SPORT

Kukësit i mjafton Shameti, Laçi “ngec” me Kastriotin

09:13 - 24.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Mjafton një gol i kapitenit Ylli Shameti që Kukësi të thyejë Kamzën dhe të sigurojë fitoren e tretë radhazi, fitore që e lejon të mbajë ritmin e Partizanit në vendin e dytë dhe të afrohet me vetëm 1 pikë me Skënderbeun e vendit të parë. Në “Loro Boriçi” nënkampionët shënojnë në minutën e 30-të falë goditjes së saktë të numrit 4, që më pas ka një dedikim special për Bledar Musollin, mesfushorin që do të qëndrojë 6 muaj larg fushave. Gjithsesi, takimi nuk qe aq i thjeshtë, pasi Kamza bëri çmos që të barazonte, por edhe Kukësi kishte mundësitë e veta për të dyfishuar rezultatin. Megjithatë, asgjë nuk do të ndryshojë deri në fund dhe të besuarit e Cungut konfirmohen forcë e dytë në kampionat, ndërsa Kamza do të mbetet në kuotën e 6 pikëve.




Kastrioti dhe Laçi ndahen në paqe. Paqe sa i takon rezultatit, se në fushën e lojës nervat i kanë tradhtuar të dyja ekipet. Krutanët kërkonin pikë pas një serie negative prej 3 humbjesh radhazi, ndërsa kurbinasit donin fitoren e dytë në këtë kampionat. Në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, ndeshja në pjesën e parë nuk ka dhuruar raste të mira për shënim (minutat 10 dhe 33), por në kohën shtesë të saj, Emiljano Çela bën një ndërhyrje të rëndë ndaj Fangajt dhe merr kartonin e kuq, për të mos dalë më në pjesën e dytë në fushë. Gjithsesi, forcat do të barazohen, pasi edhe Najdenov (minuta 65) merr të verdhën e dytë, duke e lënë Laçin me 10 veta dhe duke bërë që minutat e fundit të takimit të ishin më emocionuese. Madje, krutanët duket se prekin fitoren, pasi në minutën e 80-të Zhunior godet rreptë nga distanca, duke mposhtur portierin Selmani për avantazhin e Kastriotit. Me minutat që ikin duket se tri pikët po kthehen në realitet për djemtë e Plorit, por Laçi reagon in-extemis dhe Fangaj në të 89′-ën rikthen baraspeshën pas një diagonaleje të saktë. Mbyllet 1-1 në Fushë-Krujë, Kastrioti dhe Laçi marrin nga një pikë, me krutanët që zbresin në vendin e fundit Luftëtarin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.