EKONOMI

Lëshohen certifikatat e para të pronave në Dhërmi

15:45 - 21.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI – Për herë të parë në fshatin Dhërmi janë lëshuar certifikatat e pronësisë, për 815 prona që ka ky fshat, në një zonë shumë të lakmuar për vlerat turistike të tij. Gjithçka është bërë e mundur pas përfundimit të regjistrimit fillestar të pronave nga ana e Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila në një postim në faqen e saj zyrtare, e konsideron këtë një tjetër premtim të mbajtur.




“Janë dhënë certifikatat e para të pronësisë për fshatin Dhërmi. Rreth dy javë më parë, gjatë hapjes të
zyrës së re të ZRPP në bashkinë Himarë, ju premtuam banorëve të fshatit Dhërmi, së bashku me kolegun Gjiknuri, se brenda muajit gusht procesi i regjistrimit fillestar i pronave të tyre do të kishte përfunduar si një premtim i bërë më herët”,-shkruan ministrja Gjonaj.

REGJISTRIMI
Procesi i regjistrimit fillestar për fshatin Dhërmi ose ndryshe Zona Kadastrale 1481, e përbërë nga 815 pasuri me një sipërfaqe rreth 30,708 m2, ka filluar që në vitin 2015, por vetëm falë punës me intensitet të kryer muajt e fundit ky proces përfundoi duke përfshirë të gjitha fazat e projektit. Sipas ministres së Drejtësisë procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë do të vijojë edhe me pjesën tjetër të banorëve, deri në certifikimin e plotë të fshatit Dhërmi. Të gjithë banorët e fshatit Dhërmi kanë tashmë mundësi të pajisen me certifikatat e pronësisë. Ndërkohë që me hapjen dy javë më parë edhe të zyrës së re të ZRPP në Himarë banorët e kësaj zone nuk kanë më nevojë të marrin rrugën për në Vlorë për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë. Ministrja Gjonaj thotë në mesazhin e saj se objektivi kryesor është
regjistrimi fillestar i të gjitha pasurive në vend, si një proces i rëndësishëm në reformën e pronës.

REGJISTRIMI NË E-ALBANIA
Ndërkohë që lejet e legalizimit mund të regjistrohen në Hipotekë brenda 10 ditëve me një kosto prej 5 mijë lekësh pa qenë nevoja të prisni ALUIZNI-n të dorëzojë dosjen në hipotekë. Personat që kanë ndërtuar pa leje dhe janë pajisur me lejen e legalizimit, mund të marrin tapinë për shërbimit që ofrohet
në “e-albania”. Pronari i objektit duhet të identifikohet në faqen zyrtare në internet me numrin e kartës së identitetit ose pasaportë biometrike (të nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-albania”) dhe të dërgojë një shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar lejen e legalizimit. Shërbimi elektronik
në faqen e-albania u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e objekteve të
legalizuara. Bëhet regjistrimi i objektit të legalizuar menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizmit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të lejes së legalizimit dhe dokumentacionit. Regjistrimi kryhet në favor të subjektit, të cilit i është lëshuar leja e legalizimit. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPPsë dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit
me email, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-albania”,
si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.