KULTURË

Intelektualët: Gati për burg e përplasje fizike për Teatrin

13:35 - 19.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Salla “Gëte” e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” qe mbushur plot dje me intelektualë të mbledhur për të marrë një vendim për të ardhmen e dy teatrove kombëtarë. Ndërsa ligji që i shemb, miratuar më 5 korrik e i kthyer nga presidenti do të amendohet, pyetja që shtrohej nga Aleanca për Mbrojtjen është: Po tani, si do veprojmë? Restaurimi është opsioni i tyre i kahershëm, por në një kohë që qeveria do të hapë konkurs për një projekt që shemb dy teatro për të ndërtuar një të ri PPP shumëçka mbetet e paqartë. Si fillim, mënyra se si. Dje prej orës 12:00 deri në orën 15:00 arkitektë, shkrimtarë, shoqëri civile e përfaqësues të së djathtës deri deputetë kanë shqyrtuar hapat që mund të ndërmerren.




Maks Velo, Jorida Tabaku, Aurel Plasari, Edmond Tupja, Fatos Lubonja, Artan Raça, Neritan Sejamini, Mirela Karabina, Kastriot Çipi, Alert Çeloaliaj, Robert e Edmond Budina e dhjetëra të tjerë diskutuan për tri orë. Më poshtë propozimet e tyre, që nga përplasja fizike e burgu, arrijnë deri tek okupimi i Teatrit.

FATOS LUBONJA
Kam bërë një shkrim ku i referohem kësaj që po ndodh si ndërkombëtarokraturë. Ajo që kam vëmë në dukej unë është një fakt i thjeshtë, që u komentua pak në mediat tona. Lidhur me projektligjin e Teatrit reaguan aktorë, intelektualë, shoqëria civile, opozita, presidenti. Me arrogancë u shpërfillën gjithë këta. Ndërkohë që ky ligj ishte një vjedhje e hapur, nuk reagoi as prokuroria që duhet të reagojë. Pra, në mes të gjithë këtij reagimi, një letër që erdhi nga Brukseli e anuloi. Çfarë ndodhi? Kjo tregon se çfarë sistemi kemi ngritur ne. Është fshirë çdo gjë këtu. Këtu na vjen një letër nga Brukseli dhe këtë ndërkombëtarokraci. Nëse do të zgjidhësh një problem nuk paske forca dhe duhet të ankohesh tek ai më i madhi që ai të kthejë çfarë vendos më i madhi ynë. Një shoqëri me një kulturë vertikale sadomazokiste që na fshin ne të tërëve këtu. Çfarë duhet të bëjmë kur ke vetëm një mundësi për t’i ndryshuar gjërat dhe qahesh e ankohesh te ndërkombëtarët.
Kur nuk funksionon e gjithë struktura, nuk funksionon; duhet mbase t’ua japim pushtetin të huajve se ne nuk bëhemi dot garant i ligjit. Kjo është pjesa pesimiste. Duhet që kushdo nga ne të ndikojë te ndërkombëtarët.
Është pesimiste, jemi të pafuqishëm. Ne duhet të bëjmë Kukësin. Po ne s’kemi takat, se unë me Maksin e kemi bërë një herë burgun. Mbase këta të rinjtë duhet ta bëjnë, se s’kanë gjë për të humbur. Duhet ta bëjnë që të ndërgjegjësojnë se kështu fitohen gjërat, me forcë me kurajë. Gratë angleze për të fituar të drejtën e votës bënë protestë. U burgosën 1000 veta. Njëra prej tyre i doli para kalit të mbretit, e mori kali e ajo vdiq dhe doli më pas populli i Londrës. Duhet të përpiqemi me ndërkombëtarët për këtë çështje dhe duhet ndjenja e sakrificës. Këto janë dy mënyrat.

EDMOND TUPJA
Për kushte objektive e subjektive i jam bashkuar me vonesë kauzës. Ndjesë! Jam dakord me propozimin e Lubonjës që duhet tentuar e pamundura. E pamundura për mua është sakrifikimi i vetvetes. Unë imagjinoj skenarë ekstremë. Po erdhën fadromat, ne do të rrimë atje. Ato mund të vijnë në mesnatë, por nuk shoh zgjidhje tjetër. As ndërkombëtarëve nuk u kam besim. Reagojnë me vonesë dhe ata janë njerëz, janë të ndjeshëm ndaj magjisë që u bëhet ose dhuratave. Duhet të bëjmë diçka me të rinjtë e kolegët tanë në sistemin arsimor. Po kanë frikë se i heqin nga puna. Qëndresa me praninë fizike është një nga mënyrat që na ka mbetur. Ka dëshpërim në fjalën time. Ka dëshpërim se është dhunë, që do pësojmë për vlerat morale e për ideale.

