KULTURË

Oleg Sentsov/ Kurov: Nëse burgosin një artist, askush nuk është i mbrojtur

16:20 - 24.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Historia e një artisti kundër pushtetit, e një artisti që ngrihet kundër politikave të presidentit rus, Vladimir Putin dhe vihet përballë gjyqit dhe vuan dënimin në burg. “The state of Russia” ka qenë filmi që mbylli Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Tiranë. Në ceremoninë mbyllëse, i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Mbetet domethënëse përballja e kryeministrit me një film të tillë, kur ai është i vendosur se kompleksi i Teatrit Kombëtar duhet shembur dhe kur artistë e regjisorë janë të vendosur ta mbrojnë me trupat e tyre.




Por kur është regjisori nga Krimeja?
Oleg Sentsov është regjisor dhe producent filmash në Ukrainë. Ai u vu në qendër të vëmendjes pas aneksimit të Krimesë nga rusët në vitin 2014, pasi më herët ai kishte dalë kundër ‘bashkimit’ ideologjik të Ukrainës me Rusinë gjatë protestave të përgjakshme në “Meidan”. Sentsov ishte më pas kundërshtar aktiv i pushtimit të Krimesë nga Rusia derisa në maj të 2014 u arrestua nga rusët me akuzën e terrorizmit. Sentsov u kthye në simbolin e qëndresës së Krimesë dhe qëndresa artistike për rastin e regjisorit kulmoi me filmin-dokumentar “Gjyqi” të një prej miqve të tij, Askold Kurov.

Në intervistën e tij për “Gazetën Shqiptare”, Kurov flet për mikun e tij e simbolin e rezistencës, Oleg Sentsov.
“Unë nuk kam parë rezultat të kësaj fushate, por nuk mund të ndalojmë. Duhet të vazhdojmë me këtë presion dhe duhet të shpikim diçka të re që t’i kujtojmë botës, politikës dhe medias se autoritetet ruse e kanë në burg. Këto raste janë të lehta për t’u harruar sepse ka lajme përditë”, thotë regjisori i filmit “The State of Rusia”. Për Kurov, Oleg është simbol i situatës. “Edhe në burg, hyri në grevë urie dhe kërkoi që të lirohen të burgosurit politikë ukrainas. Dhe nuk e përfshin veten në këtë listë. Ndaj për shumë njerëz, të luftojnë për Oleg është si të luftosh për gjithë të burgosurit politikë”.
Kurov jeton në Moskë, por pas arrestimit të mikut të tij ka krijuar shumë miq në Ukrainë. “Kam takuar miqtë e Olegut, familjen e kolegët. Nuk kam dashur të bëj filma për çështje politike, por situata ndryshoi shumë në rusi këto vite. Nëse kjo i ndodh Olegut, do të thotë se asnjë s’është i mbrojtur, as nëse je i njohur, nuk je i mbrojtur. Nëse ia bëjnë këtë dikujt që është pak a shumë i famshëm, mund t’ia bëjnë kujtdo. Nëse nuk u intereson asnjë provë, atëherë kështu mund të trajtojnë këdo”, thotë Kurov.

– Si e keni njohur ju Sentsov?
E kam takuar Sentsov tri vite para se të ndodhnin të gjitha kjo. Ne të dy, sapo kishim filluar të merreshim me filma dhe unë bëja dokumentarë e ai filma. Nuk kishim diskutuar çështje politike, vetëm për filma flisnim.

– Çfarë filmash bënte?
Filmi i tij i parë bazohet në historinë e tij të vërtetë, sepse ai para se të merrej me film, luante dhe ishte kampion sporti, dhe ishte pronari i një prej klubeve më të mëdha në Ukrainë. Kur vendosi të bënte filmin e parë, ai shiti klubin dhe makinën. Filmi i tij është autobiografi për një djalë të ri, që përpiqet të gjejë vendin e tij në jetë. Nuk shkoi në shkolla filmi, ishte autodidakt. Pasi fillova me dokumentarët, lexova skenarët e tjerë që ai kishte për filma. Ishin interesantë. Ai është një prej regjisorëve më të mirë e më të talentuar të filmit në Ukrainë të paktën.

– Kur filmi yt për të u shfaq, si u prit?
Në Rusi është e vështirë, sepse edhe mediat e pavarura që mbështetën vetë Olegun që në fillim dhe filmin tonë për gjyqin që iu bë. Dokumentari e pati premierën vjet në Berlinale. Për Rusinë ishte gjë e madhe dhe ishte sukses. Media kryesore megjithatë, thjesht e injoroi këtë dhe nuk foli kurrë për filmin.
Mediat e pavarura e mbuluan ngjarjen.

– E ka parë Olegu filmin?
Nuk e ka pasur mundësinë, sepse është në një burg të sigurisë së lartë dhe ka TV, por mund të shohë vetëm kanalet shtetërore.

– E ke takuar?
Po, e kam takuar në qershor, pasi shkoi në grevë urie.

– Të lejuan ta takoje?
Po, por shkova të bëja një video të avokatit të tij që shkonte në burg te Olegu dhe papritur u lejova të takoja Oleg edhe unë. Patëm një takim 45-minutësh.

– E xhirove?
Jo. Është e pamundur. Sepse nuk lejohet të kesh asnjë aparat me vete, as kartë SIM. Folëm për shumë gjëra. Donte të dinte çfarë po ndodhte në botë dhe për fushatën në mbrojtje të tij në kinema, festivale.

– Çfarë mendon se do ndodhë me të pasi njerëzit kanë parë filmin. E ka ndihmuar të ndryshojë diçka?
Ky dokumentar ndihmon shumë për fushatën, sepse është shfaqur në të gjithë botën dhe i bashkohen fushatës. Filmi ndihmon për zgjerimin e fushatës, por nuk ndryshon gjë për situatën e vetë atij, sepse autoritetet ruse i injorojnë të gjitha protestat. Ka pasur fushata e protesta të mbështetura nga Akademia Europiane e Filmit kur ai u arrestua para 4 vitesh e regjisorë të famshëm dhe shkrimtarë të njohur i janë bashkuar fushatës si edhe politikanë si Emanuel Macron. Janë përpjekur ta diskutojnë me Putin, por s’ka ndryshuar gjë. Varet vetëm nga Putin sepse është çështje politike që varet nga vendime politike.

– Një film për një njeri si Oleg nuk është e thjeshtë. Pse e bëre?
Si mik i Oleg, shkova në gjyq vetëm për ta parë atë. Që të më shihte se e mbështes. Nuk e dija çfarë do të bënte gjykata ruse, por kur e sheh se sa i pafuqishëm je, kur sheh argumente absurde dhe që s’kanë asnjë provë, mendova se s’mund të bëja asgjë. E vetmja gjë që mund të bëja ishte një dokumentar ku të tregoja historinë e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.