POLITIKË

Meta: Futja e Shqipërisë në BE do të ndihmojë dhe Vatikanin

18:00 - 18.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në një intervistë për “Vatican News” tha se Shqipëria anëtare e BE është i vetmi projekt që ndihmon jo vetëm vendin tonë, por gjitha Ballkanin madje edhe Europën.




Kreu i shteti tha se vokacioni i Shqipërisë në Ballkan është një faktor i paqes dhe i bashkëjetesës.

Gjatë intervistës presidenti shprehet se vizita e tij në Vatikan mbart edhe mesazhin e raportit shumë të fortë, midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Por, edhe për të forcuar dhe mbrojtur identitetin tonë europian, ashtu sikurse edhe për të hedhur një hap më tej drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, shpresojmë gjatë vitit të ardhshëm. 

Intervista e plotë

Z.President, Ilir Meta, çfarë mund të na thoni për audiencën që patët me Papa Françeskun në Vatikan?

Një moment historik për mua personalisht dhe një nder i veçantë të vizitoja Selinë e Shenjtë dhe të pritesha nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, pikërisht tani në prag të 4-vjetorit të vizitës së Tij të parë në Europë, ku ai zgjodhi pikërisht vendin tonë, Shqipërinë. Natyrisht më mbeti në kujtesë nga kjo audiencë, pyetja që gazetarët i kishin bërë në avion Papa Françeskut gjatë kthimit nga Shqipëria për në Romë, se përse kishte zgjedhur një vend që nuk ishte anëtar i Bashkimit Europian për të realizuar një vizitë të parë në kontinent dhe përgjigjia e Tij ishte: Pikërisht për të dhënë një sinjal.

Vizita ime në Vatikan në këtë vit historik për ne shqiptarët, siç është Viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, padyshim që mbart edhe mesazhin e raportit shumë të fortë, midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Por në mënyrë të veçantë, të vendosmërisë tonë për të forcuar dhe mbrojtur identitetin tonë europian, ashtu sikurse edhe për të hedhur një hap më tej drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, shpresojmë gjatë vitit të ardhshëm. 

Si e shikoni ju kujdesin atëror dhe dashurinë e Papa Françeskut ndaj popullit shqiptar?

Ati i Shenjtë, Papa Françesku ka treguar që në fillimet e para të Tij në këtë detyrë kaq të lartë, një vëmendje të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo vetëm me vizitën e Tij historike 4-vite më parë në vendin tonë por njëkohësisht me Shenjtërimin e Nënë Terezës, me lumturimin e 38 martirëve të Kishës sonë Katolike, me emërimin Kardinal Nderi në Vatikan të At Ernest Simon Troshani dhe me shumë akte të tjera konkrete.

Ashtu sikurse dua të theksoj në mënyrë të veçantë se pikërisht në Ditën e Shën Nënë Terezës ai lartësoi Kishën Katolike të Kosovës duke e shndërruar në Dioqezë.

Të pafundme janë aktet e tij të vëmendjes ndaj Shqipërisë, popullit shqiptar, ndaj klerit katolik në vendin tonë, që ka vuajtur e sakrifikuar aq shumë në të kaluarën, por edhe ndaj harmonisë ndërfetare në Shqipëri, që Papa Françesku e vlerëson shumë dhe na kujton se duhet ta ruajmë dhe ta zhvillojmë çdo ditë.

Njëkohësisht dua të theksoj angazhimin e tij për t’i kushtuar një vëmendje maksimale edukimit të të rinjve, për të luftuar varësitë e tyre nga fenomene negative, si droga, alkooli, etj., dhe për t’ju siguruar një të ardhme më të mirë në vendet tona.

Sikurse Papa Françesku e tha gjatë këtij takimi, për fat të keq Europa po përjeton një “dimër demografik” dhe kjo nuk duhet të ndodhë me Shqipërinë apo me vende të tjera, që kanë mundësinë për t’u rritur dhe zhvilluar e njëkohësisht për t’u dhënë më shumë të ardhme të rinjve në vendet tona e jo përmes emigrimit.

Z.President, të ndalemi pak tek shkëmbimi i dhuratave. Ati i Shenjtë ju dhuroi një medalje me simbolin e ullirit dhe ju i bëtë një dhuratë të veçantë…

Mendoj se ishte një shkëmbim mjaft kuptimplotë i dhuratave. Unë i dhurova një ikonë të Shën Marisë, “Puthja e ëmbël”, të punuar me shumë dashuri në Shqipëri. Ndërsa Papa Françesku kishte zgjedhur “ullirin”, simbol të paqes dhe bashkëpunimit, si një mesazh se ku duhet të përqëndrohet politika: bashkimin e njerëzve dhe popujve, pavarësisht besimeve e përkatësive etnike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.