MILOSAO

ORA ME QYQE

12:37 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga inati më vjen të them: Liria qenka nëna e të gjitha luftërave. Kështu shprehet akademiku i njohur Rexhep Ferri në një nga esetë që e ka përcjellë enkas për “Milosaon”. Mundimi më i madh i tij është për të treguar përmes fjalës kaosin që e ka ngërthyer qenien shqiptare dhe që e mban fort shtrënguar. Ai nuk tutet të tregojë mërzinë, frikën dhe konfuzionin e tij të madh…për këtë mjedis që kanë krijuar shqiptarët dhe që po kthehet në armikun më të madh të vetë shqiptarëve… –




Nga Rexhep Ferri
1.
Kujt t’i themi se ku ishim?!
Pse ishim?
Gjatë çdo lufte e pas çdo lufte kemi shkuar nga e kaluara në të kaluarën dhe kemi pritur me vite e vite për ta zbuluar vetveten në afërsi të një rruge të vogël qorre, që mban emrin “Albania Turka”, “Albania Veneta”.
Kësaj pranie historike të dhimbshme e me burime të ligjshme e të paligjshme nuk e di pse i kemi besuar aq shumë.
Edhe pse koha gjithmonë ishte që të mos besojmë në diçka që nuk e njohim dhe në diçka që nuk e dijmë se nga na vjen:
-Pse na vjen!
-Kujt ia lëmë fajin?
Lart zotat.
Poshtë kafshët, për të mos thënë bishat.
E njerëzit?!
Eh, njerëzit ende kanë frikë nga frika e akuzave të heshtura…

2.
Pastërtia e luftës moderne pa dyshim është diçka e rrallë.
Nga iluzionet mashtrimet, ka shpëtuar kush ka shpëtuar.
Me ndikime bizantine vlerat njerëzore ende i shohim vetëm si ëndërr.
Pa kuptim të drejtpërdrejtë e as të figurshëm me vite kemi jetuar të kompleksuar pa e kuptuar e pa e ditur çka është kompleksi.
Tani na vjen të flasim: Po kujt t’i flasim!
Kurrë nuk e kemi kuptuar pse jemi kaq të padefinuar.
Gjeografikisht botë e njohur.
Botë e panjohur.
Për të qenë të qartë shpejt na iku koha e patriotizmit.
Loja me fjalë mbeti si mundësi e kapur e korrigjimit të kufirit mes shqiptarëve.
A kemi ndonjë shpresë, po ashtu nuk e di!?
Si nuk po e kuptoni se ende jemi larg?!
Marrëdhëniet mes njerëzve ndoshta janë edhe më keq se ato të gjatë historisë së pashkruar.
Për një mundësi tjetër të dytë ende seriozisht nuk është biseduar.
Nga retorika mashtruese niveli i shërbimit intelektual ka rënë në fund të pusit.
Fundi i marrëzisë thjesht qenka diçka e pabesueshme.
Provojeni kujtesën.
Pas luftë nuk mund të themi asgjë për luftën.
Kush e bëri?
Pse e bëri?

3.
Kjo e ajo qeveri, me nipër e kushërinj, me dajë e dajallarë dhe me miq që krijojnë mjegull, publikisht flet se e drejta e njeriut është e garantuar me ligj.
Por nga ligjet e pashkruara edhe peizazhi ka ndryshuar.
Për njeriun ndryshimi nuk qenka problem.
Çka është jeta përballë përjetësisë?
Me një kuptim të ri?
Me një kuptim të harruar?
Për ju që jeni atje;
Për ne që jemi këtu as rregullat e lojës nuk kanë më vlerë.
Nga na erdhi kjo famë?
A ka fajtor?
Shkoi fytyra!
Njerëzit janë bërë numër kritikë.
Është bërë e pamundur ta ruajmë qetësinë shpirtërore.
Jeta paska shumë mashtrues.
Natyrisht, me pasoja të rënda.
Nga pamja e njohur nuk mund ta lë pa e thënë, por edhe nuk po di si ta them e kujt t’ia them.
Nga inati më vjen të them: Liria qenka nëna e të gjitha luftërave.
Për ne që i kemi humbur shpresat, që ende kemi frikë të dalim pa frikë nuk do të ketë herë të tretë.