NERITAN SEJAMINI
Përforcoj atë që tha Fatosi. Edi Rama me një biznesmen me 4 klasë shkollë ka vendosur të ndërtojë këtu. Plani ka qenë më i madh, ka përfshirë edhe godinën e PD-së dhe ‘Sarajet’. Nuk ia doli dot atje dhe ngeci këtu te Teatri. Këtu gjeti një narrativë të thjeshtë, do bëjmë një teatër të ri që e do Shqipëria. Për teatrin e ri nuk kemi lekë dhe do e bëjmë me këtë biznesmenin. Çdo gjë që ka ndodhur pasi ky ka vendosur këtë gjë, është justifikimi dhe vënia në punë e gjithë shtetit për të justifikuar e ligjëruar vullnetin personal të autokratit. Çdo diskutim tjetër për çështje ligjore është nonsens. Në momentin që vendos autokrati dhe vullneti i tij bëhet ligj, ka marrë fund çdo gjë, çdo lloj koncepti i demokracisë dhe i shtetit. Qëndresa e çdo gjë tjetër ka pasur rezultat, por kjo narrativë ka marrë mund. Ia dhanë pa konkurs “Fushës”, tani do ia japin me konkurs. E qartë është në këtë histori se ka dy vullnete: është vullneti i Ramës dhe i juaji. Në fund rezultati do të varet nga përplasja e dy vullneteve. Në kuptimin konkret, kjo do zgjidhet vetëm me përplasje fizike. Ai do vendosë që do ta shembë dhe në fund do varet nga qytetarët. Lajmi i mirë është se mjafton 100 veta të arrestohen aty dhe mbyllet, sepse në këta 100 veta do jenë këta emra që janë këtu. Nuk ka një polic e një shofer fadrome që do t’i shtyjë me dhunë. Ne u japim pushtet ndërkombëtarëve. Lu-së i lëpihen të gjithë. Ndërkombëtarët duhet të vihen para hipokrizisë. Ata flasin për reformën në drejtësi, ne do u themi që na e trego te Teatri, ai flet për veting e ne i themi na e trego te Teatri. Çështja e Teatrit duhet të kthehet në gur prove.

MAKS VELO
Kam theksuar se fajin e kemi vetë. Janë prerë koka me gijotinë derisa u bë ajo Francë. Ata thonë se duhet të pritni edhe ju koka që të bëhet Teatri. Se ne e presim çdo gjë nga ndërkombëtarët. Këtë katastrofë e kemi bërë vetë, se ne nuk jemi më të mirë. As këta nuk janë (i drejtohet Albana Vokshit) se këta po të ishin, do e kishin bërë Teatrin e nuk na kishin lënë në këtë derexhe. Se këta i ngritën kullat e para te bulevardi. Njësoj janë, të gjithë për të vjedhur. Kjo është e keqja, nuk e kapërcejmë dot vjedhjen. Kjo është aferë vjedhjeje e jo aferë teatri, ndaj është shumë e vështirë se janë të tërë hajdutë. Rama ka bërë shumë gjëra të mira, nga ligji i duhanit, e pagesën e dritave. Punët policore i bëri perfket, por punët e vështira nuk i bën dot. Ekonominë nuk e ngrejnë dot, s’e bëjnë. Është e vështirë se këtu kanë tradhtuar aktorët. Ka tradhtuar drejtori i Teatrit, është tradhtari numër një. E ne tani të bëjmë rolin e drejtorit? Nuk e di si do të kalohet ky ngërç. Arkitekti i projektit të ri është një merkato arkitekto-gastronomike. Ai nuk ka guxim të shkruajë mbi godinë në projekt emrin Teatri Kombëtar. Ai nuk e ka shkruar. Është projekt i dobët. Rama ka dështuar, ai i jep vendimet vetë edhe kur kemi qenë në komisione. Stadiumi është një katastrofë.
Do kontrollosh tërë hotelin, çdo vrimë të hotelit, tërë kamerierët sa herë të bëhet ndeshje. Ç’marrëzi kemi bërë! Pse është kjo situatë? Arkitektët e kanë dorëzuar licencën, sepse u duhet të marrin leje në bashki për çdo gjë. Në këtë gjendje jemi katandisur të gjithë, nuk hapim dot më gojën. Specialistët tek ne nuk funksionojnë. Se është vetëm kjo Vokshi që vjen e është stresuar për këtë punë, ata të PD e kanë marrë si lojë politike. Duan të rrëzojnë Ramën që të vijnë vetë. Pse duan këta? Se duan të vijnë këta e të vjedhin vetë.
Çfarë të bëjnë ndërkombëtarët e shkretë? Kë të rregullojnë më parë? Teatri ishte i vetmi vend që na mbante larg komunizmit. E kemi fajin vetë, se ne i kemi lejuar, se ne duam vetë të blihemi. E ndjek me bindje këtë çështje se Teatrin e kam ndjekur vazhdimisht, se Teatri ishte i vetmi që na mban larg komunizmit. Një bizhu ka qenë kinema “17 Nëntori”, por edhe atë nuk e kemi. Ke parë t’i presidentët francezë të merren detaje? Presidenti thotë duhet një bibliotekë, por nuk zgjedh projektin.

