë këto ligje të bëra shkel e shko, në këndvështrimin tonë, që kanë sjellë deri në këtë pikë procesin e vetingut dhe krijimin e institucioneve të reja. Kërkesa e qeverisë drejtuar opozitës është përpjekje e qartë për të na vendosur mbi shpatulla një faj që nuk na takon. Ende i freskët është kujtimi i gushtit të tre viteve më parë kur qeveria votoi në mes të vapës së gushtit disa ligje që ishin në kundërshti me ndryshimet Kushtetuese që në votuam. Fare mirë në atë kohë Edi Rama mund të kërkonte një dakordësi edhe më të madhe, por nuk e bëri. Sot, konsensusi që ai kërkon mund të vijë vetëm duke respektuar kushtetutën askush nuk ka ndërmend t’i japë pushtet absolut kryeministrit Rama për të vazhduar i pashqetësuar
kapjen e sistemit

Miratimi i këtyre ndryshimeve a do të zhbllokonte dot situatën e krijuar nga mungesa e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma në drejtësi, pasi kërkon 84 vota, të cilat shumica socialiste, e vetme, nuk i ka?

Sot ka diçka të qartë për shqiptarët, vetëm reformë në drejtësi nuk ka. Sot kemi një sistem të kolapsuar, gjykatat më të rëndësishme në vend janë jashtë funksioni dhe kemi një proces vetingu që po përdoret për presione politike. Miratimi i këtyre ndryshimeve nuk ka absolutisht lidhje me reformën në drejtësi. Sot reformën në drejtësi po e pengon qeveria. Pse nuk alokohen më shumë fonde për institucionet e vetingut siç kanë kërkuar? Pse nuk ngrihet SPAK dhe byroja e investigimit që janë kërkesa kryesore në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimit të kritereve për hapjen e negociatave? Sistemi është duke u shndërruar në një agjenci të qeverisë

Pse sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë? Kam parasysh këtu që Gjykata Kushtetuese është aktualisht jashtë loje. Drejt të njëjtit fat rrezikon të shkojë dhe Gjykata e Lartë, e cila tashmë funksionon me numër të kufizuar të anëtarëve të saj, ndërsa mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po mban pezull dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-un ose Njësinë Speciale Antikorrupsion.

Në Shqipëri ka ndodhur ajo që zakonisht ndodh në vendet që janë një hap larg diktaturës. Procesi me dy
standarde i vetingut nisi duke zhbërë Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që ende nuk qe ngritur asnjë gjykatë tjetër që të marrë funksionet e saj. Përse? E thjeshtë, me një Gjykatë Kushtetuese funksionale
shumë ligje që sot qeveria kalon pa teklif, nuk do të kalonin. Qeveria e hoqi këtë guralec nga këmba që të mos ketë asnjë zë kundër saj që të flasë apo të shprehet në formë të prerë. Përmes vakumit që
ka krijuar ajo mund të qeverisë njësoj si diktatorët e dikurshëm, pa iu përgjigjur dhe pa i dhënë llogari askujt. Tani kur një kryeministër zhbën institucionin më të lartë të gjykatës a mundet që të dëshirojë
krijimin e Byrosë së Hetimit dhe SPAK? Natyrisht që jo! Sidomos pasi kjo qeveri ka dosje hetimi për check up, largimin e Nazer Seitit, dy ministra rendi të përfshirë në trafik droge, anëtarë të mazhorancës të ngatërruar me grupe kriminale, koncesione abuzive e kështu me radhë. Kush i ka duart e pista nga korrupsioni, droga, kanabizimi, vjedhja e kështu me radhë nuk mundet të dëshirojë dhe mundësojë krijimin e mekanizmave të pavarur që do të hetojnë atë dhe njerëzit e tij.

Si e shikoni drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme nga Arta Marku dhe a po shkon ajo nga kryeprokurore e përkohshme, drejt kryeprokurores së përhershme? Si mund ta
ndërpresë opozita mandatin e saj?

Zonja Marku është një emërim qartësisht politik, u zgjodh në krye të prokurorisë jo vetëm në kundërshti
me kushtetutën (e cila nuk përmend gjëkundi PPP-në), por edhe me më pak vota se sa një ministër. Në kushte të një parlamenti në kaos, institucioni që ajo përfaqëson dhe integriteti i saj nuk duhet ta kishin lejuar të betohej në ato kushte në Kuvend. Prokuroria nuk është një agjenci e qeverisë, nuk është një zgjatim i kryeministrit Rama apo ministrit Xhafaj, përkundrazi është institucion i pavarur. Por, siç historia na ka mësuar, PS nuk e ka për herë të parë politizimin e institucioneve pasi plot njëzet vite më parë zgjodhi të bënte të njëjtën gjë me z. Abdiu që e emëroi nga deputet të sajin në krye të një institucioni të pavarur. Sakaq, puna e zonjës Marku është për të ardhur keq pasi ajo mbahet mend si
Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme që kundërshtoi vetë frymën me të cilën kishte ardhur në krye. Së pari, nuk duhet të bënte emërimet që ka kryer bashkë me shkarkimet. Së dyti, gjatë kohës së saj në krye të prokurorisë u vodh dy herë prokuroria e Durrësit, dëshmitari kyç Nazer Seiti ia hoqën nga duart në një formë të çuditshme, u bë levë e qeverisë në arrestimin e protestuesve kuksianë ndërkohë që vëllai i ministrit Xhafaj hyri dhe doli në dyert e prokurorisë sikur asgjë s’ka ndodhur. Qartazi zonja Marku është më e politizuar se sa thuajse çdo paraardhës i saj dhe vazhdon të luajë të njëjtën lojë të qeverisë.

