Intervista

Arjeta Dhima: Ju tregoj të fshehtat e ventrilokuizmit, ja si i jap shpirt artit

16:30 - 18.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ajo është ventrilokuistja e parë në Shqipëri. Në fakt, në të gjithë globin janë gjithsej pesëdhjetë ventrilokë që kanë aftësinë të ushtrojnë këtë art, që është po aq i lashtë sa dhe Greqia Antike. Për të ndarë me ne të fshehtat e magjisë së interpretimit vjen për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare” Arjeta Dhima. Artistja që e do fort punën e saj është jo vetëm profesioniste në atë që bën, por dhe mjaft e zonja të kryejë njëherazi një sërë aktivitetesh. Kur flitet për ventrilokuizmin shumica e njerëzve thonë me bindje se aftësia për ta praktikuar atë është e lindur. Në fakt, Arjeta është shembulli që tregon se gjithçka arrihet me vullnet. Për ata që nuk e dinë çfarë është arti që Dhima zotëron më së miri po shpjegojmë termin. “Ventrilokuizëm” do të thotë të flasësh me bark, pa lëvizur aspak buzët, dhe fjalët të jenë të qarta si një e folur normale.




Raporti që ka me kukullën Sindi është përtej atij artistik. Ajo e ka përjetësuar duke i dhënë shpirt asaj. Vendi ku ndihet çdoherë e qetë është familja. Ata kuptojnë dhe mbështesin gjithçka që ajo ndërmerr. E ëma mbetet kryefjala që i lexon të gjitha mendimet. Më tej, artistja na tregon se ndihet shumë mirë pasi ka humbur disa kile me një dietë të shëndetshme, ku me të qeshur pohon se kjo është mënyra më e mirë për të jetuar. Nuk na humbet dhe një copëz e vogël e jetës personale megjithëse asaj nuk i pëlqen ta ekspozojë atë. Arjeta rrëfen për ne eksperiencën që deri më tani ka rezultuar e suksesshme. Është viti i katërt, që ventrilokuistja është drejtuese e një studioje aktrimi dhe të folurit në publik. Ajo e sheh artin dhe biznesin si një binom të pandarë dhe shpreson që gjithmonë t’i bëjë paralelisht pasi pasioni për to është i madh. Së shpejti, Arjeta do të vijë me projekte dhe surpriza të reja për publikun. Deri atëherë na ngelet të presim.

Si ventrilokuiste, cili është personazhi që shpreh më shumë mendimet e tua?
Deri tani kemi vetëm tri personazhe që po shohin dritën e skenës. Është Xha Teli, goca dhe Sindi. Mund të them për këtë të fundit se është një nga kukullat që mund të shprehem më lirshëm. Ajo i njeh mendimet e mia, sepse është kukulla që më ka shoqëruar për katër vjet dhe kemi mësuar bashkë ventrilokuizmin. Është kukulla që m’i njeh lotët, më njeh gëzimin, ndjenjat. Ndërkohë, unë ia kam transmetuar asaj dhe kemi një bashkëveprim shumë të mirë me njëra-tjetrën. Sa i përket të shprehurit tim me anë të një kukulle, unë në detyrën time ventrilokuiste me secilën nga ato dhe jap maksimumin dhe do të ishte aprofesionale nëse do të thosha te njëra kukull jepem 100% dhe tek tjetra jepem 80%. Kjo nuk ndodh, sepse gjithmonë artisti duhet të jetë ai që investon maksimalisht si te rolet, pjesët që bën, ashtu dhe te personazhet sidomos te këto që janë të veçantë dhe kërkojnë një vëmendje ndryshe.

Çfarë përgatitjeje fizike kërkon ventrilokuizmi?
Përgatitjen fizike nuk është se e kërkon vetëm ventrilokuizmi, ky i fundit e kërkon më të specifikuar, por e kërkojnë që nga sportet që tek aktorët e thjeshtë, për të vijuar me artistët e operës dhe të baletit. Kjo lloj përgatitje normalisht që duhet të jetë te çdo individ, te biznesmenët edhe te mësuesit domethënë tek të gjithë ata që kanë aktivitet gjatë ditës dhe duhet të jenë në një performancë. Nuk është e thënë që të jenë në skenë e duhet patjetër të bësh aktivitet fizik, por unë në këto momente jua rekomandoj të gjithëve sidomos ecjen e shpejtë. Në ventrilokuizëm ndryshon pak puna, sepse duhet të merresh që nga muskujt facial, diafragma, muskujt e duarve. Janë shumë gjëra specifike të vogla, që ndihmojnë në një performancë absolute. Përgatitja fizike duhet të jetë e përditshme. Ajo kërkon një diafragmë shumë të përgatitur e disa muskuj diafragme të stërvitur mirë.

