Intervista

Dash Shehi dhe…, Ndoka: Tre kandidatët e fortë të opozitës përballë Veliajt

13:47 - 27.08.18 Valentina Madani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nard Ndoka kreu i PDK-së, i kërkon liderit të opozitë s Lulzim Basha që t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për të ardhmen e tyre.




Ndoka beson se bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, sipas tij përballë qeverisë së ‘tepsisë dhe kazanit’.
Por aleati i Bashës zbulon për “Gazeta Shqiptare” tri kandidaturat e forta të opozitës në garën për kryebashkiakun e ri të Tiranës përballë Erjon Veliaj.

Nard Ndoka vlerëson se Jorida Tabaku është personazh në rritje në politiken shqiptare dhe se ka personalitet, dinjitet, eksperience dhe lidhje të forta me kryeqytetin. “Opozita ka mjaft emra dinjitozë për Tiranën: Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere, Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik”, shprehet z.Ndoka.

Ai është i sigurt se përballja në Tiranë nuk do të jetë e vështirë pasi sipas Ndokës, “demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit të opozitës së bashkuar”.

Z.Ndoka, opozita po përgatitet për aksionin e ri politik kundër qeverisë ‘Rama’ por sipas jush cila do të ishte rruga më e efikase që të çon drejt rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti?
Aksioni politik i opozitës duhet t’i paraprijë lëvizjes dhe shqetësimit qytetarë në rritje. Nuk është qëllim në vetvete pushteti; por standardet, zbatimi i ligjit, korrupsioni, droga, grupet kriminale, pasiguria, papunësia, varfëria dhe shumë e shumë probleme të tjera sociale, që shqetësojnë sot çdo familje dhe qytetarë shqiptarë. Opozita duhet të jetë impulsive, e fortë, e vendosur; duke u organizuar si alternativë qeverisëse dhe si garanci për të ardhmen. Protesta është rruga fundore, por kërkohet një opozitë frontale në Kuvend, në takime me grupet e interesit dhe qytetarët, në çdo fshat e qytet, duke ngritur ndjeshmërinë , përgjegjësinë qytetare dhe politike për t’i dalë zot vendit. Çdo njeri sot, mendon si të largojmë Ramën nga pushteti, ndaj është detyra e opozitës që të gjejë rrugët për ta realizuar sa më parë.

Një opsion është edhe bojkoti i Kuvendit apo djegia e mandateve…?
Opozita ka shumë mundësi dhe rrugë për t’u ringritur si alternativë; lënia e mandateve është pika kulmore, ku duhet të ndahemi përfundimisht nga mundësitë e bashkëpunimit institucionaleme mazhorancën.

Po me PD-në ku ndaheni dhe bashkoheni në betejën për rrëzimin e qeverisë?
Nuk ka diferenca në qëndrimet mes opozitës, dikush kërkon rrugë më të shkurta, dikush tjetër kërkon marrjen e përgjegjësive; për dje, sot dhe për nesër. Opozita dhe Z.Basha duhet t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për çdo qytetar.

Sipas jush bashkëpunimi me LSI po e ndihmon apo po e dëmton PD? Ju jeni për një koalicion të përbashkët PD-LSI për zgjedhjet e ardhshme lokale?
Bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, përballë qeverisë së tepsisë dhe kazanit. Forcimi i bashkëpunimit, axhenda e përbashkët, programi minimal dhe strategjitë për të ardhmen duhet të jenë kryefjala për më tej. Opozita e Bashkuar po tregon përngjashmëri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit; debati, idetë, alternativat, vendimmarrja e përbashkët janë pikat e forta të Z.Basha në raport me aleatët dhe qytetarët. Opozita është plurale në përbërje, me ide dhe alternativa programore konkurruese, duke rritur në maksimum mbështetjen popullore dhe besimin për qeverisje më të mirë nesër.

