OPINION

Dea flet me gjuhën e imazhit…

07:35 - 13.09.18 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur arkeologu italian Ugolini zbuloi gjatë gërmimeve në Butrint kokën e Deas…, as mund të imagjinonte se pas pothuaj një shekulli, atje në qytetin e 40 shenjtorëve në Sarandë, në një kinema në qiell të hapur, do të zhvillohej një festival ndërkombëtar filmi me emrin “Dea”. Në fakt, diku më herët, në vitin e largët 1925, një tjetër udhëtar i interesuar, piktori francez Lui Dupre vizitoi Butrintin dhe më tej shkroi. “Një ditë eksplorimi i rrënojave do të nxjerrë në dritë një pasuri të madhe zbulimesh, të cilat janë mbuluar gjatë gjithë këtyre shekujve nga mjegulla e natës”. Po mbushen gati 200 vite dhe ky zë nuk është dëgjuar plotësisht. Raportet me Trojën dhe me Romën e lashtë si studime të thelluara ende kanë mbetur shumë të zbehta. Ato që lidhen me Trojën përmblidhen vetëm në çka shkruar Virgjili dhe janë të shprehura me argumentin dhe gjuhën e legjendës. Kush ka frikë nga kjo përmbysje në fushën e shkencës historike? Mbase janë shumë, këtej e andej kufirit. Unë jam me bindjen se heshtja një ditë do të kthehet në zë, memecllëku do ia lërë vendin gjuhës që flet. Koka e Deas qëndron atje në krye të ansambli të Butrintit, si riprodhim pranë me topin e mesjetës dhe ndërhyrjet nga Ali Pasha… Elementet e antikitetit dhe ato Veneciane të mbetura disi në hije. Koka origjinale e Deas erdhi në 1981 nga arratisja apo rrëmbimi i parë, por pa trupin.




Kishte ndodhur që edhe kur u krijua trupi ishte me material vendor, ndërsa koka me flokët e krehur dhe me dredha flisnin për një stil helen, aq sa linin të mendohej se si edhe ndodhte rëndom aso kohe koka, të ishte ndërtuar në Heladën e asaj periudhe. Studiuesit mendojnë “se ato koka të rralla të stilit të Praksiletit ishin aq shumë të famshme gjatë shekullit IV”. Dea pra, qenka edhe si statujë një fatkeqe e gjymtuar. Trupi më vete humbur pa nam e pa nishan dhe koka në një tjetër vend, në atdhe. Dëshmi për të gjenden edhe në botimin në revistën franceze “Gazette des Beaux-Art”, vëll.V, 1931. Salomon Reinach (1858-1932), arkeologu i shquar francez shprehet për pasuritë arkeologjike në Shqipëri, duke u ndalur me detaje te Dea e Butrintit. “Si u pa e lulëzuar në kohërat greke e romake, Shqipëria, që deri dje shfaqej disi barbare, po na sjell që prej disa kohësh, falë dy misioneve franceze e italiane, prova të një qytetërimi të epërm, që ky vend kishte arritur gjatë lashtësisë. Zbulimi më i rëndësishëm i bërë në Buthroton apo Butrinto, duhet të na ndalë disa çaste”.

Teksa misioni francez, i drejtuar nga Z. Léon Rey po eksploron me sukses Apoloninë, e cila na ka dhënë kohët e fundit një pasqyrë të bukur greke dhe shumë statuja mermeri, zbukurime të një godine të madhe që ende nuk është spastruar plotësisht, misioni italian i drejtuar nga zoti Luigi Ugolini e ka përqendruar veprimtarinë e vet kryesore në Feniki (Finiq) dhe në Butrint. “Ja si shkruan ndër të tjera profesor Neritan Ceka për arkeologun italian, që herë vlerësohet dhe herë puna e tij merret me dyshime. “Ugolini pati shkelur për herë të parë në Butrint gjatë udhëtimit të tij përnjohës të vitit 1924. Siç e përshkruan në librin e vet të parë, ai arriti atje një mbrëmje, duke u ngjitur përpjetë Vivarit me një barkë dhe i pa rrënojat e qytetit të lashtë vetëm duke e qarkuar që nga buza e ujit dhe nga bregu përballë”. “Për më tepër ishte mbrëmje, – shkruan Ugolini, – megjithatë shikoja rrënojat e mureve të kështjellës veneciane dhe turke të veshura në mënyrë poetike me kulpra dhe pranë bregut, mbetje mermeri dhe varre të veshura me pllaka. Kujtoj të kem parë mure të bukura rrethuese në pjesën e lartë të kodrës, ndërtuar me blloqe të rregullt kuadratikë. Në anën juglindore të mureve ka një portë të hyrjes për në qytet me thellësi rreth 8 metra dhe gjerësi rreth 2 metra. Besoj se nuk do të jetë e vështirë të identifikohen këto rrënoja me qytetin antik Buthrotum…”. Ishte pothuaj një mirazh, që i shfaqej arkeologut 29-vjeçar me forcën e magjisë që pati tërhequr Schliemannin drejt Trojës apo Evansin drejt Knosit, e mbyll dedikimin e tij profesor Ceka i riu. Kjo është Dea dhe historia e saj.                                                * * *

