MILOSAO

Një vepër për të vërtetën historike, (“Internimi i Kufomës”- i Marçel Hilës)

13:40 - 16.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rudolf Marku – 1.‘’Internimi i Kufomës,, është vepra e një autori të panjohur për lexuesin e gjerë ( të paktën deri para pak vitesh më parë). I panjohur, në kuptimin e përjashtimit nga aty mekanizmi mediatik që do të na imponojë emra dhe vepra të shënjestruara prej kritikëve a studiuesve a botuesve që duan t’u japin trajtë shijeve tona dhe hierarkisë së vlerave. Emrin e Marçel Hilës e kam ndeshur rastësisht veç një herë të vetme në një shkrim të poetes së talentuar dhe dashamirëse Mimoza Ahmeti, e cila ka dëshmuar dhe më parë se vëmendjen e saj e tërheqin veprat me vlera ende të pakurorëzuara prej kunorave të kritikës a të shtypit të përditshëm.
Vetë autori e quan veprën ‘Roman’. Në të vërtetë, unë do preferoja ta quaja Histori Letrare, ashtu siç e mendojnë postmodernistët trajtimin e Historisë si atë formë të letërsisë, ku shkrimi i bukur letrar përfshihet natyrshëm në legjitimitetin e praktikes historike. Sidomos pas viteve ’70 të Shekullit të kaluar, në Historiografinë serioze filluan të shfaqen ca vepra në të cilat zhargonet e fosilizuara sociale dhe historike u zëvendësuan me shkrimësinë e bukur dhe elegante të narratives. Si shembull i kësaj Historiografie mund të merren veprat e Simon Schama-s në Anglinë e ditëve të sotme : ’’Qytetarë- Një kronikë e Revolucionit Francez,, dhe vepra e Orlando Figes ‘’ Një tragjedi popullore : Revolucioni Rus 1891-1921,,. Që nga botimi i këtyre dy veprave prestigjioze, në Historiografi ,si të thuash, u legjitimua dhe një formë tjetër e shkrimit të historisë : në vend të trajtimit të temave të mëdha tradicionale të historisë, Historianë ë ndryshëm preferojnë të shkruajnë rreth incidenteve personale, njëlloj, të individëve të famshëm dhe individëve aspak të njohur. Si të thuash, tërësia historike tregohet përmes samples, përmes grimcave të vogla, të cilat sillen brenda narratives së gjerë historike… Librat ‘’Kthimi i Martin Guerre,, i Natalie Zemon Davis dhe ‘’Masakra e madhe e maces,, e Robert Darnton na e tregojnë historinë përmes narratives së njerëzve a ngjarjeve të panjohura dhe të errëta, në vend të njerëzve a ngjarjeve të famshëm e të njohur.




Vepra e Marçel Hilës është një vepër që përfshihet në këtë kategori të Historiografisë moderne.

