KULTURË

Emilios Solomou Urrejtja, gjysma e hakmarrjes

15:00 - 14.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arlinda Rrushi  – Mes gjithë këtyre librave që të ofron sot tregu, letërsi shqipe apo të huaj, libra publicistikë, historikë, reportazhe, best-seller etj., është e vështirë të përzgjedhësh dhe të zgjedhësh një libër që mban aromën dhe vlerën e vërtetë të një letërsie të mirë, që ti e ndien, ndoshta, ndër rreshtat e parë teksa nis ta lexosh dhe të prezantohesh me të. E, kështu, pa dashur mund të të qëllojë të nisësh një libër të mirë ose jo, kjo varet nga kërkesat dhe pritshmëritë e gjithsecilit në atë çka kërkon dhe gjen. Jo rastësisht, këto ditë më ra në dorë romani “Urrejtja, gjysma hakmarrjes” (botuar dhe dalë në qarkullim nga Botimet ‘Toena’), të shkrimtarit qipriot Emilios Solomou dhe ardhur përsosmërisht në shqip nga përkthyesi Kristo Pulla, ku para dy vitesh, solli romanin tjetër të autorit, “Ditari i një pabesie” nderuar me “Çmimin Europian për Letërsinë 2013”. “Urrejtja, gjysma hakmarrjes” është rezultat i një pune të madhe të autorit, që duket i shqetësuar për fatin e vendit dhe njeh mjaft mirë të kaluarën, shkaqet dhe pasojat e historisë, duke ndërthurur fantazinë me të vërtetën dhe të shkuarën. Një roman me një strukturë origjinale dhe karakteristike, i ndarë në seksione të vogla dhe të veçanta, në mënyrë që lexuesi të mund të kuptojë narracionin në kohë dhe hapësirë, pa ngatërruar ngjarjet, pasi secili kapitull ka numërtimin e vet shënuar me shkronja të mëdha. Me germën A kemi Aleksin, narratorin, me B, Serjidhin, historianin, me C Apostollu, policin major, dhe me D Masakrën në Dhilesi, si dhe rastet e vetëvrasjeve në vend për shkak të Memorandumit.




Është një roman edhe policor, në dukje të parë, por që mban peshën më të madhe të një romani thriller historik, që endet mes të shkuarës dhe të tashmes, midis hakmarrjes dhe detyrës, midis dashurisë dhe urrejtjes. Në një panoramë të përgjithshme, autori rreket të na japë nga fillimi në fund një histori moderne me detektivë në zbardhjen e vrasjes, duke bërë një paralelizëm midis dy ngjarjeve të rëndësishme që kanë tronditur Greqinë në një kohë të largët dhe të afërt, atë të datës 21 prilli 2013, kur u vranë dhe iu prenë kokat në mënyrë të tmerrshme dy anëtarëve të Trojkës në një hotel qendror të Athinës (ngjarje e trilluar), që sipas kalendarit Gregorian, kjo datë përputhej me datën e Masakrës së Dhilesit para 143 vjetësh, domethënë më 21 prill të vitit 1870, të Enjten e Madhe. Kjo ngjarje mori shkas kur vëllezërit Arvanitaki, një nga bandat më famëkeqe të shekullit XIX, të kryesuara dhe drejtuara nga kryebanditi Tako Arvanitaki, përbëhej nga 21 persona, të armatosur deri në dhëmbë dhe që ndiqeshin nga ligji për disa vrasje dhe vjedhje, morën peng lord Mankasterin e Britanisë, Frederik Vainerin si dhe një grup turistësh anglezë, teksa ishin duke vizuar qytetin e Marathonës në Greqi. Kjo ngjarje e rëndë, sipas historisë, për pak sa nuk shkaktoi luftë. Kriza u shmang vetëm pasi Greqia ndërmori një fushatë në shtypjen e bandave që vepronin në territorin e saj.