Prej pesë vitesh, falë një ideje të mençur dhe kurajoze të kineastit Edmond Topi mori udhë festivali ndërkombëtar i filmit me titull “Dea Open Air International Film Festival”, që do të lexohej: “Festivali ndërkombëtar i filmit ‘Dea’, në qiell të hapur”. Jam dëshmitar okular i të gjitha edicioneve. Një punë serioze në selektimin e filmave konkurrues të të gjitha zhanreve, me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe eksperimental. Juri serioze me përbërje tejet elitare të personaliteteve të huaja dhe vendëse. Një bashkëpunim model me Kosovën si me Ministrinë e Kulturës atje, po ashtu edhe me “RTV 21” si partner mediatik. Filma të prodhimeve të viteve të fundit dhe që kanë pasur gjeografi territoriale ngjarjesh dhe historish, ndodhish dhe përjetimesh në të gjithë Europën, përfshi Rusinë dhe Izraelin, si dhe gjeografi emocionale mjaft të goditur. Në respekt të Deas së imazhit kanë qenë prezentë krijuesit, si regjisorë, skenaristë, aktorë, producentë, njerëz të medias etj. Kjo prurje dhe prani sa njerëzore po aq edhe artistike është shpirti kulturor i festivalit. Shkolla të ndryshme të kinematografisë, modele që joshin me gjithçka realizojnë, eksperienca pune, ide dhe debate rreth tyre, teknika xhirimi, kultura e kamerës, montazhi dhe ritmi, financimet dhe sigurimi i buxheteve, loja aktoriale, koha e realizmit, puna në pasprodhim, vlerësimi i publikut, gjykimet e kritikës, pasqyrimet në media, ecuria e filmave nëpër festival, çmimet, pengjet e autorëve, sakrificat e tyre, pasionet e hapura dhe të fshehura, kënaqësitë dhimbjet dhe lotët.

Të gjitha bashkë në një javë festival në qytetin e Sarandës, së paku në segmentin kohor 2013-2018. Dhe janë vetëm dy njerëz, kineasti Edi Topi dhe profesoresha e komunikimit, Mirela Oktrova Topi. Zoti Topi me pasionin dhe vrullin, zonja Topi me vetëpërmbajtjen dhe qetësinë. Të dy bashkë me përkushtimin dhe kulturën tipike europiane enkas gjermanike e linden dhe e zhvilluan këtë festival. Po Dea e antikitetit si flet me gjuhën e imazhit? Kjo është brenga ime. Shfaqja e filmit në kinema ‘Limani’ në mes të detit krijon emocione, por gjykoj se nëse festivali do të zhvillohej brenda në qytetin antik të Butrintit, gjithçka do ishte krejt ndryshe. Të gjithë ata që i bashkohen këtij festivali do të mësonin më shumë për Dean, Butrintin dhe për antikitetin e popullit tonë si dhe për kontributet, lidhjet dhe dhënie-marrjet në rrjedhat historike. Mbase ndokush mund të xhironte një film me metrazh të gjatë për ikjen e Deas me trup dhe me kokë dhe kthimin e saj vetëm si kokë. Le të shpresojmë! Nga data 2 deri në 8 shtator 2018 në Sarandë në kinema ‘Limani’ u zhvillua festivali ndërkombëtar i filmit me emrin e bukur Dea, edicioni i pestë. Vinte nata dhe në mes të detit ne mblidhemi shqiptar dhe të huaj, kineastë dhe të dashuruar pas magjisë së ekranit të madh, artistë karriere dhe të rinj me ëndrra për artin e imazhit. Nata e parë hapëse na rezervoi një befasi.