4.
Dragoi i imagjinatës kineze me premtime universale për “Albania Turka”, “Albania Veneta” nuk kishte ditur asgjë.
Ky tregim është një përpjekje dëshpëruese për të shpëtuar nga dëshpërimi.
Por kujt po ia ndien për njerëzimin?!
Fundit i ka ardhur fillimi.
Ka rreziqe të panjohura që mund të shpërthejnë
?.
Nuk e di.
Kurrë nuk kemi qenë më afër e më larg se sot të bëjmë vetëvrasje.
Njeriu edhe sot ka dilema.
Edhe pse frika është tejkaluar, njeriu edhe në gjumë, edhe në ëndërr ka frikë nga frika.
Ende nuk i ka ligjet e shkruara për t’u mbrojtur.
Çdo gjë e ka qëllimin e vet.
Njeriu me famën e pushtetit të vet e ka edhe çmendurinë e vet.
Në fushën e mejdanit, gjithmonë me dy largësi.
Me frikë nga njeriu dhe frikë nga arti i vetmisë.
Sipas viteve e sipas shekujve është mësuar për t’i llogaritur krizat.
Të kërkon farë ustahu për ta kurdisur.
Ora me Qyqe, është Ora e Lutjeve:
Qyqe, Qyqe, kryekuqe, pash mu, pash syret Aliun sa vjet m‘i jep me rr‘nue.
Por, Qyqja si Qyqe: Ku – ku, ku – ku, ku – ku…
Për ta ruajtur ose për ta gjuajtur si hekurishte e vjetruar e të ndryshkur.

5.
Tani ëndrrat nuk janë sa për ta lidhur e zgjidhur ushkurin.
Përtej vijës së kuqe s’ka ligje të shkruara e as lehtësi ligjore.
E bardha në letër.
E zeza në letër.
Dhe asgjë më afër se sytë e fshehur prapa perdes.
Pa të drejtë, hap pas hapi në pikëpamje kohore ende nuk jemi duke e ditur se në ç’kohë po jetojmë.
Lidh e zgjidh ushkurët nuk pyet njeri.
Rrëfimi i madh shet armë për ta shkatërruar botën pa pyetur sa kushton çmimi i jetës.
Nënat e fëmijëve ende të palindur mundohen të kuptojnë se kush është fajtor.
Për t’i fshehur gjurmët, kësaj krize po i shihet vetëm fillimi.
Ushtarët e plagosur, që kthehen nga lufta, të parët e kuptojnë dhe të parët e pëshurrin patriotizmin e sojlinjve tanë të rrejshëm.

6.
Tre.
Pesë.
Dy.
Ku je ti?
Ku jam unë?
Për ta ngacmuar pikën në gjumë, ku është fjala?
Vija e kuqe?
Duke shkelur përtej artit as Zoti nuk është më Zot.
As Olimpi me qetësinë olimpike.
Edhe kur dikush më flet mirë, nuk jam i sigurt se nuk ka diçka nën plaf.
Sa larg jemi, është vetëm pyetje.
Nga liderët tanë kemi urdhër ta djegim shkollën.
Kujt po i duhet më shkolla!
Kositni livadhet.
Mbledhni të korrat.
Ka të ngjarë se do të hamë barë…
Bordet e privatizimit dhe kuratorët e arteve kanë parë një ëndërr: Ruajna zot mendjen!…
Për inat të armikut, fjalës ia kemi prerë gjuhën.
Sa më pak që e kuptojmë, aq më pak probleme.
Nga pika afër polit të veriut kemi përjetuar shumë humbje.
Tani s’kemi as çka të fshehim, as çka të ruajmë e as çka të humbim.
Nga iluzioni edhe unë u plagosa.
Nga helmi u shërova.
As te varri i gjyshit nuk ka mbetur gur mbi gurë…

