Kryesore

E bija e Alqi Boshnjakut: “Pengjet” me babain. Kam mall dhe…

12:00 - 20.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kur isha e vogël, më thoshin që babai im, Alqi është poet shumë i njohur. Atëherë nuk e rrokja madhështinë e tij. E kuptova me të vërtetë forcën e penës së tim eti, vetëm kur takohesha me shqiptarë në Greqi dhe prezantohesha si e bija. Shikoja në sytë e tyre respekt dhe admirim për tekstet e këngëve që krijoi”. Amoela Boshnjaku ndjen boshllëk kur kanë kaluar 20 vite pa të atin.




Poeti e tekstshkruesi u nda nga jeta më 20 shtator të vitit 1998, ende i ri, me shumë projekte në duar dhe me një vullnet e pasion të madh për skenën e tingujt. Përmes rrëfimeve të familjarëve “GSH” synon të përkujtojë njeriun e artistin, babain e poetin, që gjurmët e tij të mos fshihen e që emri i tij të mos mbetet vetëm në arkiva. Shtysa për këtë shkrim u bë Anila Boshnjaku, që në një bisedë të rastësishme, kujtoi kushëririn e saj, që është ende kaq pranë në kujtimet e atyre që e deshën.

E BIJA
Dy dekadat pa të kanë qenë të vështira. Amoela kujton sot se kur babai i dha librin e parë, e këshilloi të lexonte dhe të kishte vullnet në jetë. Nuk e harron kurrë porosinë e tij që “një njeri pak i zgjuar po me shumë vullnet ecën më shumë në jetë, se sa një njeri shumë i zgjuar por pa vullnet”. Kujton se babait i pëlqente shumë t’i dhuronte libra e në të tërë ata shënonte me penën e tij një mesazh për të në faqen e parë. “Kam lexuar shumë libra këto 20 vitet e fundit. Ajo që më mungon më shumë është që nuk arrita kurrë të bisedoj me të për ndjenjat që më krijuan faqet e librave dhe t’i them sa të drejtë kishte atëherë”! Të afërmit e mbajnë mend si një njeri shumë të dashur, të ndjeshëm. “Në sytë e tij lexohej dukshëm një dashuri ekstreme për vajzën dhe për nënën e tij. Por dashuria në konceptin e tij kishte një përmasë shumë më të gjerë njerëzore. Kur e pyetën Alqin se cila është për ty dashuria më e madhe, ai u përgjigj: “Unë nuk do t’i klasifikoja dashuritë. Të duash do të thotë të duash një mik, një shoqe, të dashurën tende. Nuk ka vetëm një dashuri të madhe. Tani për tani, dashuria ime më e madhe është për vajzën time, Amoelën”, thotë Anila Boshnjaku, kushërira e Alqit.

FAMILJA

Ai e mbante në portofol foton e saj dhe ua tregonte të gjithëve. “Hej, shiko çfarë vajze kam unë” thoshte duke u mburrur me vajzën e tij. Alqi ishte djali i madh i një familjeje të vogël për kohën, të përbërë nga i ati Fane, e ëma Eli dhe vëllai Arian. Zoti e bekoi Alqin me një vajzë, Amoelën që ishte pika e tij e dobët, dashuria më e madhe e jetës së tij. Shumë prej teksteve të këngëve të tij janë frymëzuar nga vetë jeta e tij, ndaj janë aq aktuale dhe me shpirt. Nëna ishte një tjetër dobësi e Alqit, që e kishte idhull deri në fund të jetës. Nëna e tij, një grua zonjë e autoritare, e kujton Alqin si një djalë shembullor që e dëgjonte edhe në moshë të madhe. “Bënte shumë për mua, më respektonte shumë. Ishte korrekt (e sillte rrogën në shtëpi)”, thotë ajo, duke kujtuar e përlotur se Alqin e kishte edhe shok. “Ndanim opinionet bashkë. ‘Simfonia e nënës’, është kënga qe e shpreh këtë dashuri të thellë…”, thotë ajo. Familja kujton se Alqi Boshnjaku nuk ia thoshte fare për të ndihmuar në shtëpi. Për të vetëm arti kishte rëndësi. Punonte deri në orët e vona para ndonjë gote vere. Në kohën e festivaleve e humbiste rrugën për në shtëpi. Vinte në të gdhirë dhe fliste me një pasion të jashtëzakonshëm për këngët dhe organizimin e festivalit. Sot pa të, emocionet janë vetëm mall dhe dhimbja që vjen prej tij. Portretet e varura në mur, si çaste të ndalura në kohë, veçse e shtojnë mallin. “Veçanërisht mungesë ndjejmë në datën 25 dhjetor, dita e lindjes së tij. Na thoshte çdo vit, ‘jam i shenjtë unë, se kam lindur në një ditë me Krishtin’. Mungon humori i tij i mprehtë. Periudha e festivaleve është një trishtim i gjatë”, thotë e bija.

