MILOSAO

“Aida” në “Metropolitan Opera”

13:15 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sul Gragjevi, kritik muzike –  “Aida” është opera më e suksesshme e repertorit të grand operas së shekullit të 19. Ismail Pasha , kedivi i Egjiptit, i propozoi Verdit që të shkruante një opera me përmbajtje nga historia e vjetër e vendit të tij. Vepra u komisionua nga Khedival ‘opera house’ e Kairos. Premiera do të shfaqej në vitin 1871, por u vonua dhe nuk u dha në datën e caktuar, sepse kostumet dhe pjesët e dekorit që do të vinin nga Parisi u vonuan për arsye të luftës Franko-Prusiane. Përfundimisht, opera u shfaq në Kairo, më 24 Dhjetor 1871.
Eshtë folur shumë sikur opera është shkruar posaçërisht për t’u shfaqur në ditën e përurimit të Kanalit të Suezit, po kjo s’është e vërtetë. Në atë ditë u shfaq opera tjetër e Verdit, “Rigoleto”. Verdi ishte vërtet i lumtur që po e shkruante Aidën në prag të hapjes së Kanalit të Suezit, por refuzoi ta kompozonte sipas urdhërave diktuar nga të tjerët. Madje, ai nuk pranoi të shkruante as Himnin e Përurimit të Kanalit, për të njëjtën arsye. Verdi nuk i pati duart e lira në subjektin e librettos, por Ghislanzoni i dha atij një libër të mrekullueshëm.




Kompozitori i madh e shkroi operën në bashkëpunim me libretistin italian Antonio Ghislanzoni, duke u konsultuar edhe me egjiptologun frëng Auguste Mariette. Është bërë e njohur që, prej vitit 1886, Aida është shfaqur mbi 1100 herë dhe dëgjohet gjithmonë me admirim si nga muzikantët, ashtu dhe nga publiku i gjerë. Ajo konsiderohet “opera e këngëtarëve” dhe këta këngëtarë duhet të kenë zë madhështor, ashtu si arkitektura kolosale egjiptiane. Vepra është kombinim i shkëlqyer i “grand operas” më të përpunuar me bel canto dhe me teknikë orkestrale moderne. Ajo përbën një fazë të re në zhvillimin e krijimtarisë së kompozitorit si dhe të stilit të ri. Megjithëse u shfaq në vitin 1871, opera ka ende freskinë artistike, nuk ka humbur asgjë, admirohet universalisht dhe është shumë popullore. Ajo është, gjithashtu, e para midis shumë veprave të tjera të Verdit , që braktisi “momentet e mëdha” në favor të një punimi integral të kompozuar. Dramaciteti i operes rritet dhe rrjedh në mënyrë llogjike; skenat spektakulare janë pjesë e kësaj llogjike. Giuseppe Verdi ishte i dëshpëruar me traditat e “scrittura pratica”-s, të cilat kërkonin subjekte mesjetare, me pasione pa kufi. Me Verdin, opera tregoi një zhvillim të madh në çdo aspekt, në melodi, në harmoni e orkestracion gjithashtu dhe në formën e organizimit. Skenat madhore janë të mprehta, veçanërisht kur Verdi përdor një deklamim të thjeshtë. Gjithsesi në vepër nuk ka asgjë të zakonshme; dëgjuesi është tërësisht i zënë sapo fillon opera me preludiin fin, e pas tij me duetin, që lartësohet mrekullisht.
Veçori veçanërisht e lavdërueshme e operas Aida është mënyra me të cilën Verdi përdori me mjeshtëri kolorin lokal. Në vend të ekzotizmit dhe të orientalizmit, ai përdori tërësisht koncepte harmonike, melodike dhe orkestrale perëndimore për të ngjallur një atmosferë tërheqëse, ndërsa në skenën e Nilit, avancoi në fushën kompozicionale sipas Claude Debussy-së.