Duke mbështetur idenë se kjo që ndodhi me anëtarët e Trojkës ishte bërë qëllimisht, dhe në favor të kësaj hipoteze flisnin disa të dhëna të pakundërshtueshme që i referoheshin mbajtjes peng dhe masakrimit të lordëve nga banditët – si dhe prerja e kokave të dy anëtarëve të Trojkës, që sipas Serjidhit, pedagogut të njohur të historisë, që kishte aftësinë dhe maninë të merrej me çështje që devijonin nga historia zyrtare, çështje relativisht heretike, ashtu siç i quante vetë, të guximshme, që qëndronin mbi një litar të tendosur, midis ngjarjeve reale dhe hamendësimeve të pacaktuara, logjikisht, ishte një praktikë e zakonshme që zbatonin banditët dhe njësitë e ndjekjes. Në rastin konkret, pas masakrës mbi lordët në Dhilesi, më 1870, xhandarët ua prenë kokat banditëve dhe i ekspozuan në Pedhio tou Areos. Pastaj, pas gjyqit, banditëve të arrestuar, ua prenë kokat në publik, në po të njëjtin vend ku ishin ekspozuar më parë kokat e të tjerëve, me gijotinën e vjetër të kohës së mbretit Oton. Po ashtu, edhe vrasësit e anëtarëve të ekipit të Trojkës, i vendosën kokat e tyre në një vend të dukshëm, si të ishin trofe fitoreje. Referimi te rregulli i parë, ishte ligji i parë i banditëve: Të përndiqnin dhe të zhdukin të gjithë ata që i përndiqnin. Në këtë rast nuk bëhej fjalë për hakmarrje personale. Natyrisht që anëtarët e ekipit të Trojkës nuk përndiqnin asnjë person apo persona konkretë, por i përndiqnin të gjithë pa dallim, gjithë popullin.

Por, mes këtyre dy ngjarjeve, të ndodhura në kohë të ndryshme, ajo që trondit më shumë opinionin vendas është të dijë të vërtetën se kush ishin këta përfaqësues të Trojkës që vinin në Greqi herë pas here? Prej nga ishin? Kush ishin historitë e tyre personale? Si mund të arrihej një ekzekutim i shpejtë i planit të ekzekutimit të tyre? Si pritet koka e njeriut? Po pastaj, si mund të fshehësh gjurmët? Sipas logjikës, ai që duhet të ketë kryer një krim të tillë ndaj të dërguarve të Trojkës, sigurisht që duhet të ketë pasur një motiv shumë të fortë. Edhe pse gjetja e autorit, nganjëherë, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë, arsyeja vetvetiu të çon te dikush që duhet të ketë qenë tejet i zhgënjyer nga gjithçka po ndodhte në Greqi dhe gjithandej, si papunësia, uria, taksat, vetëvrasjet, kriminaliteti, të pastrehët, ultimatumet e fuqive të huaja, europianët, liderët partiakë dhe korrupsioni, ofendimet kundër grekëve, kundër popullit të thjeshtë, qethja e depozitave, pa shkak dhe në mënyrë provokuese, duke përhapur një mori gënjeshtrash mbi pará të pista që qarkullonin nëpër banka etj., sigurisht që do të dilte një prej të vuajturve që t’u priste kokat… U duhej dhënë një mësim. Një formë paralajmërimi. Dikush do të dilte, nuk mund të ndodhte ndryshe. E kjo ndodhi, pikërisht në kohën dhe vendin e duhur, duke nxjerrë në shesh korrupsionin e thellë të sistemit politik dhe lidhjet e tij me fenomenin e banditizmit. Në të njëjtën kohë, do të zbulohen patogjenezat e shtetit grek që nga krijimi i tij, interesat ekonomike që vepronin në prapaskenë, por edhe ndërhyrjen e hapur të fuqive të huaja në Greqi.

Ky roman, i shkruar në një mënyrë jashtëzakonisht të zellshme mbart jo vetëm një vlerë të merituar letrare, por zbulon mjaft mirë aftësitë narrative të autorit. Me një sy kritik ndaj ngjarjeve që shënuan themelimin e shtetit grek e deri më sot, autori përcakton vendimet dhe rebelimet e një shoqërie, duke e paraqitur urrejtjen si gjysmë hakmarrje, ku pjesa tjetër është akti. Urrejtja, sipas Solomout, është ajo që armatos dorën e vrasësit, ajo urrejtje e verbër dhe e pakufishme që zhvleftëson çdo arsye. Duke u radhitur ndër librat që do vëmendje në lexim, do të mund të mbyllni këto faqe me një kënaqësi dhe katarsis shpirtëror në çdo rresht, pasi fundi është krejt i papritur…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.