EDMOND BUDINA
Do thosha vetëm dy fjalë, jam dakord me sa u tha, por duhet të diskutojmë se çfarë do të bëjmë, cilët janë hapat që ne do të marrim konkretisht? Qeveria mashtron? Është e vërtetë. Opozita ka fajin e saj? Është e vërtetë. Edhe unë jam plotësisht kundër të gjitha këtyre. Problemi është cilat janë hapat që do të ndërmarrim. E para, të bëjmë çfarë tha Aureli, t’i kthehet përgjigje Komisionit Europian. Duhet që opozita të bëjë debatin e vet në parlament derisa të rrëzohet çështja e Teatrit. Teatri nuk duhet të bjerë, nëse bie Teatri, ne jemi të marrë fund që të gjithë si shoqëri. Para se të shkojmë të ruspat, ne duhet të okupojmë Teatrin. Përvojat janë. Në teatrin ‘Vare’ ku unë kam interpretuar, shteti donte që ta shembte, e okupuan artistët dhe bënë shfaqje atje. Edhe ne duhet të bëjmë këtë. Duhet të bojkotohet aktiviteti te “Turbina” dhe të bojkotohet ai festival. Kjo duhet të jetë një lëvizje qytetare e përgjithshme.
Ky teatër duhet rikonstruktuar me paratë që mund të mbledhë një fondacion. Për këtë duhet të luftojmë deri në fund.

ROBERT BUDINA
“Europa Nostra” do sjellë një komision të vetin për të parë gjendjen e Teatrit Kombëtar.

KASTRIOT ÇIPI
Ky takim ka filluar me një gjë të tmerrshme. Me intelektualë që janë të gatshëm të bëjnë burg, sepse nuk shohin rrugë tjetër. Kjo është e rëndë. Besoj se Teatri nuk shembet, sado arrogant të jetë Rama. Nëse 2 a 3 deputetë hyjnë në sallë, ai nuk shembet. Pika ku takohemi është fondacioni që bashkon artistë e qytetarë. Në 2002-shin kemi qenë në njëjtën situatë. Teatri nuk mbrohet me vendime qeverie. Me këtë rast edhe thjesht në dorë të artistëve, Teatri nuk mund të jetë. Edhe ata që drejtojnë fondacion mund të tradhtojnë kauzën. Meqë qeveria po e braktis ndërtesën, të kërkojë grupimi ta marrë në dorë, duke marrë përsipër që ta rikonstruktojë. Nëse ndërtohet një shkollë në një fshati, në Skrapar mund të bëhet kjo. Duam të marrim në administrim Teatrin, që qeveria nuk e do.

SOKOL ANGJELI
Është ditë e gëzuar. Është një tunel sakrifice që duhet të kalojmë. Sepse sakrificë duhet të kalojmë. Megjithëse ka aktorë që nuk janë këtu. Me mendje janë në proces reflektimi. Te “Turbina” përplasen tri institucione. Dhe një drejtoreshë vë shaminë në kokë se s’ka ça bën. Hajt thonë po e lëmë Kiço London të bëjë ca shfaqje këtu.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.