Opera përbëhet nga katër akte:
Akti i parë zhvillohet në dy skena, në pallatin mbretëror, në Memfis. Gjenerali i ri egjiptian, Radamesi, mëson nga Ramfisi, kryeprift i Egjiptit, që etiopasit i kanë shpallur luftë përsëri egjiptianëve. Ramfis shkon për të njoftuar Faraonin. Radames shpreson se do ta zgjedhin komandant dhe dëshiron që të fitojë në fushën e betejës, në mënyrë që të ndihmojë Aidën, bijën e mbretit të Etiopisë me identitet të fshehur, të cilën egjiptianët e kanë kapur dhe e mbajnë të robëruar. Ai e dashuron atë në fshehtësi. Aida gjithashtu e dashuron Radames-in. Në skenë shihet të hyjë Amneris, princesha egjiptiane, që shpreson të fitojë dashurinë e Radames-it, ndonëse ka një parandjenjë që zemra e tij i takon dikujt tjetër. Kur vjen Aida, Amnerisi vë re një ndryshim në sjelljen e Radames-it dhe e kupton që Aida është rivalja e saj, por mundohet ta fshehë xhelozinë që ka dhe i afrohet Aidës, duke u shtirë si mikeshë. Vjen lajmi se etiopianët, të udhëhequr nga mbreti i tyre Amonasro, i janë drejtuar qytetit të shenjtë Teba. Faraoni shpall gjendjen e luftës dhe e emëron Radames-in komandant të ushtrisë. Të gjithë duan që ai të kthehet fitimtar, ndërsa Aida fajson veten e saj që dashuron njeriun, i cili drejton ushtrinë e tij në luftë kundër babait të saj , nisur në luftë për të shpëtuar të bijën. Priftërinj e priftëresha si dhe gjithë të tjerët, me këngë e valle luten për për fitoren e ushtrisë egjiptiane.
Akti i dytë zhvillohet gjithashtu në dy skena. Egjiptianët festojnë fitoren e Radames-it dhe të ushtrisë egjiptiane, duke kënduar, ndërsa Amneris përgatitet të presë në dhomat e saj fituesit. Ajo ende nuk është e sigurt në dashurinë e Radames-it dhe pyet veten e saj, “A thua Aida është vërtet e dashuruar pas gjeneralit të ri?” Aida hyn brenda duke mbajtur kurorën, të cilën Amneris duhet t’ia dorëzojë Radames-it. Që të kuptojë ndjenjat e Aidës, Amneris i thotë asaj se Radames është vrarë në luftë. E shokuar, Aida pranon që zemra i rreh për Radames-in, ndërsa Amneris tërbohet dhe, në mllef e sipër, i tregon Aidës të vërtetën: “Radames është gjallë !” Para se të ndahet, ajo i thotë Aidës që do të hakmerret ndaj saj.

Në skenën e dytë, Radames hyn triumfalisht me trupat në qytetin e shenjtë Tebë, bashkë me ushtarët etiopianë të zënë robër, midis të cilëve është edhe mbreti Amonasro. Amonasro, i maskuar, u thotë të gjithëve, se mbreti i Etiopisë është vrarë në luftë. Faraoni e shpall Radames-in fitimtar dhe deklaron se i jep të bijën Amneris për grua si dhe çdo gjë tjetër që ai dëshiron. Radames i lutet Faraonit që të lirojë robërit e luftës dhe Faraoni e pranon këtë kërkesë. Ai i liron të gjithë përveç Aidës dhe babait të saj, të cilët i mban, sipas këshillave të Ramfisit, si kusht që etiopianët të mos sulmojnë më Egjiptin.

Akti i tretë zhvillohet te bregu i Nilit afër faltores, ku Amneris,e shoqëruar nga Ramfis, vjen që t’i lutet perëndeshës Izida për martesën e lumtur me Radames-in, duke mos e ditur që Aida do të takohej aty me Radames-in. Vjen fshehurazi dhe Amonasro, i cili kërkon nga e bija të mësojë nga Radames rrugëkalimet e ushtarëve egjiptianë, me qëllim që etiopianët të sulmonin befasisht përsëri Egjiptin. Por Aida refuzon, ndërsa i ati e mallkon: “Ti s’je më vajza ime, por një skllave e Faraonit”. Duke parë që po vjen Radamesi , Amonasro fshihet për të dëgjuar se çfarë do të thonë dy të rinjtë. Radames i shpreh me zjarr Aidës dashurinë, duke i premtuar edhe martesën. Ajo mundohet ta bindë të dashurin që të ikin së bashku në shkretëtirë, kurse Radames i propozon të largohen në rrugën nga ku nuk kalojnë ushtarë egjiptianë. Nga faltorja del Amneris e cila rastësisht bashkë me kryepriftin Ramfis ka dëgjuar bisedën e tyre. Radames, zbulohet dhe akuzohet si tradhtar, por e mbron Aidën dhe të atin e saj, ndërsa ai vetë dorëzohet te garda. Aida dhe Amonasro ndërkaq largohen. Amneris i premton Radames-it se do ta shpëtojë, nëse ky do ta harrojë Aidën. Por ai është i palëkundshëm ndaj lutjeve të saj. Atëhere fillon gjykimi për tradhëtinë e tij ndaj atdheut. Radames hesht gjithë kohën, duke mos iu përgjigjur tri akuzave të paraqitura nga Remfis. Amneris i bën të ditur Radames-it që Aida nuk është ekzekutuar ende, ndonëse priftërinjtë e kanë dënuar me vdekje dhe do ta vendosin të gjallë nën themelin e faltores. Amneris u lutet priftërinjve për mirësi, por ata nuk bëjnë asnjë lëshim.