Kur thua se një rol të ri e ke plotësisht të përvetësuar?
Përballjen me rolet e reja unë e kam të thuash si dashuri me shikim të parë. Përpiqem që ta kuptoj në leximin e parë për çfarë bëhet fjalë dhe pastaj e plotësoj. Një rol ndoshta nuk arrihet asnjëherë në atë maksimumin e vet, por unë mendoj se ka arritur momenti i 100%, kur i vendos tikun e fundit atij roli. Më gëzojnë rolet e filmit shumë, po ashtu dhe ato të teatrit. Filmi është bërë komod për mua duke qenë se kam qenë goxha aktive gjatë këtij viti me filmat e metrazhit të shkurtër dhe me risitë e reja që janë sjellë në teknologjinë e xhirimit të tyre. Nuk e di tamam kur mund të them që është i realizuar. Sa i përket xhirimeve të një filmi them që dubli i fundit ka vendosur gjithçka kurse në teatër, po shfaqja e fundit e ka vendosur vulën që ky ka qenë një rol i realizuar. Në fakt, nuk mund të flasim dot ne për rolet e realizuara apo jo, sepse kemi një audiencë, kemi një publik që bën atë gjykuesin në njëfarë mënyre.

Si ndihesh tani me disa kg më pak?
Sa i përket kilogramëve të mi nuk kam bërë ndonjë publikim që jam kaq kilogramë më pak apo jam aq. (qesh) Unë po bëj një rënie natyrale në peshë, sepse duhet për shkak të të qenit mirë me shëndet. Ndihem mirë nuk është se po e përjetoj çuditshëm, por është një proces që zgjat bukur me një frigorifer të mbushur me gjëra jeshile dhe me një dollap bosh. Është i këndshmi proces. Mbi tavolinë gjendet vetëm një shishe ujë. Besoj që të gjithë duhet ta kuptojnë që kështu duhet të jetojmë. (qesh)

Kush është personi që arrin të t’i lexojë mendimet?
Kur hyj tek pjesa personale e gjërave e kam pak të vështirë të përgjigjem pasi ka disa vite që më ka rrëmbyer pjesa e punës. Normalisht më është dashur të përgjigjem vetëm për të mbarëvajtjen e saj, si dhe për anën profesionale e artistike. Personi që di të më lexoj mirë dhe më kupton unë besoj që gjithmonë për fëmijën e vet është nëna. Mami im është një nga personat që arrin të më kuptojë dhe të më japi mbështetjen e saj. Nuk dua të përjashtoj faktin që ka dhe miq dhe mikesha që mua më gjenden pranë në momente delikate të miat. S’e di në mund të përmend emra pasi ka disa persona që të përgjigjen dhe të kuptojnë në aspekte specifike. Për shembull, disa më kuptojnë në marrëdhëniet me punën, disa të tjerë në marrëdhëniet shoqërore e kështu me radhë, por kryefjala mbetet mami.

Me kë jeton?
Unë për momentin jetoj vetëm. Kam një apartament të këndshëm. Jetoj në një privatësi të mirë që më ndihmon t’i organizoj gjërat më mirë. Dhe të kem një lloj “pavarësie”, për të pasur një komoditet dhe për t’iu përshtatur orareve të punës dhe provave.
Çfarë pret të ndryshosh në jetën personale?
Është hera e parë që më drejtohen me pyetje personale dhe është intervistë realisht jo shumë komode për mua, por mund të them që jam duke ndryshuar pak stilin e jetesës, po organizoj orët e gjumit pasi i kam pasur të pakta dhe normalisht që ndikonin në pjesën e produktivitetit në punë. Dua të ndryshoj patjetër pjesën e financave, pastaj për pjesë të tjera lidhje, fejesë apo martesë preferoj të mos përgjigjem pasi ju t’i përdorni. (qesh)

Vendi që të qetëson shpirtërisht?
Vendi që më qetëson shpirtërisht pavarësisht se ku ndodhemi është pranë familjes sime ku unë vendos kokën te prindërit, kur ndjej përqafimin e vëllezërve të mi ose kur u dëgjoj zërin jam realisht e qetë. Pastaj për vende specifike që mund të jenë turistike nuk është se kam një vend të preferuar. Janë disa vende në Shqipëri që më pëlqejnë dhe mbushem me ajër, por gjithmonë është familja ajo që më qetëson.