Ka shifra kontradiktore për shpenzimet e qeverisë, por realisht sa ka shpenzuar qeveria “Rama”?

Qeveria Rama do të mbahet mend si qeveria që rriti taksat dhe nuk ofroi asnjë shërbim. As rrugë, as shkolla, as qendra shëndetësore. Për më tepër nuk rriti pagat e pensionet, nuk rriti shpenzimet në arsim, por rriti tarifat e arsimit të lartë, nuk arriti investimet në energji, por rriti çmimin e energjisë elektrike. Por më e rëndësishmja do të mbahet mend si qeveria që nuk diti të ofrojë asnjë shërbim dhe çdo gjë t’ia kalonte privatit me koncesion. Ka shpenzuar 500 mln euro për të bojatisur qendra bosh qytetesh por vetëm 11 mln euro për të ndërtuar vetëm 2 km rrugë këto 5 muaj të parë të vitit. Po shpenzon 90 milionë euro në koncesione çdo vit, por po dështon të ofrojë shërbime shëndetësore falas ashtu siç
premtoi.

PD gjatë këtyre muajve ka vijuar me denoncimin e aferave korruptive përfshi dhe koncesionet ku sipas demokratëve PPP janë akt i pastër korruptiv në Shqipëri”. Realisht në ç’mënyrë po grabiten shqiptarët?

Kontratat koncesionare që po jepen nën logjikën e PPP-ve janë qoka të qeverisë që i shpërndahen kompanive pranë saj. Këto kompani që fitojnë PPP-të në shumicën dërrmuese të rasteve janë kompani fantazmë, kompani të lidhura me offshore apo kompani që nuk kanë eksperiencën e nevojshme. Le të
marrim rastin e inceneratorëve në Shqipëri, një praktikë, e cila është PPP, por që rezulton nga të dhënat e qarta se është aferë korruptive. Për t’i dhënë këtë PPP qeveria është angazhuar që të kalojë brenda një dite rreth dhjetë vendime të Këshillit të Ministrave një kompanie të krijuar disa ditë përpara fitimit të PPP-së për ndërtimin e inceneratorit. E njëjta skemë është përdorur në çdo PPP tjetër të dhënë nga qeveria. Por nuk është vetëm kaq. Skema e PPP-së, sikundër vëren edhe FMN me të drejtë, është duke u
përdorur pa kriter dhe pa matje eficience. Askush nga qeveria nuk ka kryer një analizë efiçente për këto
PPP të dhëna; pra se sa i shërbejnë qytetarëve se sa të dobishme janë. Le të marr një shembull për këtë rast, qeveria ka shpallur se do të ndërtojë me PPP rrugën Dhërmi-Orikum që do të shkurtojë shumë kohën e qarkullimit mes dy zonave. Por nga ana tjetër qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për rrugët që duhet të ishin mbyllur e kohë në atë zonë, sot nuk ka përfunduar ende unaza e Vlorës dhe
qytetarët rraskapiten në radhë kilometrike në të famshmen Lungomare që nuk është ndërtuar për atë
trafik. Po kështu qeveria ende pas pesë vjetësh nuk ka përfunduar bypass-in e Fierit që do ta lidhë me autostradën Levan-Vlorë duke agravuar situatën e trafikut. Pa përfunduar asnjë nga këto akse kryesore qeveria shpik një aks të ri që nuk është i dobishëm për qytetarët që do të vazhdojnë të vuajnë trafikun edhe pas këtij shkurtimi të kohës në rrugën Dhërmi-Orikum. Së fundi, vlera e këtyre PPP-ve është mbi normat logjike. Kostot e rrugëve të dhëna me PPP tregojnë se ato janë dhjetëfishuar dhe se ky  dhjetëfishim nuk ka sjellë rrugë më të mira. Le të mos harrojmë që rruga më e kushtueshme në vend është Rruga e Kombit e ndërtuar nga kompania me emër botëror si Bektelenka, këto kompani nuk vijnë më në Shqipëri pasi qeveria ka paracaktuar fituesin e tenderit dhe njëkohësisht edhe pagesën që do të merret. Ndërkohë që rrugë si ajo e kombit në Shqipëri ende nuk janë ndërtuar ndonëse kostoja e rrugës është dhjetëfishuar nga viti 2013.

Mijëra demonstrues kanë mbushur rrugët e Bukureshtit për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë rumune të socialdemokratëve, por a presim një skenar rumun edhe ne Shqipëri?!

Rumunët kanë zbritur në shesh pasi në Rumani është krijuar SPAK dhe kryetarja e SPAK ka filluar të çojë përpara përgjegjësisë qeveritarët e korruptuar. Pikërisht kësaj i trembet kryeministri Rama, pasi të gjithë e dimë që lidhjet e tij me oligarkët shqiptarë dhe jo vetëm mund t’i kushtojnë shtrenjtë. Ndaj ka zgjedhur të emërojë njerëz të besuar dhe të kontrollojë sistemin gjyqësor. Në Rumani nuk janë ngritur vetë forcat politike opozitare por e gjithë shoqëria, përfshirë edhe shoqërinë civile. Partia Demokratike ka dëshmuar dhe ka treguar që mund të mbledhë mijëra qytetarë për t’i treguar vendin kryeministrit
Rama që përherë ka ikur nga Tirana gjatë këtyre protestave. Unë besoj dhe shpresoj që shqiptarët do të
ndërgjegjësohen edhe më shumë e do t’i mbushin rrugët e vendit. Shihni protestën për mbrojtjen e Teatrit, një protestë e mrekullueshme që ka muaj që kryhet dhe për të cilën media jonë flet pak ose aspak. Ata janë të ngjashmit me protestën civile në Bukuresht, ndonëse të pakët në numër, por shumë të drejtë në kauzën e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.