Skena, ndërkaq, ndahet në dy pjesë. Njëra tregon një tempull dhe Radames-in e mbyllur brenda varrit, ndërsa pjesa tjetër tregon Amneris-in mbi varr. Duke menduar se është vetëm, Radames i lutet asaj që Aidën ta shpjerë në një vend të sigurt. Ndërkaq, ai dëgjon diçka dhe, para syve të tij, shfaqet Aida e fshehur, që dëshiron të vdesë bashkë me të dashurin e saj. Pas kësaj dëgjohet recitativi – pasazh i tretë i skenës së varrit- me shoqërim orkestral, si një këmbanë vdekjeje, që shkrihet në një frazë melodioze të bukur dhe të harmonizuar, ku Aida i thotë Radames-it që do të vdesë aty, në krahët e tij. Radames mundohet të ngrejë pllakën e varrit, po e sheh se s’ka shpëtim për ta. Të dy të dashuruarit e pranojnë fatin e keq të tyre dhe vdesin të përqafuar, ndërsa mbi faltore, Amneris i lutet perëndive që t’i dhurojnë Radames-it paqë të përjetshme.
Në një letër dërguar libretistit të tij gjatë krijimit të skenës së fundit, Verdi shkruan: “Do të preferoja diçka të ëmbël, qiellore, një duet shumë të shkurtër, si një lamtumirë ndaj jetës. Aida duhet të perëndojë në krahët e Radames-it. Ndërkohë, Amneris, e gjunjëzuar në pllakën e gurtë duhet të këndojë “Requiescant in pace” (“Të pushojnë në paqë”). Pas kësaj Aida dhe Radames fillojnë duetin e tyre final të ndarjes me jetën e trishtuar dhe të kalimit në përjetësi”.
Në aktin e katërt, skena e varrit është tepër e veçantë. Pas recitativit, Radames/Aida, introduksioni orkestral i harqeve është i qetë dhe sjell një gjendje të trishtuar. Radames këndon ngadalë, i shoqëruar nga muzika:

“La fatal pietra sopra me si chiuse;
Ecco la tomba mia.
Del di la luce piu` non vedro …
non rivedrò più Aida”. ”
(“Guri fatal mbi mua po mbyllet. Ja varri im. Nuk do të shoh më dritë nga lart…Nuk do ta shoh më Aidën”); ndërsa Aida, e shoqëruar nga orkestra, me nota të regjistrit të poshtëm shpreh gjëndjen e saj të rëndë dhe vendosmërinë për të vdekur në krahët e Radames-it :
“In questa tomba che per te s’appriva
Io penetrai furtiva,
“E qui lontana da ogni umano sguardo
Nelle tue braccia desiai morire”.
Pas kësaj, vijojnë dy ariozo, që Verdi i ka shkruar, njërën për Radames-in dhe tjetrën për Aidën.
Radames reagon “Con passione”
“Morir! si pura e bella!
Morir per me d’amore’
Degli anni tuoi nel fiore …….
Aida është e eksituar, (harqet e lartë)
“Vedi? di morte l’angelo
Gia`veggo il ciel dischiudersi;
Ivi commincia l’estasi
D’un immortal amor.
Ndërsa në duetin që vijon mes Aidës dhe Radames-it, Verdi përsërit dy herë lamtumirën e tyre për jetën dhe tokën.
“O terra, addio, addio, valle di pianti,
Sogno di gaudio che in dolor svani,
A noi si schiude il ciel …..
Amneris dëgjohet të kërkojë paqë, “Pace t’imploro, salma adorata”, ndërsa kori i këndon pafundësisë së përjetshme.
Performancat e operës “AIDA”, janë kthyer shumë herë në ngjarje të mëdha muzikore. Në vitin 1959, Herbert von Karajan dirigjoi performancën e Vienës , ku kënduan Renata Tebaldi (Aida), Giulietta Simionato (Amneris), Carlo Bergonzi (Radames), Cornell MacNeill (Amonasro), të shoqëruar nga Kori dhe Orkestra e Operas së Vienës. Carlo Bergonzi në pjesë të veçanta ishte një tenor model, me pasion të madh dhe në partneritet me Tebaldin, ai ishte një Radames heroik, plot shkëlqim. Renata Tebaldi paraqiti një portret verdian të Aidës, ajo këndoi në fraza të veçanta me një zë “ton-color” , duke kërkuar thellësi të re të imagjinatës, ndërsa Simionato, në rolin e Amneris-it, ishte një mezzosoprano e përsosur; ajo siguroi portretin brilant të një karakteri të rëndësishëm.

