OPINION

“Litari” që la jashtë, ambasadori Lu!

14:34 - 14.09.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu, ka bërë gjestin më cinik të mundshëm të karrierës së tij në Shqipëri, duke filluar përshëndetjet e lamtumirës me Sali Berishën dhe Presidentin Meta, për të cilët ai ka qenë armiku më i rëndësishëm politik i së paku tri viteve të fundit.




Të dy palët e dinë këtë. Me fillimin e përpjekjeve për nisjen e Reformës në Drejtësi në vitin 2015 dhe më pas me ndërhyrjet e tij gjatë procesit dhe “gjyqet popullore” ndaj kundërshtarëve të Reformës, ai u bë “delja e zezë” e kundërshtarëve të saj dhe njeriu më popullor në vend që mbante gjallë shpresën tek reforma.

Kulmi i konfliktit mes tyre ishte Qershori i vitit 2016 pak më shumë se një muaj para miratimit të saj, kur Berisha publikisht dhe Meta në tryezë, kundërshtuan fort rolin e ndërkombëtareve në procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe sidomos kompetencën që ata t’ju referoheshin burimeve të shërbimeve inteligjencës, pa u ballafaquar me faktet.

Tensioni arriti kulmin dhe Ilir Meta thuajse ndërpreu kontaktet zyrtare me ambasadorin Lu, duke shpresuar ta zhvendosë luftën me lobistë në Uashington, ndërsa Berisha e tha hapur, se ishte kundër rolit të ndërkombëtareve në këtë proces.

Prej atij momenti e në vazhdim, Donald Lu ka qenë në qendër të sulmeve publike dhe zyrtare prej tyre, pikërisht si njeriu që la litarin jashtë në këtë proces, për ata që i druhen humbjes së kontrollit mbi drejtësinë në Shqipëri. Ndaj tij janë shkruar letra në Uashington, janë paguar artikuj në gazeta periferike të tipit “Uashington Times”, ku botohen shkrime me pagesë dhe është përpjekur të forcohet ideja se ardhja e presidentit Trump, do t’i japë fund ambasadorëve të tipit Donald Lu.

Tri vjet më pas duket se ka një bilanc tjetër. Ambasadori Lu është emëruar me një procedurë preferenciale prej Presidentit të ri në një vend tjetër në të njëjtën detyrë dhe në vend të tij në Tiranë, vjen një zyrtare veterane e administratës amerikane, me shumë përvojë në njohjen e politikës ruse ndërkohë që stafi I ripërtërirë i ambasadës amerikane në Tiranë, është përgjithësisht i përbërë nga të rinj 30 vjeçarë, aq vite sa Berisha ka që merret me politikë.

Beteja kundër Donald Lu duket zhgënjyese. Ai do të mbahet mend si diplomati që me fuqinë e ndikimit në publik, arriti të fusë mekanizmin e kontrollit ndërkombëtar në drejtësinë shqiptare, çka është në të vërtetë e vetmja gjë që shqetëson këdo që do të ketë ndikimin e vet në drejtësinë shqiptare. Askush nuk do të shqetësohej nga një drejtësi që kontrollohej nga Rama, Berisha apo Meta, pasi do të ishte një kontroll me rrotacion. Litari që la pas në drejtësinë shqiptare Donald Lu me reformën në drejtësi, është pikërisht kontrolli Perëndimor mbi të dhe kjo do të ketë  ndikim afatgjatë në Shqipëri. Është kjo arsyeja që dhe kur flitet për Vettingun e politikanëve, i vetmi kundërshtim i qartë i opozitës është, të mos kenë gisht të huajt. Dhe të gjithë këtu kanë parasysh atë që Donald Lu, bëri me reformën në drejtësi ku mekanizmin kyç, ua la në dorë Perëndimorëve.

Dhe tani ndërsa ndahet me Sali Berishën dhe Ilir Metën nuk jam i sigurt, nëse ai kërkon t’ua zbusë zemërimin për atë që  ka bërë me reformën, apo t’u kujtojë se në atë betjë nuk kishte asgjë personale. Dhe ata kanë shumë nevojë, ta dëgjojnë  sidomos këtë të fundit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.