KULTURË

“Kaligula”, çmenduria e perandorit dhe vetmia e revolucionarit

12:00 - 25.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Jeni të gjithë të dënuar. Jeni të dënuar që keni lindur e jetoni në këtë vend. Dënoheni të jetoni pa shpresë. Dënoheni të mos keni fuqi të luftoni. Dënoheni të mos keni guxim për t’u revoltuar, as për të ushqyer idenë e lirisë”. Kur thuhen këto fraza shfaqja ka mbaruar, Kaligula ende i ka buzët me gjak nga kafshimi, ka vrarë ndërkaq të gjithë ata që kishte përreth, sepse siç e pranon perandori i çmendur “Unë jetoj. Unë vras. Kjo do të thotë të jesh i lumtur. Ti ke faj, por të vrasësh nuk është zgjidhje”. Krismat janë të forta, trupat bien mbi një dysheme të pluhurosur ku perandori ka kërcyer e ulëritur i veshur me tutu. E megjithatë, ai i (për)dhunon të gjithë dhe ata nuk flasin, madje pothuaj i përulen, i fyen të gjithë, i përdor të gjithë dhe kur është shumë vonë edhe veten.
Sekush, mund të identifikojë tek ai pushtetin e tejskajshëm dhe keqpërdorimin e tij. Tmerri i dhunës, o padrejtësisë vjen i gjallë, me aq vërtetësi sa duket se ndodh vërtetë para syve tanë.




Shfaqja “Kaligula” erdhi në skenën e Universitetit të Arteve nga trupa e Teatrit të Prishtinës, në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. Sinopsi tregon që Kaligula është historia e një princi relativisht të dashur në fillimet e mbretërimit. Pas vdekjes së Drusilës, njëherësh motra dhe e dashura e tij, ai kupton se bota nuk është e kënaqshme. Prej këtij çasti, i helmuar nga përbuzja dhe tmerri, ai tenton përmes vrasjeve dhe perversitetit sistematik të ushtojë një liri të shfrenuar. Por ajo që nuk thuhet nga teksti përcillet nga aktorët e Kosovës, që për më shumë se 1 orë e 30 minuta në një skenë të boshatisur ku ka vend vetëm për 2 skela dhe projeksionin e një hëne që simbolizon të pamundurën sjell gjithë çmenduritë e pushtetit.

“Po unë i shërbej një të madhi, po ti kujt i shërben, virtytit? Ju kam parë ju të ndershmëve, ju nuk keni guxuar”, – a nuk është ky përçmimi i përditshëm i të ndershmit që vuan se ka zgjedhur të jetojë me dinjitet?

Pjesa e shkruar nga Albert Kamy, një ndër më të fortat e tij, në kuadër të absurdit, teksa merr si personazhin perandorin romak, mendohet se portretizon Hitlerin. Me regji të Kushtrim Koliqit dhe interpretimin e aktorëve Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Gresa Pallaska, Meli Qena, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi, është përpunuar që t’i flasë edhe Kosovës. Frazat që nuk i takojnë Kamysë vënë para kangjellave të gjykatës fajtorët që kanë manipuluar listat e veteranëve, që kanë fryrë buxhetet për 11 baxhanakë, për 3 gjyshe, për 120 rritje gjoksi, për 16 operacione hunde dhe që kanë ngritur 50 universitete për të dhënë 2 milionë diploma për 2 milionë banorë. Vënë para gjykatës, ata që kanë zhbërë meritat e heronjve të luftës e nuk u kanë siguruar nevojat më të para viktimave të luftës.

“Kjo gjykatë ju akuzon për kapje të drejtësisë”, – dhe të akuzuarit heshtin.
“Kjo gjykatë ju dënon të lëpini dyshemenë e saj. Të mësoni himnin e Koresë dhe t’i tregoni barsoleta fotos së Merkelit derisa a bëni të qeshë”, reciton aktorja.
Salla qesh. Me mjerimin e saj. Me drejtësinë e saj. Me abuzimet e saj. Sepse shfaqja në tërësinë e vet, në të gjitha elementet skenikë dhe në ato tekstualë e vë gishtin të secili prej nesh, te ne që jemi në sallë e tek ata që janë në lozhë. Të gjithë duartrokasin për të larguar prej vetes ndërgjegjen e prekur prej Kamysë, por qeshja jonë është njëherësh nënqeshja jonë.

Aktorët e veshur me të zeza mbajnë zinë e kobës së rënë, sepse kur nisen për në revolucion duke kënduar, teksa hedhin hapa e këndojnë janë bashkë. Më pas ikin një e nga një. Dhe kur arrihet në fillim të skenës, është vetëm një zë që shqipton: REVOLUCION.

Marshimit i kanë ikur të gjithë, jo vetëm vijës së parë. Nëse u shitën a u blenë, nëse u penduan a u kërcënuan, nëse patën frikë nga vdekja a nga jeta, kjo, pak rëndësi ka. Secili e zgjedh vetë arsyen e vet më të lehtë. E vërteta e fundme është se revolucionari nuk fiton dot i vetëm dhe se faji i humbjes nuk është i tij. Mesazhi i pakohë, e për këtë i gjithëkohshëm është i qartë. Pa salltanete skenografie e kostumesh, me elementë minimalistë e mu për këtë më të rrokshëm, pa nevojë për tallava e për komedi fundjave, Kaligula e Kosovës është me gjasë një prej arsyeve më të mira pse mbahet ky festival. Është gjithnjë më mirë t’i bësh masat të mendojnë se të këndojnë. Teatri këtë do duhej të kishte si mision më shumë se sa argëtimin pa bosht, që mbledh shumë spektatorë po nxjerr pak publik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.