MILOSAO

Kolë Maca, artisti që u tregoi një shekull më parë italianëve imazhin e shqiptarit

15:00 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qerim Vrioni – Një nga fotografët më të shquar shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, mbetet pa dyshim Kolë Maca (1882-1945). Mësimet e para në lëm të “dhomës së errët”, ai i mori si të thuash vjedhurazi në studion e artistit dhe mjeshtrit shkodran, Kolë Idromeno, ku punoi qysh djalë i ri, si ndihmës (Sipas bisedës me piktorin Ndoc Gurashi, Shkodër, tetor 2012). Më pas, Maca ka thelluar njohuritë e tij mbi proceset fotografike në Austri (Gjithmonë sipas bisedës me N.Gurashin). Gjithsesi, shkruesi i këtyre radhëve ende nuk ka gjetur të dhëna të sakta mbi mënyrën e vajtjes, emrin e shkollës a kursit të fotografisë dhe kohëzgjatjes e studimeve të Kolë Macës në Austri.
Pas kthimit në atdhe nga Austria, ai hapi në Shkodër, në vitin 1910, në moshën 28-vjeçare, studion e tij fotografike, pa harruar të krijoj edhe vulën e tij të parë vetjake (të njomë) e cila do t’u vendosej mbrapa fotove të stampuara..




Por, para hapjes së studios dhe punës në të, Kolë Maca kishte arritur diçka krejt të veçantë, botimin në shtypin italian të kohës, pra mbi 100 vite më parë, dy artikuj mbi Shqipërinë të shoqëruar edhe me foto të tija të karakterit dokumentar, historik, etnografik, gjeografik, social etj. Ata, janë publikuar në faqet e “Revista Mensile del Corriere della Sera” (Revista e përmuajshme e Corriere della Sera) në Kol Mazza 1907:1 ago, fascicolo 8, dhe në Kol Mazza-1908: 1 mag, fascicolo 5, pra i pari në 1 gusht 1907 dhe i dyti në 1 maj 1908, në një largësi kohore prej 8 muajsh nga njeri-tjetri. Duhet shtuar se “Corriere della Sera”(Milano), qysh prej numrit të parë të saj, në vitin 1876, vazhdon ende sot të mbetet një nga gazetat më serioze, më ndikuese dhe më jetëgjata në shtypin e shkruar në Itali (tashmë edhe në internet, online).

Shkrimi i parë i Macës titullohet “Tra i montanari albanesi” (Midis malësorve shqiptarë) i takon datës 1 gusht 1907 dhe shoqërohet
me gjashtë foto bashkëngjitur me poshtë shënimet përkatëse. Natyrisht fotot e Macës ndihmojnë lexuesin italian për të perceptuar sa më mirë përmbajtjen e tekstit të shkruar. Aty shpalosen të dhëna etnografike, për traditat e popullit shqiptar, organizimin e jetës shoqërore, për bajraktarë dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit, për dukurinë e gjakmarrjes, ceremonitë e martesave etj. Madje njëra nga fotot paraqet një dasëm në veri të Shqipërisë, ndërsa një tjetër pasqyron një ceremoni vdekjeje sipas riteve tradicionale të krahinës. Të dy këto foto më vonë u shtypën në Itali dhe qarkulluan si kartolina postare

Në pjesën e artikullit që merret me ruajtjen e traditave të hershme nga popullsia shqiptare në vite, vend të veçantë në shkrim i jepet veshjes së tyre. Autori analizon mënyrën e .të veshurit të banorve të ndryshëm, të fshatit dhe qytetit, ndikimet nga lindja dhe nga perëndimi, me tendencë të zmadhimit të kësaj të dytës. Shkrimi nuk është i gjatë, rreth dy faqe, duke përfshirë brenda tyre edhe gjashtë fotot e autorit. Sidoqoftë, për një njëzetëepesë vjeçar siç ishte Maca në atë kohë, artikulli mund të vlerësohet si shumë i mirë, aq më tepër po të mendojmë (hamendje) se e ka shkruar vet në gjuhën italiane.


