MILOSAO

Poezi nga Stevan Raiçkoviq

15:45 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto poezi janë propozuar nga shkrimtari dhe studiuesi Agim Vinca. Ai flet me nderim për poetin, por ndërkohë na ka sjellë të shqipëruar mrekullisht një pjesë të tyre.




Cili është Raiçkoviq Stevan Raiçkoviq (1928-2007) është një nga poetët më të njohur bashkëkohorë serbë. Kultivon kryesisht trajtat e lidhura të vargut: distikun, katrenën dhe sonetin, por me një lirizëm të theksuar dhe sensibilitet modern. Libri i tij “Ninulla e gurit” (1963) është përkthyer në shqip nga poeti Enver Gjerqeku (botuar te “Rilindja” e Prishtinës në vitin 1966). Poezitë e mësipërme janë marrë nga krijimtaria e tij e mëvonshme, ku hyn edhe libri që i kushtohet një kositësi cigan të shtrirë në spital, “Këngë për Vladimirin e zi” (1971).

Nga Stevan Raiçkoviq

SHTATORI

Ndalu pakëz, këngë, ndalo!
A jetuam, apo jo?

Ti çastet më të bukura moj
– Kur plepat shtatgjatë si hej

Marrin ngjyrën e arit –
M’i fale mua të gjorit.

SHTATORI

(Variant)
Ndalu pakëz, këngë, ndalo!
Jetuam, vallë, apo jo?

Ti çastet e mia më të mira
– Në shtator kur plepat prarohen

M’i shpure larg në mjegullira –
Çastet që nuk harrohen.

UNË S’E SHKRUAJ KËTË PËR VETE E PËR TY

Unë s’e shkruaj k’të për vete a për ty
Po për atë që një ditë do të vijë.

Dhe një natë diku (në një dhomë të ftohtë)
Ç’do të thotë, vallë, ai, ç’do të thotë?

Ai që ndoshta veç një mendim ka në mend
Se është i vetëm në k’të botë dhe pa askend.

Për një çast të tillë, o i panjohuri njeri
Unë një natë të tërë nuk kam mbyllur sy.

Dhe nëse ti i mrrolur tund kokën e thinjme
Paskësh vajtur kot gjysm’ e jetës sime!

MË THUAJ, KËNGA IME, Ç’ËSHTË KY DRU KËSHTU

Më thuaj, kënga ime, ç’është ky dru kështu
Në shesh, mes asfaltit, hu i vetëm, hu!

Mos është farë hyjnie i botës pyjore
Kapur në veriga nga një dorë mizore?

(Ndoshta dhe ne tok shëmb’llejmë në një shajni
Tek vigjëlojmë natën buzë lumit në vetmi)

Dhe mu në këtë çast, shih, druri degëgjerë
Na vështron në sy, mua dhe ty, për nder.

I heshtur, pa fjalë, në natën pa cak
Kokën time mbështes te sup i tij i vrazhdë.

Dhe ngjajmë si dy miq në cikmë e në llohë
Që ia behën këtu kushedi nga ç’kohë.

KËNGË PËR SËMUNDJEN E VLADIMIR PURIQIT

Vladimir Puriqi nga fshati Sopot
Dergjet në shtrat një dimër të plotë.

Në dhomën e bardhë Vladimiri i zi
Sodit nga dritarja të mbramen borë të tij.

Gjithçka rreth tij zhytet në bardhësi të butë
Veç zi mendon Vladimiri i smutë.
Tevona iu kujtua hëna në arë
Dhe vetja fillikat duke kositur bar.

Më pyet me sy i miri Vladimir:
“Do të vdes vallë a do të kosis sërish?”

Do të dalësh prapë në livadh, or kosaç,
Nuk ta shkrova kot këtë vjershë si ilaç.

PËRMENDORE NË PËRKOS

Nuk ngritëm as dhe një gur ne të ngratit
E të gjithë ramë nga dorë e xhelatit.

Dikur ishim burra, gra e fëmijë
Tani s’jemi më as pluhur as hije.

Dhe askush nga ne këtu nuk kthen dot
Nga natë e zezë pis që na hëngri atëbotë.

Por do të vijmë herë-herë mbase një mëngjes
Të shndërruar në bar, në borë a në vesë.

Shënim: Kjo poezi u kushtohet serbëve të vrarë nga ustashët në fshatin Përkos afër Karllovcit më 12 dhjetor 1941, por tingëllon si t’u ishte kushtuar shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe në fshatin Reçak të Shtimes (Kosovë), më 15 janar 1998. Provoni t’i vini kësaj poezie titullin: “Për të rënët në Reçak” dhe do të shihni se funksionon plotësisht. Kjo tregon forcën përgjithësuese të artit dhe konfirmon faktin se krijimtaria i superon pikëpamjet politike të autorit.

EPILOG

Mbështjellë me t’rëndën pelerinë
Dhe kosën përmbi krah
Përvidhet kostari mbi kodrinë
Sikur nga guri ka dalë.

Vjell tym oxhaku i mjerë
Përmbi fshat e lëndinë.
Nata është e zezë sterrë
Me një pikë të bardhë shqim.

Shqipëroi: Agim Vinca


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.