OPINION

Reshat Arbana, 78-vjetori i gjigantit të skenës

07:40 - 19.09.18 Josif Papagjoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Reshat Arbana mbushi 78 vjeç. E kush nuk e njeh atë?! Artistët janë kujtesa shëtitëse, ecin udhës së njerëzve, të shoqërojnë, të kënaqin, pikojnë mall. Dhe shumë respekt. Krejt shoqëria është krah tyre sikundër ata janë pasqyra e shoqërisë, më saktë e shpirtit dhe filigranës, e kapilarit më të imët ku ajo bulbon. Sepse arti nuk është vetëm një terapi, por dhe më e përsosura vlerë shpirtërore, ku jemi që të gjithë aty, gjejmë veten, kuptojmë humbjen dhe vuajtjen, lumturinë dhe këndelljen estetike, gjithçka. Por kur shteti si vetëdija absolute e një kombi hedh sytë me nderim nga figurat e mëdha të artit, bukur mirë për të, bukur mirë për artistin, bukur mirë dhe për të gjithë ne. E pra, unë e vlerësoj kujdesin e Bashkisë Tiranë dhe kryebashkiakut të saj Erion Veliaj, tok me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, që u bënë pjesë e tavolinës së kësaj feste për Reshatin. Unë u ndjeva vërtet i respektuar prej tij që isha i ftuar aty. Një artist si Reshat Arbana, i një përmase të papërsëritshme besoj, që të imponohet me personalitetin e vet, me figurën gati të mitizuar nëpër role të shumtë, tejet serioz dhe dinjitoz, një imazh lundrues mes nesh, ma rrëmbeu penën saora. Kam shkruar shpesh për rolet e tij dhe kam ndjerë emocion nga loja e furishme e një kahu dramatik që ai bën, shpesh e shoqëruar me shpërthime dhe vrulle ndjenjash të trazuara. Besoj se loja e tij në çastet më fatlume mbërrin tek dimensioni i sublimes dhe të madhërishmes. Më është dukur si një përrua i rrëmbyeshëm, si një katarakt që thyhet shkëmbinjve, zhurmon, të frikëson dhe ja tek copëtohet në mijëra stërkala blu duke krijuar një ylber ngjyrash: shpirtin njerëzor…




Ai lindi në Tiranë, më 15 shtator. Kreu shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” në vitin 1965, duke qenë brezi i parë i aktorëve të shkolluar që i afroheshin emrave të Naim Frashërit e Kadri Roshit, Mihal Popit e Sulejman Pitarkës. Fillimisht punoi si regjisor në ‘Radio Tirana’ nga 1965 deri më 1973, kurse nga 1974 deri më 1992 ka qenë aktor i parë në Teatrin Popullor. Nga viti 1992 e në vijim ai është aktivizuar në projekte të ndryshme teatrore apo filma si aktor i lirë në interpretimin e disa roleve. E para gjë që të vjen në gojë për Reshat Arbanën është se ai spikat si aktor i planit dramatik dhe psikologjik; karakterizohet nga një lojë që gërsheton çastet e qeta, rrëfimtare e të shtrira me ato shpërthyese, të ngjeshura dhe emocionale; ka një zë të plotë e kumbues, herë-herë në tone epike. Me lojën e tij ka sjellë një galeri tipash, që ndryshojnë sipas kohës, vendit, shtresimeve sociale, ngarkesës së tyre psikologjike dhe temperamentit. Në vitin 1974 interpretoi rolin e Selimit në dramën “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës, ku paraqiti një njeri kokëfortë, të bindur e të pakthyeshëm në rrugën e bjerrjes së tij politike e morale. Një vit më vonë i dha trajtë ekspresive personazhit të vështirë e kontradiktor prej fshatari të varfër, hallexhi, por lakmitar e kokëshkretë, Pilo Shpiragut në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes, një shfaqje dhe rol emblemë për kohën. Në teatër ka realizuar 24 role kryesore dhe të tjerë dytësorë. Prej tyre janë bërë më të njohura në kohë, gjithashtu, roli i presidentit te drama “Luiza Miler”, e F. Shilerit, 1979, përmes të cilit paraqiti prindin zëmërgur dhe pushtetarin egoist e të vrazhdët; roli i Beqir Agës te drama “Lulet e shegës” e Kolë Jakovës*, 1977, i cili, ani pse i lë haraç skemës ideologjike të kohës, aktori krijoi fytyrën e njeriut dinak, të egër, përplot tinëzi, por ama të lidhur fort me pronën dhe pasurinë, andaj dhe i besueshëm në bëmat e tij. Personazhi kompleks i Uill Lomenit te drama “Vdekja e një komisioneri” e Artur Milerit, 1979, e solli atë në një përmasë gati eksperimentale, duke vënë në spikamë me zgjuarsi delirin dhe frikën e njeriut të vogël në shoqërinë postindustriale amerikane, i shkatërruar nga mbijetesa e vështirë, shterimi i tij psikik nën trysni, që i imponohet nga tregu informal, si dhe zhgënjimi që pëson nga iluzionet. Më së shpeshti, Arabana është dalluar si mishërues i personazheve që vijnë nga shtresat popullore, punëtorë, fshatarë babaxhanë e ironikë (p.sh. xha Demit te drama Komunistët e R. Pulahës*, 1981) apo edhe nëpunës, protagonistë e antagonist. Ai rreket të zbulojë tek ata cilësi njerëzore të “fshehura”, që shfaqen befasisht në çastin e konfliktit, duke depërtuar në pështjellimet e brendshme shpirtërore. Parapëlqen një tonim përgjithësisht të “ashpër” të zërit dhe të sjelljes, ashtu sikundër në çaste pendese, reflektimi a përvuajtjeje, ai bëhet i thyeshëm, i butë, me spikama e rrafshe psikologjike vibrante, sikurse është vënë re kjo në role të tilla si Delo Sinani te drama “Përballë vetes” e R. Pulahës.

