Kryesore

Pacientët me hemofili, në pritje të medikamenteve pranë QSUT-së

15:30 - 19.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ende vazhdon problemi i mungesës së medikamenteve për pacientët hemofilikë që trajtohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Të pyetur nga ‘Gazeta Shqiptare’ pacientët tregojnë të shqetësuar se farmacia e QSUT nuk ka gjendje të ilaçeve, kështu që nuk iu ngelet veçse të presin. “Jemi në pritje dhe shpresojmë që t’i sjellin medikamentet. Pyeta te farmacia në QSUT dhe farmacistja më tha se duhet të përgatitemi pasi pritja e ilaçit do të jetë e gjatë. Unë po trajtohem me faktorin 9, para disa ditësh mora gjysmën e dozës dhe sot (dje) erdha prapë”,-tregon Fitim Allçiu për ‘Gazeta Shqiptare’. Ndërkohë, 22 vjeçari Besart Nezaj është një tjetër pacient me hemofili në stadin e rëndë. Ditën e djeshme ai i ka nisur një letër Avokatit të Popullit ku kërkon një zgjidhje të situatës. “Përveçse me Hemofili B, forma e rënde unë jam diagnostikuar dhe me prani të Inhibitorëve, me titër të lartë kundër faktorit IX (nëntë).




Inhibitori është frenues, i cili pengon/parandalon efektin e faktorit 9-të dhe në të shumtën e rasteve vjen si pasojë e mungesës së profilaksisë për Hemofilinë, në këto kushte Hemorragjia është më e madhe, rrezikohem të kem hemorragji spontane, cerebrale, hematoma në inde, vështirësi të theksuara në lëvizje, pasi kjo substancë (Inhibitori) e parandalon efektin e faktorit 9-të,duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën time”,-thekson Nezaj. Ky i fundit shton se në Shqipëri Inhibitori nuk Diagnostikohet as Trajtohet sikurse duhet, pasi mungojnë laboratorë të specializuar për diagnostikimin e cilësisë dhe sasisë së Inhibitorit, por dhe ka mungesë së faktorit 7-të. “Unë trajtohem me NovoSeven Faktor 7-të, por ka mungesa pasi është me donacion. Pavarësisht thirrjeve të mia se Inhibitori është i rrezikshëm për jetën time, ka një heshtje nga institucionet e QSUT, MSHMS, por dhe institucioneve të pavarura, të cilat pretendojnë të jenë të tilla. Profilaksia është një nevojë urgjente për Hemofilinë dhe mirëqenien e tyre”,-shton i riu. Ai thekson se mungesa e medikamenteve dhe pritja në radhë për orë të tëra përkeqëson gjendjen e tyre shëndetësore dhe iu shkakton edhe më shumë hemorragji. “Drejtoria e QSUT-së jep një sasi të caktuar dhe e ndan në 5 apo 10 pacientë, pra ne nuk mjekohemi me sasinë e duhur, pasi ajo ndahet në sasi të ndryshme, duke mos i dhënë pacientit sasinë e përshkruar në recetë. Farmacistët që na japin faktorin shprehen se nuk ka mjaftueshëm medikament”,-thotë Nezaj.

Reagimi i QSUT
Burime nga Shërbimi i Hematologjisë bëjnë me dije për ‘Gazeta Shqiptare’ se medikamenti është marrë, por në sasi më të vogla. “Nga 3000 unite, kanë marrë 2000 të tilla, por mjaftojnë, sepse medikamenti merret përditë. Ilaçet janë marrë me vonesë, por janë marrë!”,-theksojnë burimet nga QSUT për GSH.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.