Jashtë konkurrimit pamë filmin e ri shqiptar “Yjet e së ardhmes”, një krijim i Edmond Topit. Me lojën e Tinka Kurtit, Margarita Xhepës dhe Reshat Arbanës dhe me një grup aktorësh të rinj, brenda një metafore shumë të bukur, zbulohet rigjetja e ëndrrës së ndaluar dhe realizimi i saj si një sfidë edhe ndaj kotësisë së ditëve tona, përballë një brezi të ri që nuk di si të sillet me lirinë e vet. Natën e dytë festivali u hap me një film gjerman konkurrues, titulluar “Temperament” prodhim i vitit 2018, i regjisorit Steffen Hacker, i pranishëm në festival bashkë me aktoren protagoniste. Filmi evokonte përmes kujtimeve dhe përjetimeve dy kohë. Jeta e dy vajzave të vogla që rriten në jetimore dhe deformimet mendore e shpirtërore për shkak të keqtrajtimeve i ndjekin ato në jetë kur janë rritur. Udhëtohet në tri dimensione, atë real, atë kujtimor dhe atë imagjinativ. Me një motivim të brendshëm sipas motos “beso te vetja dhe mos u dorëzo”, ngjarjet e filmit vrapojnë. Dyzimi njerëzor jepet herë si dobësi, herë si gjetje e fuqisë. Dinjiteti njerëzor është penduli i historisë së individit. Po qe se sëmuret dinjiteti apo ai nëpërkëmbet, jeta juaj është një luftë për rikthimin e tij. Loja e aktores kryesore ishte tejet impresionuese. Dyzimi si luftë brenda vetes për të mos braktisur dinjitetin dhe rreziku që vjen nga trajtimi që mund të të bëjnë, duke të trajtuar si një objekt i detyruar që ta gjejë sjelljen e vet te kurimi dhe tek urdhri institucional. Gjithçka shpërfaqej me skena tejet dramatike. Kamera dhe efektet gjithashtu tronditnin. Mua personalisht më la përshtypje dimensionimi me kahe nga thellësitë e nënvetëdijes njerëzore deri në kupën qiellore të katedrales. Dhuna reale nuk është asgjë përpara asaj të fshehurës që e shtrembëron udhën e jetës, duke e shfrytëzuar pafuqinë fëmijërore të jetimëve. Sa orfany ka sot në botë dhe ku e shpie ajo njerëzimin e nesërm? Kjo ishte pyetja që iu drejtova pas shfaqjes regjisorit dhe aktores. E nëse shton edhe dhunimin dhe depersonalizmin, kriza e identitetit thellohet edhe më. Natën e dytë të konkurrimit u shfaq një film spanjoll me titulli “Deti i zbrazët dhe shterp”.

Një ngjarje e thjeshtë në pamje, madje e kursyer si ambiente, si hapsëirë dhe si realitete. Një fshat i izoluar, ku një djalë i ri ishte boshti i jetës. Rreth tij lëvizin ngjarjet, fatet, ëndrrat, imagjinata dhe pasionet e verbëta. Gjyshi që e ka orientimin ende në të shkuarën, e cila i ka mbetur peng. Nipi i lexonte historinë e Spanjës, që për plakun kishte mbetur te koha e diktatorit Franko. I pëlqente të dëgjonte se si mashtrimi mbi mrekullinë e regjimit përfundoi për fshatarët me humbjen e tokës. Ishte prezente nëna e djaloshit, që me kujdesin e tij mbante kafenenë e fshatit. Ishte e dashura që thurte ëndrra për një botë ndryshe dhe për ikjen një ditë prej andej. Ishte edhe kushërira e tij që mbaronte të bënte seks me të. Filmi nis me momentin që djali ishte larguar një ditë dhe mendohej i humbur ai dhe bashkë më të, e humbur mendohej tashmë dhe jeta atje; aq sa gjyshi vendosi të ikte fare nga kjo botë. Ishte thyer besimi. Si mundej djali ta bënte një gjë të tillë? Në fakt, ai kthehet por askush nuk e beson. E përbuzin. E nëmin. Më në fund dyshojnë se ai nuk është ai që ishte, është dikush tjetër që do t’i ngjajë atij. Mentaliteti i mbyllur, përbuzje dhe një ritual që nuk të lejon të jesh vetja. I mospranuar, ai duhet të largohet, është djali plangprishës që është bërë i huaj për ta. Ai kthehet sërish në fshat, por si i huaji që i ngjan rastësisht edhe djalit. Tani e mirëpresin. I huaji nuk ka detyrim që t’i nënshtrohet mënyrës së tyre të jetesës, e meqë i ngjan fizikisht djalit, të gjithë e pranojnë dhe e duan. Ngjarja është një dramë personaliteti në dilemën a mund të jem vetja nga vetja, apo unë jam ai që më lë të jem mentaliteti dhe të tjerët. Në fund të shfaqjes një bisedë e ngrohtë me bashkëregjisorin dhe me aktorin kryesor. Çdo natë në orën 20 na priste surpriza e re në “Dea film festifal”. Pas shfaqjes e shihja se sa e përkushtuar ishte juria.