Çfarë i thua vetes kur diçka nuk shkon siç duhet?
Dal përpara pasqyrës dhe flas shumë hapur me veten. “Dëgjo moj vajzë! Arjeta a ka mundësi të bësh një ristart të vetes dhe të marrësh forca të reja pasi kjo gjëja kërkon shumë impenjim, përkushtim dhe adrenalinë nga ana jote dhe ti duhet të jesh me forca të reja për ta përballuar. Hajde vajzë e mbarë, çohu bëje!” Nuk ka gjë më të mirë se sa t’i thuash vetes çohu dhe mos të presësh të ta thotë të tjerët këtë fjalë, sepse është më e rëndë kur ta thotë dikush tjetër. Kur ia thua vetes patjetër që është e rëndë, por ama e ke përballjen me veten dhe e gjen ti forcën që ke brenda për të reaguar.

Arjeta në biznes apo në art?
Arjeta ka rreth katër vjet që gjendet përballë një drejtimi të ri të një studioje aktrimi dhe të folurit në publik. Nuk është e thjeshtë për mua, sepse unë di të bëj vetëm një pjesë që është ajo e skenës dhe pjesë menaxheriale e bëjnë të tjerët, por vendimet duhet t’i marr unë. Gjendem mirë tani pasi ka kaluar kohë dhe kam marrë veten disi, por nuk mundem absolutisht në asnjë sekondë të shmang Arjetën artiste. Arjeta artiste është e para që i bën këto dhe i vë në lëvizje, që të funksionojnë dhe pastaj vjen ana e biznesit që normalisht duhet të jetë pasioni dhe forca e brendshme për të bërë diçka të bukur dhe ndryshe, që të sjelli pjesën tjetër pastaj, që quhet biznes. Shpresoj që të mos e humb asnjëherë dëshirën për të qenë në art dhe vëmendjen për të qenë në biznes.

Një projekt që ke në dorë?
Me Arjetën nuk flitet asnjëherë vetëm për një projekt. Vetëm për këtë periudhë unë jam duke përgatitur një rol që duhet të xhirohej brenda këtij muaji me regjisorin Jonid Jorgji. Kam projektet me studion time pasi kam një studio aktrimi dhe më duhet që pothuajse çdo tre muaj të jem përballë një skene me aktorët që përgatiten aty. Me projektet e të folurit në publik jam gjithmonë në punë. Projektet e ventrilokuizmit, meqenëse ju e nisët me të gjithë këtë intervistë, kemi të reja. Jemi në punë duke përgatitur diçka shumë interesante. Është akoma herët për të folur sepse jemi në proces pune artistike që në momentin që do i vendosim pikat mbi ‘i’ besoj do të na ftoni për një intervistë tjetër. (qesh)

Çfarë të reje sjell në avangardë stili yt i spektaklit?
Tek pjesa e ventrilokuizmit është diçka e re dhe ndryshe, që është sjellë kohët e fundit në Shqipëri dhe realisht është përparësi. Sa i përket vëmendjes që mund të ketë audienca, njerëzit rreken të shohin dhe të dëgjojnë çfarë të rejash po sillen dhe si po sillen ato. Në stilin e spektaklit nuk mund të shquaj apo të përmend diçka ndryshe, por unë fus këtu edhe pjesën e interpretimit. Përpiqem gjithmonë të jem te pjesa e karakteri e të jem konkrete. Kjo është ajo që e bën aktorin të vërtetë dhe bindës në skenë. Ventrilokuizmi është gjithmonë ndryshe, është avangardë, që realisht publiku të ketë një qasje shumë të mirë dhe interesante.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.