7.
Çmenduria sot është avanturë e re.
Me artin e vetmisë mos mendoni se teknologjia është shpëtim.
Pas luftës kam punuar si kamerier.
Një ditë, një sojlinj, pasi ngrëni drekë nuk deshi të paguajë.
E pyeta: Pse?
– Unë nuk paguaj, më tha! – Jam zëvendëskomandant dhe nuk paguaj.
Pronarit i tregova se si një zëvendëskomandant nuk don ta paguajë drekën.
Për befasinë time, pronari qeshi dhe më tha:
-Unë po them qitja edhe një drekë. Ai fare sojliu qenka vetëm zëvendëskomandant. Të gjithë të tjerët janë vetëm komandantë.
As bota nuk e ka imazhin e dikurshëm.
Për fillimin e ri ia kemi trusë sipas çmendurisë së fundit.
Me kthesa e pa kthesa, pak a shumë si në Parajsën e Humbur.
Kështu e kemi jetën.
Fundin e meselesë.
Bindjen e fortë.
Si në det të hapur.
Si në shpellë të ujkut.
Mend për tjetër herë.
Fitorja e madhe i ka edhe shtatë ditë.

8.
Janë ca gjëra që nuk na lënë ta kuptojmë botën.
Kemi harruar të mendojmë se nuk ka gjë më të rëndë se kur nuk e dime se ku e kemi të ardhmen.
Jemi bërë të huaj edhe për vetveten.
Sot askush nuk jeton pa frikë.
Frikën tani e kemi stil jete.
A kemi bërë diçka që do të mbetet?
A kemi vjedhur e shitur diçka me shpatë, me thikë, me të keq, me të egër -pyeta pasqyrën dhe u ndala.
Kokën e ktheva prapa.
Nga rrëmuja e viteve vetëm të çmendurit mendojnë se kanë të drejtë..

9.
Jemi duke folur për një luftë menjëherë pas lufte.
Për një liri që ka frikë të dalë nga ku ka qenë e fshehur.
Ajo mendon se ende jemi në kohë lufte.
S’ka dëshirë të flasë as për luftën e as pse bëhet lufta.
Për një njohje njerëzore pse nuk po kuptoni se çka është duke ndodhur, edhe pse pak a shumë jemi të gjithë të krisur nga mendja.
Pasojat ndoshta nuk janë të ditura.
Thashethënat janë të shumta.
Nuk dihet se deri ku mund të shkohet.
Në qendër të vëmendjes nuk kemi asgjë të kuptueshme.
Çka do të na sjellë fati nuk e di.
Nga ky lloj pazari politik nuk po e njoh as vetveten.
Njeriu e ka humbur besimin.
Ku do të ndalet nuk e di.
Me heshtje po e shpreh ngushëllimin.
Për asnjë fjalë më shumë e më pak, nuk kishim pas ditur asgjë.
Me pi helmin kërkush nuk të ndalë.
Ky tregim është një pasqyrë dëshpëruese.
Po kujt po ia ndien për njeriun.
Në faqen e parë të një gazete ditore pashë karikaturën e Skënderbeut të ulur në një karrigë duke nënshkruar një dekret.
Lart në mur, mbi kokën e Skënderbeut, ishte i vendosur portretit i Enver Hoxhës.
Sikur historia të ishte pak më ndryshe Pikaso nuk do të ishte tallur edhe me vetveten.
Nga fama, përtej famës, Pikaso duke parë se si po e kopjon vetveten, i zbrazur dhe i mërzitur nga të gjitha shpesh i vinte për të vjellur.
Nga kjo pikë edhe piktori italian Piero Manzoni, mutin e vet e ka konservuar dhe e ka shitur me etiketën: “Mut, qind për qind i pastërt artistik!”
Për dikë provokim. Për dikë tjetër çmenduri.
Kjo çudi për t’u çuditur flet se kush jemi e ku po shkojmë e çka po kërkojmë.
Zoti siç e kërkojmë ne për ta parë nuk ekziston.

Gusht, 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.