Kryesore

A do të harrohet edhe Teatri si kinema “17 Nëntori”?!

11:20 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Me shumë gjasa po. Zyrtarët e ndryshëm kanë shumë qejf t’u tregojnë homologëve ose vizitorëve të huaj maketin e teatrit të ri, paçka se ai nuk është vënë ende në hullinë e duhur. Që do të thotë se investimi për ta prishur këtë godinë është më i madh se kur dhe pothuajse fare pranë për t’u realizuar. Nëse për kinema “17 Nëntorin”, zhurma ishte jo e madhe e shumë shpejt u harrua çdo gjë, në rast prishje të ngrehinës së teatrit, mbase do të ndodhë e njëjta gjë, përveç faktit që impakti që pati presioni i shoqërisë civile, i publikut dhe intelektualëve të ndryshëm do të kujtohet më shumë. Paçka baltosjes, që i është bërë protestës, pjesëmarrjes dhe turililloj patetikësh, që gjetën rastin të shprehen, në vetvete mbrojtja e godinës ka përmbledhur si pak herë dhe me një kohëzgjatje jo të pakët, një energji të tërë. Për të drejtën. Për qytetin tonë. Fatkeqësisht, kërkesa më e mirë, që të kishim një rikonstruksion të ndërtesës dhe ta ruanim për ngarkesën që ka, nuk po merr formë. Fillimisht, e tradhtuan njerëzit që ishin gati ta mbronin me… trupat e tyre. Pastaj, u fut politika me marifetet e saj të bukura dhe epilogu…

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Parlament i mbledhur për ligjin e teatrit u nda si zakonisht mes mosmarrëveshjeve të shumta dhe pas shumë debateve mazhoranca e pranoi dekretin e presidenti Meta, duke filluar korrigjimet për zhvillimin e garës për projektin e Teatrit ashtu siç edhe këshillonte BE. Në fakt, duhej t’i bënte para kësaj letre dhe jo me arrogancën e zakonshme. Nuk ndodhi kështu dhe u zbyth vetëm para forcës së autoriteteve të Brukselit, që me takt i kanë kujtuar një nga parimet e demokracisë: garë e barabartë.
Për fat të mirë, në problemin për teatrin është treguar se shoqëria mbetet ende shumë e ndjeshme ndaj padrejtësisë. Dhe, jo më kot, në debatin për të janë përfshirë shumë forca dhe grupe shoqërore të ndryshme, nga ku janë derdhur pakënaqësi të shumta ndaj një qeverie që gjithnjë e më shumë është shumë e padrejtë dhe aspak tolerante. Dhe, fatkeqësisht, sado e vështirë që ka qenë gjetja e një gjuhe të përbashkët nga aktorët, aq më shumë zbuluar është treguar arroganca e subjekteve të ndryshme dhe ironia e strukturave të shtetit ndaj tyre.




Protesta ndaj Teatrit është shndërruar në një simbolikë, që përfaqëson grupe të ndryshme interesi, që edhe pse kanë konceptime te ndryshme, të gjithë i bashkon tashmë një gjë e përbashkët: Ruajtja e teatrit, mosndërtimi i kullave, mbrojtja e parimit të konkurrimit të barabartë dhe mbi të gjitha transparenca.
Kjo e fundit e varrosi kinemanë “17 Nëntori” dhe sot është e harruar krejtësisht, kjo rrezikon të varrosë njëherë e mirë edhe luftën për teatrin, pasi duhet sqaruar se qeveria Rama dhe të gjitha levat e saj tashmë e kanë kthyer në normalitet mungesën e transparencës dhe tolerancën ndaj mendimit publik.
Në javët e fundit Shqipëria është e ngërthyer me lajme të shumëllojta, që vjen nga forcimi i krimit dhe te rritja e varfërisë së njerëzve dhe këto kanë bërë që të tulatet krejt shoqëria në luftën e saj. Sfida sot kërkon të luftosh në të njëjtën kohë në disa fusha njëherazi. Me pak fjalë i bie të luftosh njëkohësisht me disa kauza të pamundura, ku si gjithnjë del fitues ajo që shpall grupi i të fortëve, që artikulon me zërin e shtetit. E, fadromat që janë nisur drejt teatrit nuk kanë kohë të presin, ato duan ushqimin e tyre, që në këtë rast është godinë e teatrit, që me shumë gjasë jo shumë kohë më vonë, do të kujtohet jo më shumë se godina e kinema “17 Nëntorit”. Por, ka ende dhe pak kohë. Mbase në këto segmente të pakta kohore do të kihet mundësi që të gjykohet që t’i besohet sensibilitetit të njerëzve, kundrejt makutërisë së kullave, që nuk dinë të ndalen. Maketet që u tregohen të huajve janë të bukura në zyra, por asfare në realitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.