Në numrin e datës 1 maj 1908, sërish “Revista Mensile del Corriere della Sera”, publikon në faqet e saj shkrimin e dytë (mesa dijmë deri tani se mund të ketë edhe të tjerë) të fotografit Kolë Maca me titull “Monumenti e costumi albanesi”(Monumente dhe kostume shqiptare), i shoqëruar edhe ky po me gjashtë foto të autorit. Imazhet fotografike të dala nga objektivi i Macës, ashtu si edhe në artikullin e parë, ilustrojnë mirë përmbajtjen e materialeve shkrimore. Në artikull paraqiten informacione të ndryshme me karakter gjeografik ndërthurrur me mjaft kujdes dhe kulturë edhe me historinë dhe etnografinë e popullit dhe kombit shqiptar.

Ndër të tjera, në shkrim gjendet edhe fraza disi e guximshme dhe disi sfiduese se “Kur të gjithë tokat e Hungarisë, Serbisë, Bullgarisë filluan të nënshtrohen nga fuqia e Gjysëm-Hënës (Perandorisë osmane-shën.im) dhe së fundmi edhe Viena u kërcënua, Shqipëria e vetme ia ndaloi hapat dhe qëndroi e fortë para barbarëve “(turqëve-shën.im). Madje, vazhdon, kjo tokë heronjsh dikur ishte Muri Kinez për turqit. Këto pohime, për luftrat e Skënderbeut kundra pushtuesve otomanë, edhe me bazë krahasimin, tregojnë jo vetëm, njohjen mirë nga Maca të historisë së Shqipërisë, dashurinë për atdheun e tij, por edhe theksimin e vlerave më të spikatura të saj për lexuesin Italian. Për veprën e Heroit tonë Kombëtar , Maca paraqet edhe disa cilësime sipërore të të huajve. Duhet shtuar se artikujt u shkruan në kohën (fillimi i shekullit XX), kur shqiptarët ndodheshin ende nën pushtimin osman, çka flet edhe për kurajon civile të fotografit.

Më poshtë, në shkrim flitet edhe për kështjellën simbol të Shkodrës me emrin Rozafa, origjinën e emrit, historinë dhe legjendën e saj tepër të veçantë, si dhe vendin që ze ajo kulturën shqiptare. Maca e shpjegon legjendën e Rozafës, bash ashtu si paraqitet edhe sot e gjithë ditës, në Shqipër e kudo në botë, nëpër libra dhe botime të tjera me karakter historik dhe antropologjik.

Artikulli më poshtë, jep një panoramë zgjeruar (edhe me foto) të veshjeve popullore tradicionale të krahinave të veriut, duke u ndalur më shumë në zonën e Mirëditës, për qëndresën e të cilës kundra pushtimit otomna, shfaq simpati e respekt të madh. Po ashtu, shkrimi shoqërohet edhe me foto të Urës së Bunës dhe Urës së Mesit, bashkë me shpjegime për ndërtimin e tyre.

Si përfundim lindin fare të natyrshëm disa pyetje për këto dy publikime. Si ka mundur një djalë i ri shkodran të shkruaj artikuj me këto vlera për disa fusha të jetës shqiptare dhe t’i botojë ata jashtë vendit ? Pse i ka bërë vend organi i shtypit, thuajse më autoritar italian, një publicisti (të themi publicist se atë natyrë kanë shkrimet) të huaj, kur atje shkollat e shumta nxirrnin çdo vit me dhjetra në mos me qindra gazetarë e historianë ? A i ka shkruar drejtëpërdrejtë në italisht shkrimet e tij Kol Maca, apo janë përkthyer nga shqipja ? Mandej, a i janë kërkuar shkrimet nga redaksia e “Corriere della Sera” apo i ka nisur autori vet për botim ?
Përgjigjet e sakta e shteruese të këtyre pyetjeve mund t’i japin kërkimet e mëtejshme (dhe të pritshme) për jetën dhe veprimtarinë e fotografit të dalluar Kolë Maca. Sidoqoftë, mungesa e deritanishme e përgjigjeve nuk e zbeh aspak vlerën e këtyre shkrimeve , përkundrazi e paraqet fotografinë shkodran, përveç mjeshtër të aparatit edhe një publicist të aftë, me kulturë e mjaft kurajoz.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.