Here pas here ju bëni ironi me kryeministrin, duke i vendosur epitete te ndryshme, por edhe duke i dhënë “këshilla” nganjëherë. Çfarë ju shtyn të ironizoni kaq shumë?
Kryeministri ka zgjedhur një rol qesharak në drejtimin e shtetit, ai po tallet me qytetarët shqiptarë. Ka pesë vite që merret me opozitën, nuk qeveris, nuk ka projekte konkrete, por vetëm demagogji pa fund. Është në luftë me akademikët, me artistët, me sportin, me studentët, me biznesin, me qytetarët e thjeshtë dhe me çdo njeri që ka kurajën ta kritikojë. Në këto rrethana një personazhi të tillë të papërgjegjshëm, vetëm ironia dhe sarkazma mund t’i përgjigjen stilit dhe sjelljes së tij. Ai e ka kthyer politikën dhe qeverisjen në një gropë balte, ku derrat kacafyten duke ngrënë njëri-tjetrin. Unë jam përpjekur që mos të futem në terrenin e tij me baltë. Nëse futesh aty, përbaltosesh njësoj si kryeministri Rama. Edi Rama ka ndërtuar një shtet “ligjor” dordolecash, në qendër ka vendosur vetën për të trembur të tjerët; drejtuesit e institucioneve, nëpunësit, qytetarët dhe këdo tjetër. Promovon në teori shtetin ligjor; me ligje, vendime e udhëzime, por në praktikë; vendos një dordolec në krye për të frikësuar të tjerët dhe asgjë më shumë. Koha e tij ka mbaruar.

Kritik dhe përballë të gjithëve, madje edhe me familjen tuaj politike, tuaj a është e gabueshme opozita?
Unë jam natyrë opozitari i përjetshëm, kritikoj çdo fenomen që gjykoj që dëmton sistemin dhe institucionet. Jam një zë oponent edhe brenda opozitës. “Furçat e lëpirjet” nuk janë arma ime politike, as nuk do jenë kurrë. Opozita ka gabimet e veta; në organizim, në çështje parimore, programore dhe ndjehet mungese besimi herë pas here. Janë tema debati në takimet tona opozitare dhe shumica e këtyre problemeve po marrin jetë, po provojmë dhe tentojmë mënyra dhe hapësira të ndryshme. Kur pranon gabimet dhe mendon dhe vendos për të ardhmen çdo gjë tjetër arrihet. Lulzim Basha është një lider, që të krijon mundë si dhe hapësire, për t’i thënë gjerat, por edhe reagon shpejt duke treguar, që ka formatin dhe garancitë institucionale, morale, politike dhe mendësi tipike europiane. Unë kam besim, se është momenti i opozitës dhe roli i liderit ka një rëndësi vendimtare për të gjithë.

Kjo është arsye që para disa ditësh, kur z.Berisha bëri thirrje për rrëzimin e qeverisë në shtator, ju shkruanit në’Fb’ : ‘Na prij Lulzim Basha…”?
Ishte një revoltë e brendshme. Besoj se ka ardhur koha që z.Basha duhet të dalë mbi të tjerët në vendimmarrje të aksionit opozitar. Ai ka përgjegjësinë, detyrimin kushtetues, politik dhe qytetar për të ndarë momentin kur Opozita duhet të ndahet nga pritja e reflektimit të një mazhorance normale. Megjithatë z.Basha vazhdon të kritikohet nga kundërshtarët e tij brenda partisë, ndërkohë që për kritikët e tij jeni shprehur se alternativa e vetme për ta ishte “rroftë Berisha”. Është disi vështirë të besosh se është mbyllur epoka “Berisha” në PD… Epoka ‘Berisha’ nuk është mbyllur në aspektin e vazhdimësisë dhe qëndresës, por unë kam cituar; se ata nuk kishin mendim ndryshe në atë parti asnjë herë. Kur Berisha u tërhoq nga drejtimi, automatikisht edhe bashkë punëtorët e tij, duhet të bënin një hap prapa. Koha duhet t’i lartësonte apo harronte në varësi të përkushtimit të tyre dhe lidhjes me bazë n. Unë nuk kam gjykuar asnjë herë se ato duhet të largohen, përkundrazi shumë prej tyre kanë histori suksesi që kanë bërë edhe emër të mirë. Apo si rasti i Patozit që nuk ka patur asnjë herë funksione ekzekutive. Ata krijuan një hendek mes lidershipit dhe bazës së tyre, kjo nuk do të thotë, se shumë prej tyre i duhen akoma opozitës me idetë dhe eksperiencën e tyre. Është përgjegjësi e Bashës për t’i afruar dhe e tyre për të kuptuar drejt realitetin e ri. Berisha është një busull reale për to, model i një lideri, që qëndron dhe kërkohet nga baza, por që di të ruajë pozicionin e artë politik që e shoqëron.

