Intervista

Zëvendësministri: Vazhdoj ta blej vetë bukën te furra, shokët më kërkojnë borxh kostumin

15:00 - 07.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të kesh post të lartë nuk do të thotë që të humbasësh thjeshtësinë. Këtë na e vërteton më së miri zëvendësministri i Arsimit, Shpat Kolgega, i cili vjen në një rrëfim ekskluziv për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare”, siç nuk e keni parë kurrë. Për të nuk ka ndryshuar asgjë, që prej marrjes së postit, pa harruar këtu përgjegjësitë dhe punën e fortë që duhet të bëjë për fushën e arsimit.




Sfidat për zëvendësministrin nuk janë të pakta, megjithatë ai i pëlqen ato. Detyrën që mban nuk e ka qëllim në vetvete, por do të lërë gjurmë edhe pasi të mos jetë më në detyrë. Një mbështetje e madhe dhe motivim është ministrja Lindita Nikolla dhe kryeministri Rama. Kolgega pohon duke qeshur se shokët i kërkojnë kostumin borxh dhe se janë mësuar tanimë që ta shohin si zyrtar. Përtej politikës, Shpati ndan me ne jetën që bën jashtë petkut të politikanit, duke thënë se del fundjavave dhe nuk dehet kurrë.

Një femër ideale sipas tij duhet të jetë shumë këmbëngulëse dhe e pavarur. Raportet me rrjetet sociale duket se nuk i ka aq të mira, mirëpo i duhen për çështje pune. Kolgega na tregon se është i pasuruar me miq të mirë, të cilët ndonjëherë i kërkojnë dhe ndonjë nder të vogël. Sa u përket marrëdhënieve me kolegët opozitarë, ai thotë se i çmon njerëzit me vlera, pavarësisht kahut politik.

Prej një viti je zëvendësministër. Çfarë ka ndryshuar?
Përveç kohës, që është më e zënë dhe takimeve zyrtare, pjesa tjetër ka mbetur e njëjtë. Vazhdoj ende ta blej vetë bukën tek furra poshtë pallatit. (qesh)

Si është për një djalë të ri ky post?
Nder i madh. Shumë. Por, edhe emocion dhe përgjegjësi, pasi nuk i jepet çdokujt një mundësi e tillë. Është një punë që e bëj me shumë dashuri dhe një motiv i bukur për t’u zgjuar çdo mëngjes. Zakonisht detyra të tilla vijnë kur je me më shumë eksperiencë, ndërsa në rastin tim është eksperienca vetë.

Cilat janë sfidat e Shpatit?
Për momentin janë 3 sfidat e mia. Projektligji i Rinisë, ndërtimi i qendrave të reja rinore dhe karta e studentit. Janë sfida që unë i kam marrë përsipër dhe do t’i çoj deri në fund. Mua më pëlqejnë sfidat, pasi i japin kuptim jetës sime dhe përditshmërisë. Një punë pa sfida për mua do ishte parazitizëm.

Nga çfarë vuan sot rinia shqiptare?
Ka nevojë për më shumë energji pozitive, nisma të reja, mundësi për aktivitete dhe ambiente rekreative. Për fat të mirë kemi të rinj shumë energjikë, por që duhet t’i kanalizojnë ato për të pasur produkt.

Si i ke marrëdhëniet me Lindita Nikollën? Po me kryeministrin Rama?
Shumë të mira. Ministrja Nikolla është mbështetësja më e madhe në të gjithë punën time të përditshme. Sigurisht, edhe kryeministri, i cili ka besuar tek unë.

Çfarë të thonë shokët kur të shohin me kostumin e politikanit?
Ka nga ata që ma kërkojnë kostumin borxh. (qesh) Përtej shakasë, të gjithë miqtë e mi janë mësuar me këtë, pasi prej një kohe të gjatë unë merrem me politikë.

Po femrave si u dukesh?
Këtë nuk e di. Jam kurioz, ti ke dëgjuar ndonjë gjë? (qesh)

Duke qenë se në këtë moshë je zëvendësministër, mendon që kur të mos e kesh këtë post do pësosh ulje apo ngritje në karrierë?
Të them të drejtën, nuk para e mendoj këtë gjë. Unë punoj fort çdo ditë që të jap maksimumin këtu ku jam. Postin nuk e kam qëllim në vetvete, sepse historia e Shqipërisë ka njohur pafund zëvendësministra. Dua të realizoj diçka që të ngelet edhe kur të mos jem më në detyrë. Në të ardhmen do realizojmë prapë intervista.

A ka ndonjë politikane që të duket simpatike?
Është kriter i pamjaftueshëm për të dhënë emra të përveçëm.

Si do ishte për ty femra ideale?
E pavarur dhe këmbëngulëse.

A del në fundjavë?
Dal dhe më pëlqen që ta shijoj jetën dhe eksploroj Shqipërinë.

Dehesh ndonjëherë?
Asnjëherë.

Ke frikë nga paparacët?
Frikë është fjalë e madhe, por nëse atyre do u interesonte, maksimumi do më fotografojnë duke bërë vrap nga liqeni apo duke shkuar me autobus për në punë, janë të mirëpritur.

Çaton në rrjetet sociale?
Nuk më pëlqen, por jam i detyruar për çështje pune. Janë të pashmangshme.

Të kërkojnë ndere shokët tani që je zëvendësministër?
Edhe shoqet. (qesh) Por më pëlqen t’i ndihmoj njerëzit, kuptohet aty ku kanë të drejtë dhe është e mundur.

A je pasuruar?
Me miq e me shokë shumë të mirë, po.

Si i ke marrëdhëniet me kolegët nga opozita?
Njerëzit me vlera i çmoj gjithmonë, pavarësisht krahut politik. Brezi ynë duhet të sjellë debatin e argumenteve dhe jo konfliktin personal të interesave.

Ke menduar ndonjëherë se mund të kishe një punë në sektorin privat dhe të shkëlqeje?
Unë kam punuar më parë në sektorin privat për disa vite. Mendoj se do ta gjeja veten mirë edhe aty, por pasioni për politikën nuk e ushtron dot në atë sektor. (qesh)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.