OPINION

Quo vadis, president?

11:15 - 25.09.18 Alban Krasniqi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ideja për korrigjim kufijsh nuk është gjë tjetër veç një eufemizëm i copëtimit të Kosovës së copëtuar. Copëtimi i mëtejmë i saj lindi si ide në qarqet e hershme serbe dhe u ridefinua tevona.  Të mëhershmet u përkrahën nga shumica e botës së huaj, kurse kjo e sotmja po gjen përkrahje edhe nga disa qarqe shqiptare, sidomos nga presidenti dhe nga oborrtarët e tij. Mendimi se pjesa më veriore e Kosovës nuk ka qenë e jona dhe se atë e patëm dhuratë nga komunistët, është mendim shumë i rrezikshëm, i cili nuk guxon të përkojë nëpër mendtë dhe projektet tona kombëtare. Aq shumë e ka përpunuar këtë ide, sa që edhe vetë i beson këtij trillimi. E “mësimi më i dobishëm për jetën është që të heqësh nga mendja atë që është e pavërtetë”, të cilën presidenti ynë e ushqen, e mirëmban dhe e shpërndan me shumë fanatizëm. Me të tilla ide dhe me të tillë persona kemi mbetur këtu ku jemi. Për këtë arsye mbetëm pa antikitet dhe pa mesjetë. Antikitetin na e morën grekët e mesjetën sllavët. Këto dy epoka, si më të madhërishmet e historisë sonë, sot flasin dhe dëshmojnë nëpër muzetë dhe arkivat përkatës të fqinjëve tanë.




Prej nga ky riaktualizim i kësaj ideje “këmbimi”? Po pse pikërisht nga presidenti? A mos po kërkon të shkruajë historinë moderne përmes pajtimit historik shqiptaro-serb, ashtu siç thotë vetë? A mos e gjakon amnistinë personale përmes copëtimit të pasurisë kombëtare? 

E para nuk ka mundësi të jetë në të njëjtën vijë me artikulimin e tij, ngase nuk është në dorën e tij që të sendërtojë një nismë të tillë, ose, thënë shkurt, nuk ka fuqi mendore e politike për një veprim të tillë, sado që pohon e ripohon se pa këtë “korrigjim” kemi shumë pak mundësi veprimi, edhe pse ai nuk di se “mundësitë e vogla janë shpesh fillimi i veprave të mëdha”; e dyta ka shumë të ngjarë që të jetë e vërtetë, fatkeqësisht. Sa e sa herë ka dëshmuar se për karrierë personale është në gjendje të hyjë në lloj-lloj aventurash morale e politike, aq sa armiqtë i shndërron në miq, e miqtë në armiq; sa e sa herë ka dëshmuar personalitetin e tij të mbrujtur me mendësi staliniste, të një presidenti paranojak, që opozitën e konsideron si një luftë klasash apo si kulak, koalicionin si lolo, e disa nga bashkëluftëtarët e vet i trajton si Kolonelin markezian. Edhe pyetja drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veç një tentim për një fuqizim të autokracisë së tij, duke u munduar që në heshtje ta tjetërsojë pushtetin nga një formë e qeverisjes parlamentare në formën e qeverisjes presidenciale.

Me këto ide ai po dështon si atdhetar dhe si lider shteti. Si atdhetar po copëton një pjesë të trungut për një pjesë tjetër të të njëjtit trung; si lider, përveç mungesës së transparencës, ai po anashkalon Kuvendin dhe po mbjell përçarje në klasën politike, duke riaktualizuar divide et impera.  Liderët “sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj”.

Që ta duam atdheun dhe kombin, nuk është e nevojshme që ta rritim kombin e ta zgjerojmë atdheun. Ne atdheun duhet ta duam jo pse mund ta bëjmë të madh, por pse është i yni. Ai është djepi dhe varri i atit, birit dhe shpirtit të shenjtë.  Edhe delimitimin me Malin e Zi, edhe pajtimin për Zajednicën i bëri vetë, e pastaj shëmbëlleu në Pons Pilatin, që as uji i bekuar nuk e lan dot.

Edhe sa kohë i duhet të abuzojë me durimin tonë? Edhe sa kohë duhet që çmenduria e tij të tallet me ne? Është e pamundur që çdo gjë e errët dhe e mbrapshtë që i sillet kësaj toke të shenjtë pa qenë ai në mes tyre. Prandaj çdo gjë që vjen prej tij është e dyshimtë dhe duhet injoruar, qoftë edhe dhuratë. “Timeo danaos et dona ferentes” është thënë për “dhuratat” e dyshimta.

E çka duhet tash? Të zgjohemi nga letargjia dhe ta kundërshtojmë fuqimisht këtë ide! Të rimëkëmbemi e ta largojmë nga froni këtë president! Duke rrëzuar këtë, funksionalizojmë Republikën parlamentare dhe ndalojmë jetësimin jo vetëm të autokracisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.