SHËNDET

Merja: Efektet e mrekullueshme të hithrës në organizëm

16:40 - 24.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Hithrat janë një bimë medicinale që përdoren në gatime të ndryshme si byreku, por duket theksuar fakti që janë shumë të shëndetshme, pasi përmbajnë mbi 50 përbërës kimike. Hithrat kanë shumë efekte pozitive në organizmin e njeriut e ndihmojnë në stimulimin e sistemit limfatik dhe prandaj përmirësojnë imunitetin. Këshillohen të përdoren të njoma ose të thata nga individët që janë anemikë dhe të dobët, apo që preken shpesh nga gripi. Mund të përdoren në gjellë dhe të gatuhen njësoj si spinaqi, ose në byrek, duke u përzier edhe me spinaq. Kur ziejnë, hithrat e humbasin djegien që shkaktojnë kur janë të njoma, kështu që nuk ka problem në përdorimin në gatim.




Kjo bimë gjithashtu ndihmon në uljen e tensionit, zgjerimin e venave dhe arterieve dhe hollon gjakun. Hithra ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një zemre të shëndetshme e nëse përdoret rregullisht, parandalon sëmundjet e zemrës. Hithrat ndihmojnë tretjen dhe largojnë parazitët në zorrë e gjithashtu parandalojnë simptomat e menopauzës dhe zbutin dhimbjet e menstruacioneve. Vlen të theksohet se përmbajnë shumë minerale, prandaj këshillohet të përdoren nga individët mbi 45 vjeç, pasi janë shumë të ushqyeshme për kockat, por ndihmojnë edhe në parandalimin e kancerit të prostatës. Nëse jeni duke përdorur hollues gjaku apo nëse keni tension të ulët, mund t’i përdorni me sasi të vogla hithrat. Nëse keni tensionin e lartë, keni yndyrna në gjak apo variçe këshillohen të përdoren rregullisht në verë kur mund t’i gjeni të njoma dhe gjatë dimrit 1 deri në 3 muaj si çaj, në muajt e ftohtë për ushqimin e kockave dhe largimin e reumatizmit. Hithrat ndihmojnë edhe në uljen e sheqerit në gjak e janë ushqyes shumë i mirë i kockave, pasi përmbajnë shumë minerale dhe vitamina dhe ushqejnë kockën. Këshillohen të përdoren për të luftuar osteoporozen dhe reumatizmën. Hithrat ndihmojnë në largimin e dhimbjes së kyçeve dhe kockave. Nëse keni dhimbje të forta të gjunjëve mund të shtypni hithrat, t’i përzieni me kripë të zezë dhe të mbështillni gjurin gjatë gjithë natës. Mund ta përsëritni për 3-4 net me radhë dhe dhimbjet e kyçeve do të ndalojnë. Lëngu i hithrave përmban gjithë këto vitamina dhe minerale dhe shkon deri në kocka.

Përbërësit e hithrave
Hithrat e njoma dhe të thata kanë përbërës të ndryshëm, por gjatë tharjes, bima i humb disa nga përbërësit aktivë. Në hithrat e njoma ndodhen flavonoide me shumicë, të cilat janë në sasi më të vogla në hithrat e thatë. Flavonoidet janë antioksidantë që ndodhen tek shumë bimë dhe fruta dhe ndihmojnë në pastrimin e organizmit nga toksinat, ulin rrezikun për shumë sëmundje si kanceri etj. Gjenden beta karotenoide si beta-karoten, të cilat ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe në përmirësimin e shikimit. Hithrat e njoma përmbajnë vitamina si: A, C, D, E, F, K, P, and B-komplekse gjithashtu thiamin, riboflavin, niacin, and vitamin B-6, të gjitha janë në nivele të larta antioksidantësh. Përmbajnë rreth 16 aminoacide, të cilat ndihmojnë në rigjenerimin e qelizave në organizëm. Gjethet e thara janë analizuar për përmbajtjen ushqyese, janë të pasura me vitaminë E, vitamina B2, hekur, zink, kalcium, etj. Hithrat e thara e humbasin vitaminën C dhe beta-karotenin, por përmbajnë të 16 aminoacidet dhe përbërësit e tjerë.

Mikser me hithra
Kjo përzierje mund të përdoret përpara ushtrimeve fizike, apo përpara se të shkoni në palestër. Ky lëng frutash i shëndetshëm për zemrën dhe trurin ka këta përbërës: 2 lugë kos, 10 gramë gjethe hithra të njoma, 10 gramë spinaq, 1 kivi, 1 mollë, 20 gramë lakër të kuqe, pak akull dhe 1 lugë me fara chia. Futen të gjitha në mikser dhe përzihen derisa të bëhet masë e njëtrajtshme. Në fund shtohen 3-4 thelpinj arre dhe përzihen përsëri në mikser.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.