Kryesore

“Topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë”, ligji për Teatrin mes sherrit në komision

15:51 - 18.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një situatë e tensionuar ndodhi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i cili ka marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës që ktheu për rishqyrtim ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.




Pas letrës nga Komisioni Europian, qeveria pranoi një tërheqje nga ligji për Teatrin Kombëtar, por sipas mënyrës së vetë.

Shumica pranoi sot dekretin e Presidentit vetëm me votat e saj, ndërsa kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi theksoi se PS ka përgatitur një draft të ri me ndryshimet duke i kërkuar mendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

NDRYSHIMET E QEVERISË PËR LIGJIN E TEATRIT

“Kemi arritur në konkluzionin e pranimit të dekretit të Presidentit. Do të pranojmë dekretin e presidentit duke ndërhyrë në disa nene të veçanta”, tha Shalsi.

Por Albana Vokshi tha: “Unë nuk e kuptoj se çfarë janë amendimet e një dekreti që është shumë i qartë. Një dekret votohet pro ose kundër”.

Edhe demokratët që merrnin pjesë në këtë komision u shprehën kundër kësaj procedure, duke këmbëngulur që dekreti i Presidentit të hidhet në votim për tu pranuar apo rrëzuar pasi nuk mund të bëhen ndryshime mbi të. Ligji për Teatrin kombëtar i miratuar me forcën e kartonave të shumicës në fillim të muajit korrik parashikon ndërtimin e një godine të re moderne me fondet e shoqërisë private “Fusha shpk”, së cilës në këmbim i jepen mijëra metra katrorë të tjerë për të ngritur aty pranë, një kompleks kullash shumëkatëshe.

Më shumë se sa debati nëse duhet apo jo një ndërtesë e re për Teatrin, procedura e veçantë që u ndoq në këtë rast përbënte një aspekt me dritë-hije të shumta.

Edhe në letrën që Komisioni europian i dërgon autoriteteve shqiptare theksohet se “ ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka paraparë një përzgjedhje të një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE , p.sh trajtim të barabartë, dhe konkurrencë të hapur”.

Në letër, ndonëse shkruhet se “nuk mund të konstatohet asnjë shkelje e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, në këtë fazë” theksohet se “shërbimet e Komisionit, inkurajojnë autoritetet shqiptare që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.