OPINION

Gjermania flet 2018, po ne?

07:25 - 22.09.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këtë të diel, më 23 shtator, me nismën e 10 gazetave më prestigjioze dhe disa sponsorëve në Gjermani do të zhvillohet edicioni i dytë i fushatës masive publike “Gjermania flet 2018” (Deutschland spricht 2018). Falë rëndësisë së saj të madhe, kjo veprimtari këtë radhë do të zhvillohet nën patronazhin e lartë të Presidentit Federal gjerman, Frank – Walter Steinmeier. Ky i fundit, krahas Kancelares Merkel njihet si politikan model në drejtim të komunikimit dhe të folurit publik.




Me këtë rast, gjermanët, brenda dhe jashtë vendit janë ftuar qysh në muajin gusht që me përgjigjet ndaj disa pyetjeve themelore mbi aktualitetin politik të vendit të përcaktojnë idetë dhe mendimet e tyre politike mbi pesë aspekte themelore – nëse ndihen më mirë tani se më parë, azilin, sigurinë e kufijve të brendshëm, tatimit të disa produkteve dhe qëndrimeve ndaj Presidentit amerikan, Donald Trump.

Mbi këtë bazë janë përzgjedhur 10.000 çifte, nga 600  vitin e kaluar me ide dhe mendime të ndryshme/kundërta politike, të cilët më 23 shtator do të flasin dhe shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin në mjedise publike, studio televizive, në parqe, kafene, në linjë etj., në të gjithë vendin.

“Gjermania flet” merr shtysë nga domosdoshmëria urgjente për një dialog dhe kulturë të re politike, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e deri në majat më të larta të politikës. Dëgjimi i ideve dhe mendimeve të tjetrit, sidomos kur ato janë të ndryshme dhe të kundërta, shprehja e tyre lirshëm me etikë, qetësi, kulturë, pa teprime, ca më pak pa sharje, ofendime dhe sulme personale është bërë kusht i domosdoshëm i përparimit demokratik. Kjo nevojë ka dalë edhe më shumë në pah me përshkallëzimin e populizmit dhe ekstremizmit; këta të fundit po shfrytëzojnë mjeshtërisht atë që konsiderohet si “diktatura e ndjenjave, inatit dhe mllefit” dhe “kulturën e fajësimit” kolektiv të elitave, në vend të debatit dhe arsyetimit logjik. Dihet se për populistët dhe ekstemistët rëndësi nuk ka se çfarë por mënyra si thuhet, jo faktet, por perceptimet, jo brendia, por forma, jo fjala e qetë, por me zë të lartë deri në të bërtitura dhe gjuhën e urrejtjes.

Fatkeqësisht kjo gjuhë rruge, jo detyrimisht me tone të larta, por vrastare dhe ofenduese po shfaqet edhe në ligjërimet publike të disa politikanëve të njohur gjermanë. Kështu, kryeministri i Landit të Bavarisë, Markus Soder duke u referuar krizës së azilit përdorte vend e pa vend derisa iu ndalua nga gjykata termin “turizëm i azilit”, duke konsideruar “turistë shëtitës” të gjithë azilkërkuesit, ndonëse shumica e tyre largohen nga flakët e luftës dhe dhunës. Ndërsa Horst Seehofer, ministri i Brendshëm Federal  gjerman, lider i Partisë bavareze CSU me rastin e përvjetorit të lindjes në korrik, njoftoi me gëzim se “riktheu 69 afganë, aq sa vjeç mbushi” çka hasi në reagime të ashpra publike.

Në themel të fushatës “Gjermania flet” qëndron fakti se nuk ka të vërtetë absolute dhe me “V” të madhe, se kurrkush nuk e ka “monopolin” “mbi këtë të vërtetë dhe se vetëm mund t’i afrohesh asaj, veçse gjithnjë me fakte dhe argumente bindëse, të shprehura me kulturë dhe qetësi”.

Gjithashtu, në kushtet kur bota po ballafaqohet me komplekse të ndërlikuara problemesh, dëgjimi i tjetrit me kulturën e debatit përbën bazën solide për mirëkuptim, mirëbesim dhe për rrjedhojë shmangien e gjuhës arrogante, shpifjeve e sulmeve personale. Ajo niset gjithashtu nga ideja se mendimi i tjetrit mund të rezultojë më i drejtë, ndaj duhet dëgjuar me respekt dhe vëmendje.

Ja përse po theksohet momenti që të “të flasim me njeri tjetrin, dhe jo kundër njëri-tjetrit”. Për shkak të globalizmit që ka ndikim dhe në këtë fushë, “Gjermania flet” do t’i kapërcejë kufijtë gjermanë; ajo do të zhvillohet dhe në Norvegji, Suedi, Danimarkë dhe Austri me logon “My country talks” (vendi im bisedon).