Ata mblidheshin së bashku me një seriozitet e preokupim prej profesionistësh. Personalisht e di se çfarë do të thotë kjo detyrë. Para dy vitesh kam qenë vetë anëtarë i kësaj jurie. Konkurrimi tretë ishte filmi portugez titulluar “Një jetë sublime” me regjisor Luis Diogo, i cili ishte i pranishëm në shfaqje dhe shumë aktiv në debatin që u zhvillua pas prezantimit. Luis Diogo është profesor i arteve dhe ky ishte filmi i tij i dytë. Të bënte përshtypje entuziazmi tij racional, por edhe emotiv që lundronte në kufijtë e një ekuilibri mes buzëqeshjes dhe seriozitetit. Mbi të gjitha spikaste sakrifica e tij për artin, pasioni për të xhiruar filma. “Të parin e bëra me kursimet e mia të mbledhura nga paga si mësimdhënës – u shpreh ai – dhe më tej me ato çka fitova nga filmi i parë, i shpenzova për të dytin, i cili për hir të së vërtetës është ndërtuar me një buxhet shumë, shumë të vogël”. “Jetë sublime” çfarë përcjellë përmes imazhit? Filmi ka në qendër idenë se a e dimë ne se pasuria më e madhe që kemi është jeta? Si sillemi ne me të? A i shfrytëzojmë bujarisht të gjitha mundësitë që na jepen? Çështja është e vrasim ne dëshirën e jetës me përditshmërinë duke e bërë atë të mërzitshme, apo mërzitja e shndërron ditën e jetës dhe jetën ditë pas dite në një udhëtim ku asgjë nuk na shpie te gëzimi, ose më keq akoma, për të mos e parë kuptimin e saj tek gjithçka që ka të bëjë me jetën personale familjare dhe atë relacionale?! Vdekja është atje për këdo si fund i jetës, vetëm një çast dhe ti mbaron. Vdekja është kërcënueshëm pranë njeriut me sëmundjen e pashërueshme të kancerit. Kur dikush është në kushtet e saj, e kupton se çfarë po humb, jetën, pasurinë më të madhe.

Luis Diogo falë personazhit kryesor, një mjeku onkolog, ndërton një histori ndryshe. Të shpiesh të dëshpëruarit ose kancerogjenët socialë, siç edhe i quan ai, në pragun e dyshimit të sajuar se ata janë me kancer dhe t’i futesh ata në dilemën jetë-vdekje, vetëm me qëllimin për të kuptuar se sa dhe pse duhet jeta dhe përse ajo duhet parë e jetuar me sublimitet. Eksperimenti është tejet i vështirë, aq sa jashtë klinikës, në kushtet e një ilegaliteti ka edhe raste të dhunimeve duke iu bërë eksperimentin e marrjes së atyre shqisave që ata nuk i përdornin. Një duel egoizmash mes atyre që kanë lënë një pjesë të mundësive të jetës komunitare për egon e tyre dhe atij mjekut, që egon e tij profesionale e tejkalon deri në veprime, që me gjithë qëllimin e mirë, kanë si mjete dhunimin individual të pacienteve. Përballë vdekjes së sigurt si shpagim, ka rëndësi për Diogon që jeta të jetohet pa u sjellë keq apo indiferent me të. Gëzimi duhet të mos neglizhohet, qoftë ai edhe i vogël, si përditshmëria jonë individuale, familjare e komunitare. Lojë e bukur, ritëm, ulje-ngritje të forta dhe ndjeshmëri që evidentohej nga kamera tejet profesionale e planeve të shkurtra. Në festival pamë një film rus titulluar “Reflektimi i Humbur”.

