Rreth e rrotull

Serat, rreziku i helmimit të Shqiptarëve

16:06 - 14.09.18 Raimonda Shundi Dervishi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Teksa më duhet të bëj pazaret ditore, natyrshëm sytë kërkojnë ata, fshatarët. Produkti i preferuar për t’u blerë e konsumuar për të gjithë ne banuesit e qytetit, është çështje klientele. Ne, klientët, zgjedhim format tona personale të të bërit pazar.




Intuitivisht shkojmë kuturu ku na rrëmben lumi ynë i informacionit. Edhe sot Ademin, Perëndia e bekoi me një ditë tjetër jete, për të shijuar fitimet e djersës së tij. U kënaqa teksa pashë koshat pjesërisht bosh, ndërsa shitësi tjetër nuk e fshihte zilinë e konkurrencës.

Ja që eksperienca paska vlerë të padiskutueshme, megjithëse fshatari ynë simpatik nuk ua ka nevojën godinave të xhamta zhurmë-shumta që të shesë produktet e tij të kërkuara. I mjafton shëndeti i mirë dhe gomari personal për të arritur objektivin e ditës.

84-vjeçari nga Turjani, Adem Qordja, jeton me gruan dhe djalin e tij varrmihës në varrezat e Tufinës. Ka më shumë se 60 vjet që bën të njëjtin ritual: zgjohet, sistemon kafshën e tij e cila e ndihmon për të ngarkuar zarzavatet apo frutat e stinës, sistemon sendet që i duhen për pazaret e ditës (kanarin, torbat, ushqimin) dhe udhëton për plot 6 orë çdo ditë nga Turjani (fshat pranë Tufinës), deri në rrugicëzat e lagjes se Varrit të Bamit, Kinostudios.. e zonave përreth saj.

Gomari i tij besnik nuk i ndahet për rreth 3 vjet, qysh në momentin kur i bukuri mbushi 5 vjeç dhe samari iu vendos për të parën herë mbi shpinë. Të dy, Ademi 84 dhe shoqëruesi i tij 8, mbajnë në shpinë jo vetëm produktet e shitjes ditore, por edhe sendet personale si mushamanë mbrojtëse nga shiu në rastet kur koha zymtësohet, apo veshje më të trasha.

”Gomarin e përdorin të tërë, por askush nuk ia di vlerën”- thotë Ademi, e teksa ne flasim, ai herë-pas-here qetëson kafshën me duart e lodhura. Kur nis zbritja për në shtëpi dhe pasi koshat i janë zbrazur nga shitja ditore, Ademi ka edhe lluksin të qetësohet në kurrizin e shoqëruesit të tij.

Ishte hera e dytë që e hasa në punë e sipër rreth bllokut të pallateve të asaj zone. Herën e parë e pikasa në rrugën e re që quhet “rruga-ura” në Kinostudio. Më tërhoqën vëmendjen koshat e hasur rrallë si dhe mosha e fshatarit. Ndërsa dje e pashë në zonën e re të pallateve tek televizioni ”Klan” e ”Ora News”. Kishte ende rrush dhe kastravecë në koshat e tij. Dikush ia bleu të gjithë specat.” Kam më shumë se 20 vjet që e njoh Ademin”, thotë një klient i cili këshilloi gruan t’ia merrte të gjitha specat, nisur nga respekti i produktit e punës se ndershme dhe sakrificës së tij.

“Sot ndjehem jo fort mirë,” – më thotë Ademi. Teksa po flisnim për produktet e tij dhe formën se si ai i kujdesohej, del edhe tema e nxehtë e modifikimit të produkteve ushqimore. E pyes se përse këtë vit domatet nuk u dukën në treg. Ai me kokën poshtë duke peshuar kastravecat e klientit, më përgjigjet se kjo është hakmarrje ndaj pisllëqeve që i bëhen tokës. “Damotes i ra sëmundja në të gjithë zonën, ndaj shihet rrallë”. E ripyes se si është domatja që ne blejmë në treg? Ai më përgjigjet se ”serat janë vendi ku prishet domatja, trangulli, shalqiu, bastoni”.