Lind me të drejtë pyetja: kur Gjermania, kjo kampione e demokracisë dhe lokomotivë e ekonomisë së Evropës është e shqetësuar dhe ndjen nevojën të flasë dhe bisedojë, po në Shqipërinë tonë, ku këto probleme janë bërë “ulëritëse” edhe sa do vazhdojmë të mos sillemi kështu, por gjithnjë e më shumë të thërrasim dhe bërtasim? Nuk themi ndonjë të re kur përmendim gjuhën që është pak ta quash “të drunjtë” etiketimet dhe sharjet “me libër shtëpie” deri te të bërtiturat, klithmat, ulërimat dhe kacafytjet fizike në jedise të ndryshme publike, private, në familje dhe jetën bashkëshortore. Madje nga përjashtime, duket se këto prirje joqytetare dhe demokratike po bëhen pothuajse rregull; shembullin e japin të parët një numër deputetësh në sallën plenare të Kuvendit dhe në komisione; bashkë ata edhe disa opinionistë i sheh  çdo mbrëmje në debatet televizive dhe të shtypit, në bisedat e kafeneve etj., ku bashkëbisedimi degjeneron deri në përplasje dhe dhunë verbale e fizike. Për ironi të fatit dhe tolerancës së pajustifikueshme të moderatorëve të këtyre rubrikave, “fituese” e këtyre sherrnajave mbetet shikueshmëria e lartë!

Sepse kur nuk dëgjohet mendimi i tjetrit, cilido qoftë ai, kur shahesh dhe ofendohesh me “nënë e me babë”,  fundi asnjëherë nuk i dihet se ç’mund të ndodhë. Për ironi të fatit, sa më shumë shtohen rezolutat, kodet dhe urdhrat, aq më shumë acarohet fjala dhe debati i lirë që po ngjan përherë e më shumë si një mall luksi. Por, edhe aty ku nuk ka klithma e të bërtitura, ekziston prirja që në vend të bisedës dhe shembullit të mirë, të diktohet mendimi i tjetrit, vetëm falë lidhjes me një parti, një biznesi apo çfarëdo shkaku tjetër. Ndaj, shumë ankohen se për ta, këto bashkëbisedime kthehen në një ferr dhe torturë të vërtetë; në vend të ndjejnë kënaqësi, ata “vuajnë” sepse bashkëbiseduesit e tyre duan vetëm të shfryjnë ato çka dëgjojnë, sidomos në rrjetet sociale dhe “fake news” pa kurrfarë reflektimi.

Vështirësia tjetër, sidomos për të rinjtë, qëndron në fetishizimin e rrjeteve sociale dhe të shoqërisë së informacionit; kjo e fundit nuk po kthehet dot në “shoqëri të dijes”, por degjeneron në baltë dhe vulgaritet. Intensiteti dhe shpejtësia marramendëse e hapave që duhen hedhur dhe vendimeve përkatëse u lë njerëzve e sidomos të rinjve fare pak ose aspak kohë për të menduar, reflektuar dhe analizuar dukuritë e ndryshme dhe mbi bazën e shkëmbimit të informacionit të përftuar, të nxirret përfundimi më i drejtë.

Shkak tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me kulturën deficitare politike të fjalës dhe bisedës, ndarja si në luftë në “llogore” dhe “istikame” ideologjike e partiakë, duke “qëlluar me breshëri” këdo që del përpara me kundërshtime dhe alternativa të ndryshme, për këtë qëllim nuk e kemi për gjë të vëmë në përdorim një “arsenal gjigant me municion” dhe të hedhim baltë mbi të kaluarën e një personi, pa u ndalur te idetë e tij. Jemi bërë vend tipik ku njerëzit ndahen në “të mirë dhe të këqij, në pozitivë dhe negativë, në miq dhe armiq, apo në ne dhe ata”. Së fundi, edhe disa nga politikanët tanë kryesorë, dje dhe sot, me gjithë premtimet nuk kanë arritur të krijojnë, ca më pak të japin shembullin e tyre për forcimin dhe përhapjen e kësaj gjuhë, fryme dhe kulture politike të debatit pa shere, pa paragjykime,  epitete dhe metafora ofenduese. Aq sa arti i qeverisjes apo lidershipit po reduktohet në një ‘show’ dhe garë batutash pa kripë; më shqetësuesja është se edhe shumë politikanë të rinj të shkolluar në Perëndim jo vetëm nuk po bëjnë ndryshimin apo diferencën, siç pritej, por po bien dhe ata në jo pak raste në këtë batak, qoftë dhe thjesht me heshtjen e tyre. Kësisoj, kompromentohet edhe shembulli i mirë i politikanëve të tjerë që shquhen për kulturën e komunikimit.

Ja pse “Deutchland spricht 2018” përbën një rast të dobishëm reflektimi dhe pikë referimi edhe për Shqipërinë, për njerëzit e thjeshtë dhe politikanët më të lartë, që të mos bërtasin dhe çirren, por të mësojnë të flasin dhe bisedojnë si në një shoqëri të vërtetë demokratike, ku gjithçka fillon nga fjala; që ajo të mos pengohet, përndiqet dhe burgoset, por edhe të mos jetë “e rëndë si plumbi” e të mos “thyejë kocka”. Lajmi i mirë është se kjo nuk kërkon kurse,  trajnime, mastera, ndihma, kushte dhe kritere, por vetëm vullnet pozitiv dhe lidership të vërtetë. Ndaj, fushata të tilla si “Gjermania flet 2018” apo edhe me emra të tjerë, janë mëse të nevojshme dhe të mirëpritura edhe te ne.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.