2. Vepra e Marçel Hilës na tregon historinë e vërtetë prekëse të një familjeje shqiptare menjëherë pas instalimit të komunistëve në Pushtet : ditën që i vdes njëri nga të dy djemtë, familja fatkeqe merr urdhrin e internimit. Vila e familjes, që fatalisht ndodhet në atë zonë që do quhej më vonë Bllok, është lakmuar që t’i jepet shefit të sigurimit të Gardës, një vrasësi që aktualisht ende jetonte në Brataj të Labërisë. Fati i familjes që internohet së bashku me kufomën e pavarrosur, ngase dhe djali i vdekur është i përfshirë në listën e internimit, dhe kësisoj nuk ka të drejtë që të varroset në Tiranë, dhe fati i vrasësit profesionist nga Brataj, që i duhet të udhëtojë urgjentisht në Tiranë së bashku me familjen e vet, për të marrë detyrën e re dhe Vilen e re në Tiranë, ndërthuren herë tragjikisht dhe herë në mënyrë groteske, përmes vizatimit me mjeshtëri të karaktereve të shumtë, që nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Muço Mevlanaj dhe, nga ana tjetër, Zoi Xoxa, Eleni, Kostaqi dhe Muzaka, një regjistër ky i mjaftueshëm për të na dhënë tmerrin e Komunizmit shqiptar. Një historiograf skrupuloz do të më kujtonte fjalët e Robert Finlay-t që ‘’historiani nuk duhet t’i bëj njerëzit e së shkuarës që të thonë a të bëjnë gjëra që nuk provohen nga faktet a burimet arkivore”. Në të vërtetë, Kapitulli i Pestë është një dialog mes Diktatorit dhe Koçi Xoxës. Në zyrën e Diktatorit vendoset dhe fati i Zoit, karakterit qendror të librit. Robert Finlay-t mund t’i përgjjigjeshim se portretet dhe dialogët e Diktatorit, përshkrimi me detaje i fatit t ë familjes Xoxa, apo grotesku i Muços, i gruas së tij, Lutfijes, apo i nën ë Zyras, skena kur Lutfija për herë të parë do që t ë blejë nj ë palë këpucë grash në Vlorë, apo ajo mahnitja e përzier me zili, kureshtje te fshehur seksuale dhe me urrejtje, kur Lutfija sheh në sirtarët e shtëpisë për herë të parë në jetën e vet të mbathura grash apo libra (qitape- i quan ajo dhe Muçua) – të gjitha këto janë të ligjshme në të vërtetën e historike, sepse përputhen besnikërisht me çdo gjë që njohim për Diktatorin apo për gruan e fshatrave të Laberisë në ato vende të Shqipërisë së asaj kohe, apo dhe më parë- përshkrime të njëjta na japin dhe burimet e mëparshme për gruan e atyre krahinave ( kam parasysh, p.sh., librin ‘Ditari i një Peisazhisti, të poetit dhe piktorit të njohur anglez Eduard Lear, një shekull më parë, shkruar dhe botuar nga koha kur zhvillohen ngjarjet e librit të Marçel Hilës). Jo vetëm kaq, por mendoj se vlera më e madhe e këtij libri është ajo që të tjerët mund ta mendojnë si pikën e dobët të këtij libri, raporti i librit me të vërtetën historike. Është një libër ku ndjehet tërheqja e parezistueshme e autorit për të vërtetën historike, aq sa duket se autori i qëndron besnik shkrimtarit Octavio Paz që i atribuonte Sollxhenicinit forcën e rrëfimit të së vërtetës, tek thoshte se Në një shekull të mbushur me dëshmi të rreme, një shkrimtar duhet të bëhet dëshmitar i Njeriut !

Një skenë e paharruar e librit është takimi i Muços me Diktatorin. Ka në këtë skenë diçka nga romani ‘’El señor Presidente’, të Asturias a nga ‘’Vjeshta e një Patriarku’’, të Marquez : harmonia e përjetshme e së keqes, tërheqja deri në skllavëri e Mjeshtërit të Madh të torturave dhe vegles së ti; Muço, ky vrasës macho, fjalëpak dhe i heshtur, ka gati –gati një tërheqje homoseksuale drejt Diktatorit. Kur Lutfija këmbëngul duke i thenë të shoqit që ai duhet t’i tregojë asaj çdo gjë nga takimi i tij me Diktatorin, ai përgjigjet duke i thënë, si prej një deliri të thellë, se ‘’ ai është i bukur, moj, i bukur, si melek ( engjëll)- njeriu më i bukur që më kanë zënë sitë…,,. Një skenë që të mbetet në mend për një kohë të gjatë. Por edhe kjo skenë është në harmoni të plotë me të verteten historike, sepse gjithçka është në përputhje me tipologjinë e Diktatorit shqiptar dhe të veglave të tij.
Ky libër që vjen si një hirushe e panjohur, modeste, kokulur, pa pretendime hierarkike, e nxjerr padashje të zbuluar keqas një pjesë të mirë të raportit të historiografisë, dhe , pse jo, dhe të letersisë bashkëkohore shqiptare, me të Vërtetën. Nuk është e rastit që librin e vet Marçel Hila guxon ta mbyll me një shqetësim për të Vërtetën : ‘’Ai vend (Blloku-shënim i artikullshkruesit)…të afron material për një sagë gjigande, interesante, origjinale dhe prekëse. Letersia shqipe i detyron një vëmendje t ë madhe atij skaji. Është e habitshme që letrarët tanë nuk janë kujtuar ende për këtë! Do Zoti dhe zgjohen një ditë!’’