Një tjetër nga performancat e regjistruara me cilësi të lartë ishte ajo e vitit 1955, e dirigjuar nga legjendari Tullio Serafin. Në këtë performancë të La Scala-s, kënduan Maria Callas (Aida), Fedora Barbieri (Amneris), Richard Tucker (Radames) dhe Tito Gobbi (Amonasro). Callas-i portretizoi princeshën Etiopiane në mënyrë mahnitëse kundrejt mjeshtërisë dramatike të Tito Gobbit, në një partneritet të suksesshëm ashtu si te Tosca e Puccinit. Dueti i tyre në klimaksin e skenës së Nilit ndiqet nga aria madhështore e Aidës, “O patria mia”, që qe e pakrahasueshme. Notat e larta të saj ishin edhe këtu si dy vjet më parë në Covent Garden, kur performancën e dirigjoi John Barbirolli. Tenori Tucker në rolin e Radames-it realizoi një figurë të bukur, fine dhe heroike, ndëra Fedora ishte një Amneris mbresëlënëse gjithë kohën. Përpara siparit final, një figurë e trishtuar futet në tempull mbi varr për tu lutur. E tharë nga i gjithë ai emocion, që u derdh në skenat e mëparëshme, Amneris-i mundi vetëm të pëshpëriste në monotoni: “Paqë, pusho në paqë, unë lutem” (“Pace t’imploro”), në kontrast të fortë me violinat e “larta”, që marrin përsipër melodinë e duetit Radames-Aida të ngjitjes drejt “dritës së përjetshme”.
“Arena”e Veronës është kthyer tashmë në një emblemë, teksa në parafytyrimin tonë vjen përherë me trombat e drejtuara nga qielli, gjatë “Marshit triumfal” të “Aida”-s, shoqëruese të kthimit të ushtrisë me Radames-in fitimtar në krye. E pandarë nga ky parafytyrim është dhe figura e tenorit brilant, të papërsëritshmit Pavarotti, i cili ka mbetur si rrallëkush i gjallë në zemrat e gjithë spektatorëve të botës.
Opera “Aida” është përshtatur disa herë për film. Realizimi më i rëndësishëm ka qenë filmi italian i vitit 1953, me Luis Maksvell-in dhe Sofia Loren-in në rolet kryesore si dhe prodhimi filmik suedez i vitit 1987.

Suksesi i operës “Aida” nuk qëndron në “lehtësinë” e gjuhës muzikore, po në tensionin e saj dramatik.Vetë Verdi e ka theksuar këtë në shumë letra të tij. Dritëhijet dramatike të veprës janë të theksuara dhe të shpërndara mjeshtërisht në tërësinë e saj. Kur veprimi ka kërkuar që muzika t’u drejtohet formave tradicionale, kompozitori gjenial nuk i ka lënë mënjanë gjetjet e mjeteve të reja shprehëse për t’i dhënë forcën e duhur konfliktit. Në ndërtimin solid dhe të gjerë të partiturës përfshihen dhe vallet, pjesët korale e “koloriti lokal”, si domosdoshmëri krijimi për “grand opera”-n. Te “Aida” Verdi arriti të shkrijë stile nga më të ndryshmet, me shkathtësinë dhe lehtësinë që e karakterizonte, duke krijuar një vepër, ku ndjenja dhe mendimi kanë plazmuar një ndër kryeveprat e botës së magjishme muzikore.
Franco Zeffirelli, mbas 14 vitesh i kthehet skenës si regjisor duke hapur sezonin e Teatrit La Scala më 7 Dhjetor me Operen Aida të Verdit. Mbas përfundimit të shfaqjes ai u prit me duartrokitje dhe ovacione për gjysëm ore “Bravo, Bravo” ku ishin të pranishëm edhe Romano Prodi dhe Angela Merkel. Në fund, ai tha:
“Kjo mbrëmje e ktheu Operen Aida në piedestalin që i takonte ndërsa është tani detyra e jonë që t’i kthejmë “La Scalas” lavdinë e dikurshme dhe ta bëjmë atë “Opera House” të parën në botë”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.