KULTURË

Kur shtrati ishte dhomë, jeta që niste nga kamioni i deportimeve

15:00 - 21.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI – Më 23 gusht, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare organizohet Dita Muze në Kampin e Tepelenës, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Bashkia e Tepelenës, Harabel dhe MEMO, me të mbijetuar, institucione e shoqëri civile aktive, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, qeverisë së Italisë dhe ambasadës së Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. Aktivitetet fillojnë në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës, Tepelenë, me ekspozitë
me materiale arkivore dhe simpozium shkencor mbi punën e detyruar në diktaturë, duke paraqitur edhe ecurinë e punës për projektin e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar. Vijojnë në orën 18.00 në Kampin e Tepelenës, me nderimin e të mbijetuarve nga Presidenti i Republikës, në shenjë të triumfit të dinjitetit njerëzor dhe me projektet artistike-sociale të MEMO e artistëve të tjerë, në bashkëpunim me Harabel. Po atë ditë zhvillohet aktiviteti “N’dritë” në nderim të të internuarve të Kampit të Tepelenës 1949-1953, organizuar nga AIDSSH dhe Harabel. MEMO do të japë kontributin e saj me “Sikur mama”, dy km me kamionin e deportimeve; me “Dhomën shtrat”, rindërtim i situatës
së kampit, bazuar në vizatimet e Lek Pervizit dhe “I përkasim njëri –tjetrit”, video në vetë të parë, bazuar në histori të vërteta.




“SHTRATI DHOMË” 
Kamioni do të ndalet pranë ish-fjetores së kampit, ku një punëtor do të jetë duke ndërtuar një “shtrat
dhomë”, sipas vizatimeve të Lek Pervizit dhe ndërkohë, të mbijetuarit e pranishëm mund të ndajnë kujtimet e tyre apo të tregojnë se si e mbajnë mend atë vend, duke i dhënë orientime punëtorit. Në kapanonet e mbijetesës dhe në jo pak raste, të vdekjes, ishin të detyruar të jetonin rreth 700 persona në të njëjtën hapësirë. Çdo familje, – kishte edhe me nga dhjetë vetë, – kishte në dispozicion katër metra
katrorë sipërfaqe dërrase në të, ku të jetonte dhe të flinte. Në jo pak raste, kjo do të thoshte rreth 30-40 cm hapësirë për person. Transformimi i ardhshëm i kampit në Muze Kombëtar të Kujtesës parashikon
rindërtimin e njërës prej kazermave, sipas kushteve të jetesës së të internuarve gjatë 1949-1953, në kampin me tela me gjemba. Me rënien e errësirës, kamioni do të shndërrohet në një hapësirë ku do të mund të shihen videot e nismës “I përkasim njëri-tjetrit”, një pjesë e të cilave janë bazuar në histori të ndodhura në kamp. Kamioni do të transformohet në kinema të hapur.

“SIKUR MAMA”…
Gratë dhe fëmijët janë dërguar në kampin e Tepelenës pa pasur mundësi të merrnin gjë me vete, veç
rrobave të trupit. Disa prej tyre kanë vdekur rrugës, prej urisë dhe kushteve të motit. Kjo performancë artistike do të jetë një ndërveprim në distancë kohe me rrugëtimin e gjatë të shumë grave e fëmijëve të dënuar në kampin e Tepelenës. Një kamion i epokës (nga të paktët ende të mbetur) do t’i presë të ftuarit dy kilometra përpara mbërritjes në kamp. Stafi i MEMO-s do t’i orientojë të ftuarit të hipin në kamion.
Përgjatë rrugës për në kamp do të ketë zhvillime të tjera që mund t’i përjetoni në vetë të parë…

“I PËRKASIM NJËRI-TJETRIT”
I përkasim njëri-tjetrit është nisma e një grupi intelektualësh dhe artistësh të pavarur për të hapur dialog
konstruktiv mbi të shkuarën, duke u përballur ndershmërisht me të. Me drejtor ekzekutiv Gjon  Radovanin dhe bashkëpunimin e Ema Andreas si autore e drejtore artistike, Agron Tufës si hulumtues e
shkrimtar, Ervin Kotorit si regjisor, Gjergji Panos si montazh, Ema Ndojës si bashkëpunëtore dhe
Elvana Zaimit si përkthyese, qasja artistike-sociale është një ide e Ema Andreas, autore e projektit në fazën e parë të tij. Historitë e vërteta të vetëm pak viteve më parë, pas të cilave janë fatet e shumëkujt,  vëllait, motrës, fëmijës, të kolegut, të të afërmve tanë, të njohurve apo të panjohurve e sot duket sikur nuk kanë ndodhur kurrë, janë përzgjedhur dhe sjellë në vetë të parë nga shkrimtari Agron Tufa. Ideja, koordinimi, përkthimi dhe realizimi artistik e teknik i çdo videoje janë bërë të mundura nga puna kolosale dhe përkushtimi i të gjithë grupit të mësipërm. “I përkasim njëritjetrit” ka bërë bashkë përvoja
të fushave të ndryshme për të iniciuar një projekt shumëdimensional, që në thelb mbështet marrëdhënien me të vërtetën dhe mbështetet te bashkëpunimi me të gjithë ata që e ndiejnë këtë
përgjegjësi shoqërore ndaj së shkuarës dhe së tashmes. Historitë e vërteta, të trajtuara artistikisht dhe të interpretuara nga personazhe publikë e njerëz të zakonshëm, mund të gjenden në faqet zyrtare ose dokumentet që zotërojnë institucionet shtetërore të kujtesës, në publikime, libra apo portale online dhe kanë arritur deri te ne nëpërmjet dëshmive, kujtimeve dhe vullnetit për të treguar të vërtetën e të
mbijetuarve të regjimit komunist.

Zgjedhja për të rrëfyer monologët, – duke dashur që historitë mbi jetët e të mbijetuarve ose atyre që nuk ia dolën të shkojnë te të gjithë dhe t’i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme shqiptare, – është e lirë dhe shpreh qëndrimin individual të gjithkujt që ka vendosur të jetë një zë për të pazëshmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.