MILOSAO

Rekuiem i gruas prej letre

15:33 - 16.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori shquhet për një poezi me një mendim të gjerë dhe figuracion të pasur, që i shërben idesë së tij. Edhe format që shpërfaq për poezinë e tij e tregojnë me shumë pretendime në artin e vet…




Nga Petraq Risto

Ankimi i Luciferrit
(fragmente)

Ndonjëherë të shohësh brenda vetes si të shohësh pasqyrimin në pusin e errët
Atje poshtë ku drita lëngon nga plagët e viteve
Dhe qielli shkon e vjen si tekat e një gruaje të ndezur.
I etur të shohësh brenda teje, të hedhësh kovën në thellësi
Atje ku uji përzier me pak kurth reje, pret të biesh edhe ti.
Kërcet çikriku, litari me kujtesë varrmihësi bren buzët e pusit
Siç gdhend i burgosuri ditët, javët, vitet, në murin e tij
Bie kova në pus dhe plagët e ujit të lusin: na pi, na pi!…
……………………………
Kam qenë engjëll me flatra blu, jam hije me bërthamë drite
Shpesh zgjohem në sytë e tu, shpesh në gjakun tënd vritem.
Ringjallem, përsëritem… Si drita nga ferri ulëritem…
Në një det squfuri, në vorbull ankimesh: vërtitem.
Zverdhen parabolat e gjithçka është thënë për mua
S’është e vërtetë që me kthetra i kam duart
Me projektorët e brirëve qiejt kam ndriçuar
Kush vdes në muzgun e syve, në gjak ka për të aguar…

Pse tre?… Po sa?…
(Fragment)

Kam një lot ta ndajë në tre pjesë
Pse tre?… Po sa?…
Unë them në pesë
Se loti i njelmët s’kthehet dot në vesë.

Pse pesë? Po sa?…
Unë them në katër
Një lot dhe pse lëng, di zjarrin ta ndezë
Dhe zemrën ta kthejë në vatër…

Pse katër, po sa…
Unë them në dy,
Një zjarr për mua, një zjarr për ty.

Pse dy? Po sa?…
Unë them në gjashtë
Shiko sa sy na presin jashtë
Loti na ndan, loti na bënë bashkë
E magjeps natën, e kthen nusepashkë.

Pse gjashtë? Po sa?!…
Unë them në tre
Gjithnjë brenda lotit fle një rrufe
Dhe kur jemi dy
Gjithnjë ka një tre…

O Zot, brenda lotit zgjove një rrufe!

Pse tre? Po sa?…
Unë them vetëm dy
I treti të tretet si ylli në sy

Rrokulliset loti… bëhet Perëndi…

Pse dy? Po sa?…
Unë them në tetë
Vetëm tetë dallgë mund ta bëjnë një det

Pse tetë po sa?
Unë them tetë mijë
Pret një fshat i tërë
Që dasma të vijë…

Vetëm një pik loti
Ortekun ta shkrijë.

Jo tetëmijë, po sa?!…
Unë them një milion
Një qytet i tërë
Lotin ka ikonë..

Dhe dy dhe tre dhe katër dhe pesë
Dhe gjashtë dhe tetë
Rrokulliset loti e na sjellë tërmet
Tetë dallgë shpirti s’e bëjnë dot një det
Veç një pikëz loti s’e shkrin një ortek
Ah, gisht i unazës kthehet në direk
Velloja e artë: velëzë në breg
Dhe loti në faqe: busull e vërtetë…

Këtu bie shi…

Sa herë ti ikën këtu bie shi
në çatinë e zemrës gjithnjë bie shi
nuk e kthen kokën në sy breron shi
në kopshtin e vogël lulëzon habi
këtu bie shi, bie shi, bie shi…

Një shenjë nga larg: këtu vetëtin
Ca fjalë nga larg – këtu bie shi
Troket në prag, kudo bie shi
Petalelagur çdo lule shpik magji
këtu bie shi, bie shi, bie shi…

Dal në rrugë dhe pse bie shi
hyj në klub ku mungon veç ti
një kitarë shkul gjoksin-dashuri
dikush në saks nxit notat në orgji
jashtë bie shi, bie shi, bie shi…

Hesht në banak, porosis dhe pi
Ca kujtime-flakë më ngrohin gjithsesi
në pistën hënake – vallëzues të rinj…
-Sillna kamarier dy gota me shi
Me të kuqe vere t’i ngjyej tani!…
Jashtë bie shi, bie shi, bie shi…

Rekuiem i gruas prej letre

Kur të jesh vetëm me një grua prej letre mbi tryezë
Një filxhan kafe, një ëhisky dhe një klerik në shërbesë
Kur të jesh vetëm me veten pa fiksime vetvrasjeje
Guxo dhe mbill një mollë me farëzat në formën e lotëve
Dhe ca zogj po prej letre që nuk zgjedhojnë dot foljen “ngasje”
Dhe ca avionë prej letre në intineraret e zemrave-aeroporte.

Në dasmën tënde gjashtë lotë mbolle, gjashtë lotë të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: e gëzofsh, o dhëndërr, nusen që solle!

Bëje gruan prej letre të flasë: nën hijen e mollëve nuk mund të të vrasë
Dhe zogjtë prej letre uli në degën e mollës
Në zemrën tënde (fatkeqësisht prej letre) të zbresin mesazhe në formë avionësh.
Pij kafen, pi whisky (një, dy, tre…) ktheje gjithë shishen të them!
Një det i madh me rreshta dallgësh: vargje në jerm
Lutu me sy nga qielli dhe nga kleriku (mbase prej letre)
Merru me gruan prej letre,
fali një shtrat prej druri (nga do lind një foshnje prej letre)
dhe në fund: arkivoli prej druri në formën e një libri prej letre.

Në vdekjen e saj gjashtë lotë mbolle, gjashtë lotë të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: gjithë varret e ndjenë dhembjen që solle.

Mësuesja e historisë vetvritet…

E gjetën në rrënojat e qytetërimeve të vjetra me lulëkuqe në tëmth
Me buzëqeshje cinike në gojën e hapur ku vërtitej një bletë e hutuar.
Fotografitë bënë xhiron e botës: Mësuesja e vjetër e historisë
Me pistoletën e vogël në duar…Trupi ftohet shpejt.
Në rrënoja qytetërimesh gjaku avulluar….

Rendën fëmijët, nipërit, mbesat, rendën nxënësit e mësuesit
me avionë, me trena, me makina, duke vrapuar…
Në fotot e gazetave Mësuesja e Historisë: në gojën e hapur një bletë e hutuar…
E hutuar?! Po pse e hutuar!? Çdo një bletë në një gojë pa jetë…
Mësuesja e vjetër e historisë me një pistoletë.

Shfletuan leksionet dhe ditaret e saj:
“Çdo ditë Toka vetëshpallet, zhvishet nga alibitë, përsos mjetet e torturës
Ndjen vidhisjen e boshtit të vet, i ankohet Diellit për dritën e ndryshkur
Lutet për shpikjet e reja për vdekje të shpejt nën sindromin e errësirës.
Toka e lodhur me bimësi të përçudnuar, me sy të perënduar nga narkoza
Ëndërron ditë që s’vijnë, risheh braktisjen e perëndive paraapokaliptike
Toka, Toka vetëshpall mplakjen me gjinjtë e vyshkur të piramidave.
Piramida në shkretëtira, Piramida në Bosnje, Piramida mes akujve
Piramida nën Trekëndshin e Bermudës…
Gjithë globi mbjellë me Piramida dhe unë u mësoj historinë e gënjeshtërt
Për njeriun, dinosaurët dhe mamuthët…
Toka e lodhur ëndërron vesën e muajit maj dhe trëndafilin kryqëzuar te yjet.
Ah, vesa e muajit maj e pastër si lotët e perëndive! Ah, vesa e muajit maj!…
Dhe trëndafili dhe vesa dhe bletët dhe fluturat po rrallohen nga pesticidet…
Dhe unë mësuesja e vjetër s’gjej forca të qaj, s’gjej forca të qaj… “

U mësuam me urtësinë tënde, shikimin e ngrohtë, lotin e fshehur pas çdo lajmi të hidhur.
Heshtja pas Luftës mban erë baroti, shpirtrat: ditare të grisur
Një çast janë shtangur gjendrat e lotit dhe gjendrat e qumështit në sisë.
Dhe zogjtë janë fshehur, zogjtë i zë gjaku, luftrat bëhen me zogjarratisur.
Askush nuk flet veç të vrarët syhapur presin qiririn e hënës të ndrisë.
“Ruani bletët, kujdesuni për bletët
Nëse bletët zhduken nga Toka e ardhshmja do veshi rroben e zisë!”

Në gojën tënde një bletë e hutuar si në një hoje të hidhur.

***
Fërkoj sytë. Mbi vetullën e majtë një zog çukit.
Është e hapur dera, mos trokit…
Shiu bie tej dritares: në qiell rend dikush tërë frikë.
Mos trokit. Të marrësh frymë mes ëndrrës
Dhe të zgjosh nga gjumi perënditë.
I butë shiu: mijëra këpucë foshnjesh çelin në rrugicë
Një re e bardhë ylberin vë karficë.. Mos trokit!…

U poqën vishnjet…

U poqën vishnjet në pemishte: duken vejusha në kishë
Rrëfehen për idilet e dridhshme: u përskuqën velet e trishtë
U poqën vishnjet në pemishte…

U poqën vishnjet në pemishte: mpiksur muzgjet çmendurisht
Shkëlqejnë nën vesë si sy magjish: mes mrekullish të ulërish
Blasfemojnë vejushat në kishë…

Çama mishin…

Çama mishin me thikën prej fildishi, me fildish të hënës çama mishin
Të agoj nga gjaku unë i trishti e të mbys trishtimin prej fildishi
Gjer në kockë të hënës çama mishin, velëza e zemrës të më grishi
Do agoj anije unë i trishti, do lundroj në dallgët prej fildishi
Me një thikë hëne çama mishin, të zgjoj ca pulëbardha prej fildishi
Në një kryq direku të gjej Krishtin, gjakun-verë në kupëzë fildishi
Me një hënë të njomë çama mishin, shpirti-erë: anija prej fildishi
Mishin, moj, hapma me një thikë, pik-pik të pikoj fildishi
Jam një shpirt i lirë e do të ik, do agoj një foshnjëzë prej mishi
Dhe nëse të lë vetëm mos ki frikë: do të bëhem thikë prej fildishi…

E çmendura

Mjekët bluzabardhë me shenjat e elektroshokut në vend të rrudhave
mbledhin supet kur flasin për ty.
Ku je gërshetaderdhur mbi supe magjie, me një det të kthjellët mbledhur hajmali.
Ma jep gërshetin ta pres, hajmalinë e detit më fal
Ku je e çmendura e parrezikshme, e vdekura pa funeral.
Ku je!?… Mbaj mend një tren që rend dhe ti që rend para trenit
(i ngjashëm ky imazh me flakën e gërshetit).
Pastaj fizarmonika në një mbrëmje buzëdetit
dhe guaskat që i bëre vëth
dhe laureshat që vdekjen presin
përmbi kurmin tënd.
Ku je e çmendura e mençur, jetimja me një ëndërr fejuar,
lot i vonuar që bie heshtur
nga syri i dikujt
që ka tre orë pushkatuar.
Thoje se të ndiqnin hijet, policët. Një revolver i artë
rrinte fshehur në gonxhe jargavani. Pasqyrat
të bënin shenja me çdo të plasaritur,
gjyshi të dërgonte degëz ulliri me sqepin e një pelikani…
Ku je tragjedi e lodhur, Kasandër e vrarë, Andromakë e marrosur,
Lot i vonuar që bie heshtur
nga fytyra e ëngjëllit prej vitesh vrarë.

 

Shi i purpurt mbi Princin…

Në Woodlands pijmë koktejlin Purple Rain dhe dëgjojmë Princin
Muzika mbush diskon ngjyrë purpuri, ekranet rrotull: ngjyrë purpuri
Dhe Princi që këndon tre ditë pas vdekjes… Purple Rain.

E dashur, unë nuk mund të të vjedh nga dikush tjetër…
Një qiell ngjyrë purpuri, ngjyrë purpuri djemtë e dixheit
Pista ngjyrë purpuri, globet e magjishëm vërtiten tek e purpurta…
Vallëzojmë nën Purple Rain…

Vodka + coraçao blu + lëng ananasi + lotë shege… dhe akull
Dhe Princi dehet me ne, vërtitet me ne nën një mantel purpuri
Mes shiut të përflakur…

I only want to see you, only want to see you in the purple rain 1)

Ngjyrë purpuri – yjet, hëna e plotë: gotë e mbushur me të shenjtën pije,
Drunjtë e zhveshur, flakadanët, shiu i notave mbi shpirtra bie.
Me Purple Rain vallëzohet në pistat e syve …

I only want to see you, only want to see you in the purple rain…

S’është vetvrasje, thonë mjekët, Princi ngjyrë vjollcë nën autopsi
Symbyllur sikur do të shohë një ëndërr më tepër… nën shi…

Purple Rain, Purple Rain… moshatarë me Princin… të rinj…
Vodka + coraçao blu + lëng ananasi + boronicë + shegë + lotë…dhe akull
Brenda gotave – shiu i purpurt dhe tre ditë pas vdekjes: Princi i ringjallur…
——————
1) Unë vetëm dua t’ju shoh, vetëm dua t’ju shoh në shiun vjollcë – varg nga kënga e famshme e Princit “Purple Rain”.

 

***
Thonë: Hëna po vjetrohet, po largohet – unazë kur gishti hollohet
Largohet nga Toka katër metra në vit…sa gjatësia e studios sime
Ku Hëna afrohet për flirt…

Oratorio për bletët

Bleta mbretëreshë ushqyer me qumësht mbretëreshe
jeton pesë herë më shumë se bletët e tjera
dhe thumbi i saj i madh është një raketë kozmike në galaktikat bletore
ndaj lulet (dhe pse ajo nuk shkon) përulin kurorat
dhe në mungesë të seksit pikturojnë petalet në orgazma diellore.

Shumë festivë bletët në çastin e shumëzimit (madje imitohen nga njerezit).
Kjo natyrë që vdes dita ditës duke thithur urrejtjen e pluhurave – thonë bletët
dhe kjo mbretëreshë me një të verdhë vjeshte në krahët e hiroshimta – thonë bletët
këto lule tragjike në lojën me rrënjët-them unë
dhe këta njerëz të lodhur që përpiqen të qeshin në këmbim të mundjes- them unë
kjo botë e rrumbullakët: gji i sapoprerë nga bisturia atomike – them unë dhe bletët
gjithçka është një shpresë prej mjalti – them unë dhe bletët.
Në sytë e vegjël të bletëve :
hojet janë gjashtëkëndëshe – them unë
po fatkeqësisht nuk njohim këndet e gënjeshtrave – thonë bletët.
Bleta erdhi nga Bagdadi1)
nektarin thithi në kopshtet e varura të Babilonisë

Mbretëreshat japin mësim mbrëmjeve
kur bletët dremisin të lodhura në hojet e tyre:
te lulekëmborat shkelni ngadalë
se tingulli i tyre zgjon arinjtë e uritur
Bleta erdhi nga Bagdadi
kujdes te trëndafilat e kuq se lëndoni të vrarët
Bleta erdhi nga Bagdadi
kujdes te trëndafilat e verdhë se xhelozoni të marrët
asnjëherë mos lëndoni trëndafilat e bardhë,
ah, trëndafilat e bardhë.
Kur të shkoni te krizantemat pëshpërisni fjalë dashurie
dhe lini një pikëz qumësht për të vdekurit e mëdhenj
nëse dikush ju prek kthehuni në kamikazë
pastaj lutuni që vdekja të qetë t’ju gjej.
Bleta erdhi nga Bagdadi
Dhe para se të mbyllni sytë
merrni për qefin një petal trëndafili të bardhë
unë do vij t’ju lexoj Biblën prej Mjalti
shkruar me shkronja Helmi…
Ah,trëndafilat e bardhë!

***
Ti rri gjithnjë në sipërfaqe: periskopi im gërvisht lëkurën e dallgëve…
Do të iki vetëm në botën e zhveshur nga aureolat
i bindur (nga lodhja e tepërt) : zhgënjim i ngjyer me argjend
Pluskojnë idetë naive thellësive tretur. E ardhmja më çmend.
Ti rri gjithnjë në sipërfaqe: periskopi im gërvisht lëkurën e dallgëve…
Do të iki. Çengeli i një pikëpyetjeje gjigante (?) në Parajsë do më ngre
Atje një Zot butaforik do më shfaqet
me ashensorin e një pikëçuditëse fatale (!) do më zbresë nën dhé…

***
Dallgë pas dallge
palosa detin në një vëllim modern…
E shfletoj kur malli më merr.

Lajthitje në lajthishtë

Një gjë e thjeshtë e vogël ish
ajo lajthitje në lajthishtë
ajo lajthitje në lajthishtë.
Puthja një çast u bë një kishë
rrethuar me engjëj çudish
E me demonë marrëzish.
Sytë e tu: baptister lotësh
për bekime dashurish.
Ajo që bëmë ç’përrallë magjish
Thjesht një lajthitje në lajthishtë.

Më pushtoi ushtria e zezë

“Në rini frika ecën me hapa të vegjël, guximi shpejton
Në pleqëri guximit i zvogëlohen hapat, frika nxiton”.
Kënga këndohet nga ushtria e çuditshme veshur me të zeza
Kapota të zeza, kapele të zeza, këpucë të zeza
Veç bora e bardhë dhe fleta e bardhë në dorën time.

Më pushtoi ushtri e zezë. Zbarkoi në mesnatë në portin e zemrës
Gjeneral Frika ma mbylli gojën me shtupën e Hënës.
Ushtarë të zinj me bajoneta të bardha hapnin plagë në mushkëri.
Oficerë të zinj me grada të arta urdhëronin “zjarr-pabesi!”
Si fleta m’u zbardh e bardha e syve, shkronja retinash shkruajnë habi.

Ushtri e zezë nga këmbët te koka: mendimet gjithçka ogurzi.
Veç flamuri i mendimit ende s’ka rënë dhe letra e bardhë nuk u nxi.
Nga goja e hoqa shtupën e Hënës: Gjeneral Frika je ti?!…
Ai qe dehur nga forca e këngës dhe s’mu përgjigj kurrsesi.
Veç bora e bardhë dhe fleta e bardhë kërkonin nga unë rebelim…
Vetëm kur shkruaj kundërshtoj pushtimin dhe thërras: LIRI!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.