LIRIA E TIJ

Ndërsa Anila Boshnjaku, kushërira e tij, flet më shumë edhe për shpirtin e tij. “Ka qenë njeriu më i lirë që kemi njohur, që në kohën kur nuk ishte e lehtë të ishe i lirë… Në adoleshencë, i pëlqente të këndonte fshehurazi me kitarë këngët e ‘Beatles’, të Adrianos. Sa i ndjente ato! I pëlqente të mbante flokë të gjatë dhe pantallona kauboj. Për flokët e gjatë i dhanë një mase disiplinore në shkollë, ndërsa në Festivalin e 11-të të këngës, ku ishte në kor, pat veshur pantallona kauboj dhe për më tepër ngjyrë si vishnjë. Ato pantallona u zhdukën”, kujton Anila. Ato që mban mend ajo, janë ditët e rinisë, kur Alqi Boshnjaku hidhte hapat e parë, qeshte, gëzonte, krijonte e rriste emrin e tij. “Si kushërinj e si shokë, e kam parë atë në ditë të mira e të vështira. E kam parë duke qarë e duke qeshur, të gëzuar dhe të helmuar, të pirë dhe të etur, të ngrënë dhe të uritur, të dobët dhe të fortë”, thotë Anila. Mban mend se çdo çast Alqi mundohej ta kthente në art, në poezi, në muzikë e këngë. “Gjithmonë mendoja se në poezitë e shkrimet e tij gjeje një shpirt si të John Lennon e Bob Dylan. Kush e ka njohur nga afër, do më japë të drejtë”. Alqi ishte modern, me shpirt artistik dhe natyrë sportive. Ai nuk bënte vetëm tekste këngësh, por edhe këndonte shumë mirë. “Lajmi për aksidentin e Alqit erdhi i papritur, i zi, i pabesueshëm. Dhe sot e kësaj dite nuk mund ta besojmë që Alqi nuk jeton. Përpiqemi të bindim veten se vetëm trupi i tij nuk është mes nesh dhe se shpirti, i gdhendur në vargje mbetet i pavdekshëm”, thotë Anila.

Ai ishte njeri që falte, që dinte të pendohej. Nuk e honepste trishtimin sepse fraza “Të sotmen jeto” ishte rregulli i tij. Bëhej mik me të gjithë, me bahçevanë, punëtorë, politikanë, biznesmenë e fëmijë. Të rinjtë i mbështeste jashtëzakonisht, u ka besuar me këngët e tyre të para…

Ky ishte prindi e artisti, shoku e kushëriri, biri e vëllai Alkqi Boshnjaku: një artist 360 gradë, që këndonte, i binte kitarës, bënte poezi, bënte regji, menaxhonte banda muzikore, por edhe luante futboll, ishte sallaks dhe tifoz i çmendur i gjermanëve.