Pas një heshtjeje prej disa vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar, në vitin 2004 ai erdhi sërish me rolin e profesorit në dramën “Streha e të harruarve” të R. Pulahës, ku rishfaqi ndjeshmërinë, fuqinë dhe gjerësinë e tij të njohur aktoriale. Rëndom gjatë lojës u mëshon kundërshtive dhe kolizionit që shpreh e përfaqëson personazhi në vepër. Priret kah ballafaqimi i hapur si dhe konfliktualiteti në veprimin apo në marrëdhënien me personazhet e tjerë. Në vitin 2018, në moshën 78-vjeçare, erdhi rishtazi në skenë me rolin e babait në dramën homonime të shkrimtarit francez Florian Zeller, në teatrit “Skampa” të Elbasanit. Te ky rol ai shkriu përvojën më të mirë aktoriale vetjake duke krijuar mjeshtërisht figurën mbresëlënëse të një të moshuari që vuan nga sëmundja e alzajmerit, me humbjen e kujtesës, shastisjen, dëshpërimin e moshës, frikën nga braktisja, krenarinë, prepotencën si dhe ndjeshmëri të tjera, të cilat i gërshetoi me një sens vërtetësie shembullore. E kam parë disa herë këtë rol dhe sinqerisht mendoj se çdo aktor, i vetëm dhe përballë vetes së tij, do të mendohej fort nëse mund ta luante vallë si ai! E pra, është nga interpretimet ku ti mrekullohesh. Dhe do të uroja që vrapin Reshat Arbana, paçka se ky rol është një kulm karriere, mos ta ndalte këtu!…

Një ndihmesë të vyer artistike R. Arbana ka dhënë në kinematografi. Ka interpretuar mbi 35 role duke krijuar një profil të spikatur artistik. U dallua për sensin e tij realist dhe forcën e interpretimit qysh me rolin e Islamit te filmi “Dueli i heshtur”, 1967. Ishte një personazh i frikshëm, njeri i krimit që nuk i dridhej dora, prandaj dhe i besueshëm. Ndodh shpesh që një aktor identifikohet, ose e identifikojnë me një figurë. Masa e gjerë e telespektatorëve, edhe nga një ndjeshmëri e thukët kombëtare, e ka identifikuar Reshatin me Isa Boletinin. Ai i dha dimension historik e të madhërishëm figurës së këtij heroi e themeluesi të shtetit shqiptar në filmin “Nëntori i dytë”, 1982, me gjestin e figurshëm teksa puth flamurin, mallëngjimin, qëndrimin prej dinjitari, hirin fizik, sado që ky ishte një rol i dytë e në përmasa të vogla. Në vitin 1983 luajti figurën e vrazhdët të Ahmetit te filmi “Dora e ngrohtë”. Ai rol nuk ikën kollaj nga kujtesa. I vërtet sa s’ka. Me rolin e Daljan beut te “Kush vdes në këmbë”, u nderua me Medalionin e Festivalit të 6-të të Filmit. Në vitin 1985 interpretoi Adnan Kodrën te “Hije që mbeten pas”, kurse në vitin 1986 u nderua me Medalionin e Festivalit të 7-të me rolin e kryetarit të këshillit te “Kur hapen dyert e jetës”, nëpërmjet të cilit paraqiti procesin e vështirë të reflektimit dhe të pendesës së një pushtetari vendor, fillimisht kapadai, autoritar dhe i vrazhdët e më pas në rikthimin te vetvetja e humbur. Fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” me rolin e inxhinier Emilit te filmi televiziv “Rikonstruksioni”, 1988.

Por Reshat Arbana ka dhe një gjerdan tjetër. Ai është recitues i njohur i poezisë shqipe, sidomos i vargjeve nga veprat e Gjergj Fishtës (poema “Lahuta e malcisë” etj.), Ali Asllanit etj. Vargjet sikur ndizen, flukset dramatike, patosi, sa dhe prekja e të vërtetave tronditëse, kundërshtive, falë një satire të pamëshirshme, therëse gjer në asht, dëshmojnë se sa thellë ka hyrë aktori në frymën e vargut. Nuk lë dot jashtë vëmendjes te ky shkrim edhe role të tjerë si: Semi, filmi “Fijet që priten”, 1976; Kovi, filmi “Pylli i lirisë”, 1976; prefekti, filmi “Gjeneral gramafoni”, 1978; Beqir aga te filmi “Kur hidheshin themelet”, 1978; bimbashi, filmi “Liri a vdekje”, 1979; Mark Ukaçjerra, filmi “Të paftuarit”, 1985; Kola, filmi “Flutura në kabinën time”, 1988; Kuke Memini, filmi “Balada e Kurbinit”, 1990. Janë shumë dhe për secilin mund të shkruash po kaq shumë. Për vlerat dhe meritat e tij ai mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Por besoj se ai mban titullin më të madh të mundshëm, emrin e tij – Reshat Arbana – një nga lavditë dhe krenaritë e të gjithë neve…

Ta gëzosh 78-vjetorin artist!…

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.