3. Libri i Marçel Hilës na kujton edhe njëherë se Shqipëria është njëri dy vendet e vetme ish-komuniste që nuk e ka arritur atë që psikiatrit e quajnë Closure. De-stalinizimi i Hrushovit në Rusin ë e fundit të viteve 50’ të shekullit të kaluar dhe De-enverizimi i Shqipërisë në fundin e viteve ‘90 dhe në dy dhjetëvjecarët e Shekullit XXI kanë qenë thjesht manovra politike për t’u ngjitur në pushtet me taktiken e manipulimit të shpresave popullore- rezultantet e destalinizmit dhe të de-enverizmit janë konsolidimi i mëtejshëm i pushtetit komunist, ruajtja e strukturave të dikurshme, prurja në pushtetin politik dhe në atë ekonomik i fëmijëve të kastave të udhëheqëse komunist, përdorimi i leksikut të njëjtë dhe i arrogancës së njënjt komuniste nga pushtetarët djeshëm e të e sotëm, falsifikimi i krimeve , falsifikimi i dosjeve, shpifja ndaj kundërshtarëve politikë dhe futja në grindje e ish të përndjekurve dhe e kundërshtarëve të dikurshëm, për ta diskretituar jo vetëm kundërshtarin e sotëm, por dhe atë të djeshmin. Marçel Hila e përfundon librin duke na njoftuar atë që lexuesit e dijnë me kohë, që Kostaq Xoxa, i cili sot është tetëdhjetë e gjashtë vjeç, nuk ka arritur ta marrë me rrugë ligjore ish-shtepinë, pronën e vet të ligjshme, Vilën në Bllok, që u pat bërë shkak për tragjedinë e jetës së tij : ‘’Ata që ikën të përzënë prej asaj shtëpie, nuk e fituan më të drejten mbi të. Ata që hynë, nuk e kanë lëshuar ende,,- kjo është një frazë e ftohtë e hedhur diku nga fundi i librit, një frazë që duket e marrë nga një akt-protokoll noterik. Por që të rrëngjeth me të vërtetën e vet. Është ky realitet që e bën librin e Marçel Hilës një vepër me një vlerë të jashtëzakonshme. Nuk është e rastit që ky libër është i vetë – botuar nga autori. Asnjë Shtëpi Botuese nuk e ka marrë përsipër botimin e këtij libri. Dhe pothuajse asnjë librari nuk ka pranuar të marrë kopjet e këtij libri për t’ia dhënë lexuesit. Duket se armiqësia ndaj së vërtetës historike është e fuqishme dhe e mirë- organizuar në shoqërinë shqiptare..

Vitet e fundit tek ne është folur dhe vazhdohet të flitet si kurrë më parë për Historinë. Dhe është e kuptueshme që, në një vend si ky yni, ku Historia, sidomos Historia e kohërave moderne, është konceptuar si një shkencë e politizuar dhe e ideologjizuar deri në palcë, kryetema të jetë pikërisht ajo që ka munguar dhe mungon: e vërteta historike. Jetojmë në një shoqëri ku, siç do të thoshte Historiani i njohur bashkëkohës anglez, zoti Donald Rayfied, e vërteta e së shkuarës është e kyçur në arkiva të fshehura, dhe këto arkiva përherë e më tepër na bëhen të pa-arritshme. Edhe ato pak gjëra q ë botohen nga Arkivat, ato janë t ë para-seleksionura me kujdes dhe të retushuara, po ashtu siç ndodhte gjatë regjimit komunist, që, tek shihje një fotografi arkivore a një dokument, duhej të mendoje për pjesët që ishin prerë me gërshërë Tekstet shkollore dhe akademike të Historisë, me përjashtime të rralla, i kalojnë në heshtje, ose i artikulojnë me gjysmë zëri, faktet e krimeve të komunizmit. Duket se ‘’Internimi i Kufomës,, është një libër që do t ë ngul këmbë se, derisa historia të jetë treguar deri në fund, dhe derisa komuniteti botëror të ngul këmbë që legjitimiteti i komunizmit të japë llogari të plotë, Shqipëria dhe vendet e ngjashme si ajo, do të mbesin vende shpirtërisht të sëmura, të ndjekura nga fantazmat e Enver Hoxhës dhe të kasapëve të tij, dhe, ç’është më e keqja, të ndjekur nga ankthi i ringjalljeve së këtyre fantazmave.

Dhe libri i Marçel Hilës është nga ato libra të rrallë që idenë e objektivitetit të Historis ë moderne shqiptare e sheh si një Realitet të së kaluares, ku e vërteta duhet të korrespondojë me atë Realitet .


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.