Sa besues jeni se Lulzim Basha do t’i shkurtoje mandatin Edi Ramës?
Lulzim Basha i dha një mundësi reale Edi Ramës, që të hynte në histori, si një politikan modern; që di të nënshkruajë marrëveshje historike për vendin. Lulzim Basha e ngriti veten e tij në lartësinë e përgjegjësinë e liderit ndaj vendit. I dha mundësinë vendit dhe Ramës të futej në shina institucionale e kushtetuese. Shmangu përplasjet politike dhe popullore, fitoi simpatinë e atyre që e ndjekin politikën shqiptare, humbi zgjedhjet, por fitoi besim dhe siguri tek të tjerët; se nuk është një politikan që kërkon pushtet, por përgjegjësi dhe rregulla. Rama, përmbysi gjithçka për tepsinë e tij, vodhi zgjedhjet, tradhtoi opozitën, përjashtoi dhe shkeli me këmbë aleatët. Sot ai po vuan agonin e tij. Ndaj sot Basha, nuk ka mundësi që të besojë te Rama dhe axhenda e tij. E vetmja mundësi është ndarja përfundimtare duke vendosur dhe diktuar rregullat e lojës.

Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, a është e gatshme opozita t’i fitojë ato? A e ka Lulzim Basha besimin dhe garancinë e aleatë ve për të kryesuar nesër qeverinë e re?
Ne flasim sikur opozita është një lëvizje e krijuar dje; ne kemi potenciale dhe eksperienca qeverisëse aq shumë, sa për të ndërtuar tre-katër ekipe qeverisëse. Basha ka drejtuar dy tre ministri të rëndësishme që mbajnë firmën e tij për ngjarje të rëndësishme kombëtare, ndaj ka garancitë dhe besimin e aleatëve, por edhe të qytetarëve, që është kryeministri i duhur për të drejtuar vendin.

Si e shikoni apelin e ndërkombëtarëve drejtuar opozi tës për bashkëpunim me qeverinë me qëllim përmbushjen e reformave integruese, konkretisht atë të drejtësisë?
Opozita ka dhënë kontributin maksimal për reformat dhe do të vazhdojë ta japë atë. Është mazhoranca, ajo që ka përmbysur konsensusin politik dhe ka shembur totalisht garancitë ligjore dhe kushtetuese, duke e kthyer vetingun në një farsë dhe tendencë monopoli. Mazhoranca duhet të zmbrapset nga aventura e saj, duke ofruar realisht kompromis dhe garanci për institucionet përfshi edhe opozitën, si garant të sistemit.

Ambasadori amerikan Donald Lu ikën nga Shqipëria pa futur dot në ‘rrjetë peshqit e mëdhenj” ndërkohë që opozita jo rrallë u përplas me të duke e akuzuar shpesh për bashkëpunim me Edi Ramën. Sipas jush për cilat arsye?
Ambasadori Lu e ktheu në kauzë personale reformën në drejtësi, duke parë një kryeministër të paaftë dhe të gjunjëzuar në mëkatet e tij, ai me gjasa ishte produkt diplomatik i “Soros” dhe kishte marrë udhëzime që drejtësia të mbetej nën kontrollin e tyre për më tej. Lu humbi betejën e kauzën, humbi besimin e opozitës dhe qytetarëve, por do humbë edhe Ramën e Soros. Lu mbetet një mësim për opozitën e politikën në tërësi. Ambasadorët vijnë dhe ikin, Shqipëria mbetet këtu me halle të shtuara shumë, të cilat kërkojnë zgjidhje pikë së pari nga ne të gjithë.

Vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet lokale ndërkohë që PS-ja po shkon drejt zyrtarizimit të Erion Veliaj për një mandat të dytë. Ndërkohë nga opozita flitet se më i mundshmi përballë tij është emri i Jorida Tabakut…
Jorida Tabaku është personazh në rritje në politikën shqiptare. Ka personalitet, dinjitet, eksperiencë dhe lidhje të forta me kryeqytetin. Opozita ka mjaft emra dinjitoz për Tiranën; Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere. Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik. Nuk duhet ta mendojmë të vështirë përballjen e Tiranës; demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit tëopozitës së bashkuar.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ka vetem nje menyre per ta shporr Rama-Veliajn.Kushdo qofte Shehi,Tabaku dhe pse jo Noka etj:Kandidatura e Kryetarit patjeter,patjeter duhet te shoqerohet me stafin e ngushte 10-15 vete te cilet duhen perzgjedhur ne specialistat me te spikatur.Keta vetem keta do bejne fushate Reale Apolitike. Politika ka deshtuar.Kryetari eshte Garanti. shkurt.

    Përgjigju ↓