JETËSHKRIM, GJURMËT QË LA ARTISTI

 Alqi Boshnjaku lindi në Sarandë më 25 dhjetor të vitit 1954 dhe u nda para kohe nga jeta më 20 shtator 1998. Pasi mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1978, punoi si regjisor i Estradës së Ushtrisë. Në fëmijëri është aktivizuar me grupet e këngës në Pallatin e Pionierëve dhe fillesat e tij si regjisor i pati me grupet amatore të shkollave te mesme të Tiranës “Qemal Stafa” dhe “Sami Frashëri” vitet 1976-1979. Në vitet (1979-1989) ka shkruar dhe ka vënë në skenë premiera të estradave të Peshkopisë, Durrësit e Elbasanit si “O burra një burrë”, “Shtëpia e zezë”, etj. Ka qenë as.regjisor në disa filma si te “Emblema e dikurshme”, etj. Me vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri, Alqi u bë drejtues dhe inspirues i grupeve të para të muzikës moderne si “Art-ing” apo “Spirit Voice”, etj.

Nga viti 1990 deri në vitin 1998 ka qenë redaktor dhe koordinator letrar në të gjitha festivalet e këngës në RTV. Kulmi i krijimtarisë së tij artistike u shënua me pjesëmarrjen si autor tekstesh në të gjitha Festivalet e Këngës dhe koncertet e Pranverës që nga viti 1990 deri në vitin 1998. Për cilësinë e penës së tij, për aktualitetin dhe mbi të gjitha ndjenjën që përcillnin tekstet e këngëve është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Këngët e shkruara nga Alqi Boshnjaku janë vlerësuar 8 herë me çmime të para.
Kënga me titull “Larg urrejtjes”, fituese e çmimit të parë në Festivalin e Këngës në vitin 1997, e sjellë në skenë nga Elsa Lila, u kurorëzua edhe me çmimin “Grand Prix” në Varna, Bullgari, vetëm një vit më vonë. Edhe më tej, suksesit të kësaj kënge i shtohet çmimi i dytë i festivalit “Voice of Asia”, i mbajtur më 30 korrik-5 gusht 1998. Ai ka bashkëpunuar me disa këngëtarë të njohur duke sjellë këngët: “Larg Urrejtjes” Elsa Lila, “Mbi Mesdhe” Spirit Voice, “Emocion” Aleksandër Gjoka, “Të sotmen jeto” Mira Konçi, “Ti nuk më tradhton” Alma Bektashi & A. Gjoka, “Herezia” Françesk Radi, “Fal” Ledina Çelo, “Ike me Dallëndyshet” Manjola Nallbani, “Emigranti” Irma Libohova, “Si banania” Dashnor Diko, “Dua të shkoj me atë që dua” Shirli Polena, “Të pranoj si je” A. Gjoka, E. Deda, R. Makashi, “Kështu e ka jeta” Alma Bektashi, “Fuoristrada” Spirit Voice, “Pesha e Fatit” A. Gjoka, M. Nallbani, V. Tahiraj, “Mos u nxito” Anita Bitri, “Marinari” Ema Qazimi, “San Valentino” Ledina Çelo, “Simfonia e nënës” Sherif Merdani, “Kam frikë nga dashuria” Rovena Dilo etj.

Aleksandër Gjoka është shprehur se për të, firma e Alqi Boshnjakut qe një garanci për sukses. “Të gjitha çmimet e mia i kam të lidhura me të”. Ndërsa Luan Zhegu e kujton si një njeri ekspresiv dhe pasionant i çmendur. “Kur bashkëpunoja me të, ngatërroja ditën me natën. Telefonatat pas mesnate ma bënin të pasigurt gjumin dhe të sigurt suksesin”.

Kënge që janë vlerësuar me çmime të para

  1. “Mos u nxito”, çmimi i parë, Festivali i Këngës në, RTSH 1987.
  2. “Emocion”, çmimi i parë, Koncerti Pranverës 1993.
  3. “Të sotmen jeto”, çmimi i parë, Festivali i Këngës në RTSH 1994,
  4. “Pesha e fatit”, çmimi i parë, Festivali i Këngës në RTSH 1995.
  5. “San Valentino”, çmimi i parë, Koncerti i Pranverës 1996.
  6. “Larg urrejtjes” çmimi i parë, Festivali i Këngës në RTSH 1997.
  7. “Si Bananja” çmimi i parë “Kënget e stinës” 1997.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.