Aktualitet

Përplasjet e BE për Ballkanin Perëndimor dhe “dora e të tjerëve”

16:49 - 12.09.18 Gazeta Shqiptare

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i bëri thirrje të mërkurën Bashkimit Evropian që të jetë i bashkuar sa i përket Ballkanit Perëndimor, për te penguar ndërhyrjet e faktorëve të tjerë në rajon. Ai i bëri këto komente gjatë fjalimit vjetor mbi gjendjen e Bashkimit Evropian në Parlamentin Evropian.

“Duhet të jemi bashkë kur flitet për Ballkanin Perëndimor, njëherë e përgjithmonë. Nëse nuk e bëjmë, atëherë ky rajon fqinj i afërt me ne do të formësohet nga të tjerët”, tha presidenti Juncker.

Gjashte vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Zyrtarë të lartë evropianë u kanë bërë thirrje disa herë gjatë këtij viti vendeve të rajonit që të përfitojnë nga përpjekjet e reja të Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë vitin e ardhshëm.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi shihen si të parat në procesin e integrimeve. Bashkimi Evropian është shprehur në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë, por duke e shtyrë vendimin për qershorin e viti të ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Po në qershor të vitit të ardhshëm pritet hapja e negociatave me Maqedoninë, nëse ajo miraton ndryshimin e emrit të saj kushtetues në Republika e Maqedonisë Veriore, sipas marrëveshjes së arritur me Greqinë.

Kosova mbetet e fundit në proceset integruese. Në të gjitha proceset ajo përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej, pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj që kundërshtohet nga Beogradi me të cilin Prishtina është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve – kusht për të dyja palët për integrimet evropiane.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *