Intervista

Megina Laçka: Si të trajtoni flokët e djegur nga plazhi

14:15 - 17.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Flokët janë gjatë gjithë kohës të ekspozuar ndaj faktorëve të jashtëm mjedisore dhe kjo i bën ata më delikatë. Në këtë periudhë në vjeshtë shumë nga ne ankohen për flokët e dëmtuar, për flokë që bien, për flokë pa jetë dhe shkëlqim. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, dermatologia, njëkohësisht biokimistja Megina Laçka jep disa këshilla të vlefshme për flokë të bukur, të fortë e plot shkëlqim.




Cilat janë disa prej faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e flokut te njeriu?
Ashtu si lëkura jonë dhe flokët kërkojnë një kujdes të veçantë që të jenë më të shëndetshëm dhe më të fortë. Gjenetika luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e flokut, por edhe regjimi ushqimor ka një ndikim të madh.

Çfarë diete ushqimore duhet të ndjekim për të mos pasur probleme me flokët?
Duhet që të kemi një dietë ushqimore të pasur me vitamina, minerale dhe proteina. Një deficensë ushqimore dhe rënia e flokëve janë fenomene, të cilat mund të zhvillohen së bashku për një kohë të gjatë nëse një ose disa minerale jetësore mungojnë në dietën tonë ushqimore si hekuri apo jodi. Mungesa e këtyre mineraleve në organizëm shkakton në mënyrë të drejtpërdrejtë rënien e flokëve dhe ky është një problem që shfaqet si te femrat dhe meshkujt. Gjithashtu, një dietë e pasur me kalori mund të jetë shkaktare ose nxitëse për rënien e flokëve.

Si ndikon konsumimi i tepërt i yndyrave?
Prodhimi dhe balancimi I hormoneve në organizëm ka gjithmonë lidhje me ushqimet që konsumojmë sidomos me yndyrat e ngopura. Yndyrat janë të dëmshme jo vetëm për shëndetin tonë, për lëkurën por edhe për flokët. Yndyrat e ngopura e kanë prejardhjen nga mishi i kuq, bulmeti. Këto yndyra të ngopura ndikojnë në rritjen e nivelit të kolesterolit LDL (kolesteroli i keq), ndërkohë që kolesteroli HDL (kolesteroli i mirë) e ka prejardhjen nga yndyrat e pangopura. Yndyrat e ngopura lidhen me prodhimin e hormonit DHT( hormon që nxit në rënien e flokëve) dhe sebumit e cila e nxitur nga hormone DHT bllokon folikuat e flokëve duke penguar kështu daljen e flokut të ri. Gjithashtu, dhe konsumimi i lartë i karbohidrateve, proteinave dhe ushqimeve të tjera me përmbajtje yndyrore mund të konvertohen në yndyra të ngopura duke sjellë kështu dëmtimin e flokëve.

Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja për të pasur flokë të shëndetshëm, veçanërisht pas periudhës së plazhit?
Për të pasur flokë të bukur gjatë kësaj periudhe post plazhi dhe gjatë gjithë kohës duhet të jemi gjithmonë të hidratuar dhe të konsumojmë sa më shumë fruta dhe ujë. Unë do të sugjeroja, gjithashtu, trajtimin e flokëve dy herë në javë me maska në kushte shtëpie ose me produkte bimore organike. Duhet të tregoni kujdes me krehjen e flokëve dhe furçën që përdorni pasi nuk duhet ta dëmtoni apo këpusni flokun. Serumet e flokëve apo zbutësit e flokut në verë duhet patjetër që të kenë filtra mbrojtës ndaj rrezatimeve UVA-UVB pasi jemi të ekspozuar gjatë gjithë kohës ndaj rrezeve të forta të diellit. Ky kujdes nuk duhet të mungojë as në dimër pasi ne të kundërt mund të ndodhë dehidratimi dhe tharja e flokut. Një kujdes i veçantë duhet treguar me tharjen e flokut pasi asnjëherë nuk duhet të përdorim nxehtësi të lartë për modelimin e flokut ose ta thajmë plotësisht atë.

Si duhet bërë larja e flokëve?
Këshilla ime më kryesore lidhet me mënyrën sesi i lani flokët tuaj. Nuk duhet tepruar asnjëherë me shampon pasi duke e përdorur në sasi të lartë prishet balanca yndyrore dhe hidrike e flokut. Gjatë aplikimit të shampos masazhimi i skalpit e detoksifikon atë dhe nxit qarkullimit e gjakut duke ndikuar kështu në rritjen e flokut.

Ku duhet të bëjmë më shumë kujdes për të mos shkatërruar flokun?
Flokët janë shumë delikatë prandaj gjithmonë duhet të tregojmë kujdes të veçantë ndaj rrezeve të diellit, kimikateve të ndryshme si përqindja e larte e klorit në pishina, produktet dhe trajtimet për shtrirjen apo strukturimin e kaçurrelave si dhe bojërat e ndryshme me përqindje të lartë amoniaku. Të gjitha këto të përdorura në sasi të lartë sjellin dëmtimin, dobësimin dhe këputjen e flokëve.

Cilat janë disa prej maskave në kushte shtëpie që ju këshilloni për të rigjeneruar flokët?
Unë sugjeroj gjithmonë trajtimet natyrale për flokë plot jetë dhe shkëlqim. Një problem tjetër janë majat dyshe të flokëve, mos u gënjeni asnjëherë pasi ato vijnë nga dëmtimi i flokut për një periudhë të gjatë kohore dhe nuk trajtohen ato vetëm mund ti prisni për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të tij. Po ju sugjeroj një maskë bimore e përshtatshme për të gjitha tipet e flokëve e cila rigjeneron flokun, i jep shkëlqim dhe forcon rrënjën. Mjafton të përgatisni në blender një banane të pjekur me 2 lugë vaj ulliri, aplikojeni në flokë për 30 minuta. Mund ta aplikoni 1-2 herë javë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.