“Serat pra, vendi më publik dhe mundësisht i verifikueshëm sipas Ademit dhe tregtarëve si puna e tij, qenkan laboratorët e së keqes”. Por a i kemi ne mekanizmat që serat apo ndërmarrjet private të munden të jenë sa më të kontrolluara e rrjedhimisht shumë herë me të shitshëm për qytetarët vendas?

Këtë privilegj të hequr të Tiranës na e kujton ky Turjanas i çmuar, Adem Qordja. Ademi me dashamirësi më këshilloi të mos i marrë domatet e tregut, pasi janë me hile. Në darkë e gjelbër, por mëngjesi e zgjon të kuqe si ngjyra që tërbon demin.

Ademi thotë: “E ku i bje menja qeverisë se carë hekë unë. Katuni jonë pra ka pak rob ene sja vle me grumbullu ato që bo toka. Menja jonë nuk puqet kollaj, ene ky oshtë hall i modh. Katunarët, tu me mos pas si me jetu në katun, i ran për shkurt ene ikën n-qytet. Kalamojt nuk konë i makinë më shku m’shkollë, lene masanej me i von men mështjelljes të gjonave që bo katuni jonë. E merni me men që kalamojtë e shkollës vijnë nshkomë pri Tujani në Tufinë në komë??

“E sheh kët trongllin që shes unë? Nuk o i pashëm, po amo osht pa hile, me e fut ngojë tknoq, me shti nbark të bo lazëm (të bën mirë). Ja kena bo yzmetin goce. Unë them qi katunari nuk bo hile. Serat po, ato i bojnë hilet. Shalqi, baston, damate, trongull. Ke serat damotja o jeshile ndark, ene me i selfat nmjes gdhi e kuqe. Ne katunarët e nershëm jena tu mor fun. Na myten sulfatet! Ene jena hala n’fillim. Unë shfrytëzoj mollën time për vete, ajo që më mbetet nga një cik, nxjerr ndonjë lek për shpinë.”

“Se, edhe tu nejt lodhesh” – thotë ai dhe me mburrje tregon se ka më shumë se 60 vjet që kryen të njejtën rrugë. Klientët besnikë presin ta shohin në lagjet e tyre me koshat dhe kanarin, më të vjetër se vetë ai. Orari është i papërcaktuar në shitjet ditore, pasi varet nga shëndeti i ditës.

“AKU”, që do të thotë “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”, është hallka e vetme përgjegjëse për produktet që ne konsumojmë. Ndaj nuk mund të jemi vete ne ata që kontrollojmë ushqimet tona, pavarësisht këshillës publike që ky institucion e bën vazhdimisht (duke ia hequr barrën vetes). Shkeljet e konstatuara janë jo-ekzistuese në raport më skandalet e helmimeve, apo konstatimet që vetë të lënduarit (përfshi këtu edhe kamerat e fshehta) kanë publikuar.

Tregu ynë është i bombarduar me ushqime të hormonuara më shumë se kurrë ndonjëherë, këtë na e pohojnë vetë tregtarët, të cilët presin ditën kur të bëhet domatja e fushës nga Korça këtë fund Shtatori. Por pse jemi kaq të pa mundur tu krijojmë kushte fshatrave në zonat pranë qytetit ku produktet e tyre të kontrollohen e më pas shiten? Pse na mbyti importi dhe eksportojmë produktet tona vetëm tek ata tregtarë që janë të përkëdhelur nga pushtetarët?

Si do të mund të fitohet besimi se prodhimet e shitura janë “pa hile”? Ndaj, lërini Ademat të ushtrojnë me sakrificat e tyre atë që dinë të bëjnë më mirë duke na zbukuruar edhe ne tavolinat tona , e bashkë me to edhe kënaqësinë e produkteve të fshatit. Nuk do doja që ky shkrim të ftonte “gjuajtësit e tyre” për t’i taksuar, apo me keq akoma, zbuar. KUJDES, shpresoj që ky shkrim të ndikoj për të mirën e përbashkët, pra fshatarëve dhe ne klientëve qytetarë.

Unë do të preferoja, që përveç frutave dhe perimeve bio të këtij fshatari të përdorej edhe kanari i tij, me koqen e kanarit, të cilat mund të jenë edhe më të sakta se peshoret elektronike. Se vetë kanari është edhe simboli i drejtësisë, e kjo nuk është një rastësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.