E pranishme, regjisorja Elena Zhigaeva. Prezantimin e saj më ra shansi ta bëja unë si përfaqësues i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, i cili prej disa vitesh mbështet “Dea Open Air International Film Festival”. Një kënaqësi e veçantë të jesh në skenë krah artistit që pret me shumë emocion se si do pritet puna e tij. Helena e quajti filmin e saj një nga fëmijët e vet më të dashur, mes filmave të realizuar. Tek fliste për filmin, ajo u përlot. Në qendër janë vajzat e periferisë, që të mbytura nga izolimi dhe jeta gati-gati pa motive ëndërrojnë qytete e mëdha, ritmin atje, mundësitë dhe fatin ndryshe. Historitë janë po ato që njihen, ardhja atje mes dëshirës dhe pengjeve prindërore dhe më tej çfarë ndodh?! Fati fillon nga rruga, nga trupi i tyre, nga përdorimi dhe shpërdorimi. Jetët paralele të dashnorëve dhe zhbërja e tyre si femra, si personalitete. Kontrastet e thekshme ngjyrimesh. Në fillim luksi, orgjitë, pija, orgazmat e më tej trajtimi jashtë çdo lloj norme njerëzore, katandisur vetëm si objekt epshi. “E kuptoj – thotë mes rënkimeve një pasmesnatë femra e përdorur – duhet jam gati sa here ti më kërkon”. Trenat e jetës shkojnë e vijnë nga provincat në metropol, ata sjellin ëndrra dhe rikthejnë viktima. Askush nuk i vë re, ose më keq i sheh, por i pranon si pjesë e modernitetit të tregut. Ndërkohë, kishat e vjetra të altarëve janë të shembura, ato s’kanë më vlerë, sepse tani kemi qendrat tregtare të luksit, kemi klinikat kirurgjikale të estetikës për të krijuar trupa pa ndjeshmëri.

Njerëz që lindin e vdesin në zonat e largëta e shohin dritën e diellit pa syze të errëta, ndërsa të transformuarat, të lyera dhe të zhgërryerat; vajzat e atyre nënave, janë jermi dhe lotët e një realiteti që po vret çdo ditë. “Gjithçka mbaroi”, – thotë protagonistja, që kur kthehet nga gjithë ajo përvojë zhgënjimi, gjen vetëm barërat e egra mbi varrin e nënës së saj… e cila e kishte lutur: ‘Mos ik!”. Jeta, si sillemi me të? Nuk e dimë, mbase jemi gatuar si qenie që duhet të gabojmë për të kuptuar cilët jemi, pse jemi të tillë dhe sa fatkeq bëhemi me dëshirën dhe pasionet tona, që shpesh rrëmbehen të vrapojnë drejt së panjohurës dhe ajo që na pret me lule dhe me thonj. Një film që na tronditi kur mendojmë se realitete të tilla kemi edhe në Shqipëri. Festivali dhe konkurrimi u mbyll me filmin zvicerano-gjerman titulluar “Fillo jetën tënde”, i regjisorëve Stefan Hillebrand dhe Oliver Paulus, xhiruar pa skenar. Një goditje më vete kjo risi. Sërish në qendër jeta e njeriut të zakonshëm. A është ajo një shaka, një shumë shakash, apo një sforco për të duruar si në inkubacion talljet e eprorëve? Mundet që në sensin e humorit, por edhe nën rrethanat e tragjizmit aksidental të gjejmë pak kohë, ndoshta edhe vetëm një çast, që ta rinisim jetën tonë me më shumë dashuri dhe dinjitet. Një ditë është mirë të thuash: Mjaft…! Ju nuk mund të silleni me shaka me jetën time! Unë po iki, sepse kam vetëm një jetë dhe nuk jam i/e vjetër kurrë për një fillim të ri, krejt ndryshe, me gjithçka të thjeshtë që e bën atë të gëzuar. Të gjithë mund të zhgënjehemi, por ka mundësi që përtej tij ta shohim jetën si një mundësi të dytë, të thjesht, por ama tonën.

*                *                *

Dea e sivjetshme e filmit kishte në qendër këtë temë. Njeriu në jetën e tij, sa merr dhe jep për të qenë vetja dhe sa përpiqet dhe nuk mbetet gjunjëzuar, me qëllim që mos e humbasë dinjitetin e tij njerëzor. Nata gala e ndarjes së çmimeve, sërish buzë detit. Seriozitet, kompetencë profesionale dhe pakëz trishtim për mbylljen e tij. Dea e imazhit, një tjetër arritje e kulturës sonë. Me sa duket, perënditë dhe antikiteti në mënyrë embrionale kishin brenda tyre gjithçka. Kam para syve ekranin me logon e festivalit, ku “koka e DEA-s” rrotullohet si për të dalë nga bobishka e filmit dhe për të shpërfaqur magjinë e tij. Dea që flet gjuhën e imazhit… dhe ne presim edicioni e ardhshëm…! Presim…!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.