Intervista

Olgert Rakipllari: E veçanta e artit tim, pse zgjodha tunelin

14:40 - 26.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Arti është një formë e bukur për të transfiguruar realitetin dhe jo vetëm. Këtë na e tregon Olgert Rakipllari, artisti që po sjell një frymë të re të të perceptuarit të pikturës. Për herë të parë në Shqipëri merr jetë një projekt tejet i veçantë, që është zgjedhur qyteti i Gjirokastrës për ta aplikuar, kjo për arsyen se ai është gri dhe i duhen doemos disa kolore për ta dritësuar. Rakipllari gjithë artin e tij po e lë simbolikisht në një tunel që lidh dy lagje në këtë qytet. Është zgjedhur pikërisht ky vend për të hequr ndjesinë e frikës që mund të kenë njerëzit kur hyjnë në të. I frymëzuar nga qyteti artisti ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të përfshirë edhe elementet etnografike në artin e tij. Sipas Oligertit ngjyrat e errëta transmetojnë lumturi e shpeshherë blunë miqtë e tij e cilësojnë sikur ta kishte ngjyrë të personalizuar. Në fakt, kjo është ngjyra që ai pëlqen të përdori më tepër në punët e tij pasi personifikon paqen e thellë shpirtërore. Piktori ka dëshirë të eksperimentojë ndaj dhe ka vendosur që krijimtarinë e tij ta shtrijë edhe aty ku njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë se mund të bëhen vepra të bukura duke përdorur natyrisht dhe fantazi. Ne i urojmë suksese Olgertit dhe sa më shumë vepra të realizuara!




Çfarë dimensioni u japin punëve të tua pikturat brenda në tunel?
Pikturat e mia kanë një dimension më njerëzor dhe nëse flasim pikërisht për këtë lloj tuneli, ku unë zgjodha të realizoj punimin tim ajo i heq ndjenjën e frikës kur dikush hyn në të, përkundrazi e fton atë ta vizitojë dhe të ndihet më mirë teksa hyn nga njëra lagje dhe del nga lagjja tjetër e qytetit, pasi ky tunel është i frekuentuar nga banorët e qytetit në përditshmërinë e tyre. Ndërsa për turistët që nuk e njohin pa këto lloj pikturash do të ngjallte hezitim në të shumtën e rasteve.

Pse zgjodhe motive etnografike gjirokastrite?
Një nga 4 temat që ishin vendosur për këtë projekt ishte dhe marrja në konsideratë e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës. Duke qenë se Gjirokastra njihet edhe për trashëgiminë etnografike mendova t’i ndërthur këto elemente, inspirimin për të realizuar motivet etnografike ishte nga vizita ime në pazarin e vjetër të qytetit dhe aty spikata disa qilima shumë interesante dhe nga aty fillova të skicoj elementet që më tërhoqën dhe për ta bërë disi më modern i shtova dhe forma me elegante.

Çfarë tonalitetesh i ndryshojnë njeriut gjendjen shpirtërore?
Lidhja e ngjyrave me gjendjen shpirtërore nuk është diçka e re, por e vërtetuar nga disa studime se gjendja shpirtërore ndikohet edhe nga ngjyrat që veshim apo na dominojnë në përditshmërinë tonë. Tonalitetet dhe ngjyrat e ndezura gjithmonë transmetojnë gëzim, na tregojnë se jemi të lumtur, ndihemi mirë dhe nuk kemi frikë të guxojmë. Por dhe ngjyrat e errëta jo domosdoshmërisht transmetojnë të kundërtën, por kjo varet se ku përdoren ne veshjet, produktet, markat etj.

Cila ngjyrë të përcakton ty, ndërsa je në këtë intervistë? Pse?
Ngjyra blu, bluja, në fakt, është duke më shoqëruar për një kohë të gjatë edhe në krijimtarinë time, shpesh miqtë e mi e cilësojnë dhe periudha blu e Olgertit, në fillim nuk dija t’i jepja një shpjegim të saktë këtij fenomeni që instinktivisht krijimet e mia si në pikturë ashtu edhe në dizajnët e mi dominonte ngjyra blu, por më pas kuptova se kishte të bënte dhe me gjendjen time shpirtërore. Pasi tashmë jam në një gjendje shpirtërore shumë të mirë, dua të them në paqe me veten, pa u stresuar për gjithçka që më rrethonte, duke e marrë çdo gjë me qetësi dhe duke bërë zgjedhjet e duhura, këto veti i ka dhe vetë ngjyra blu.

Çfarë është në perceptimin tënd një tunel brenda shpërthimesh, nuancash e motivesh?
Zymtësia që tunelet tona në përgjithësi karakterizohen e sidomos ato të komunizmit pasi janë ndërtuar për luftën e ftohtë dhe te njerëzit kjo gjë ngjall një ndjenjë trishtimi dhe ankthi nëse vizitohen nga ata që e kanë përjetuar atë kohe. Tuneli në fjalë nuk ka shërbyer fiks për këtë gjë pasi mund të them se është ndoshta ndër më unikët që ne kemi duke qenë se ajo është ndërtuar për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm, por që u përdor në masë të madhe nga qytetarët si një rrugë kalimi më e shkurtër mes dy lagjeve. Duke i shtuar një game të gjerë nuancash dhe motivesh, mendoj se do e bënte më të këndshme këtë udhëtim nga njëra anë në tjetra qoftë kjo për të rriturit apo dhe fëmijët që shkojnë në shkollë çdo ditë nga ky tunel.

Cili projekt të dha mundësinë të pikturosh në tunelin e Gjirokastrës?
“Arte Camp” quhej projekti në të cilin unë konkurrova dhe u përzgjodha për të qenë pjesë e këtij kampi të organizuar nga Fondacioni Gjirokastra – GCDO dhe Rete delle Case del Quartiere nën programin e Tandem Europe 2017-2018. Falë këtij projekti dhe stafit të saj profesional bëri që krijimtaria ime të mos ndikohej nga rrethana të tjera, por të bëhej pikërisht ajo që krijuesi ideoi.

Pse mendove të shtosh ngjyra nëpër Gjirokastër?
Tema e dytë e projektit ishte “Ngjyrat e humbura të Gjirokastrës” pasi dihet se dikur Gjirokastra ka qenë një qytet plot ngjyra, kam parasysh këtu shtëpitë karakteristike të saj që ishin të dekoruara së brendshmi kryesisht me elemente floreale plot ngjyra. Sot qytetin e dominon ngjyra gri e tij nisur dhe nga fakti që është qytet i gurtë. Disa elemente dekorative për një vend si tuneli do e bënin më miqësore për vizitorin për ta ftuar ta vizitonte atë.

Përveç tuneleve, ku të pëlqen tjetër të pikturosh?
Tuneli në këtë rast i shërbeu idesë që unë pata dhe e lidha me temën e kam të vështirë që të them diçka ekzakte pasi në periudhën në të cilën po kaloj me krijimtarinë jam duke eksperimentuar shumë lloj formash dhe hapësirash, mund të them se aktualisht jam pak më shumë i përqendruar te ndërthurja e pikturës tradicionale me atë dixhitale.

Nëse dikush do guxonte të pikturonte në muret e shtëpisë tënde, deri ku do e lejoje?
Nëse ai/ajo do të gjente një hapësirë më tepër se ku të pikturonte atëherë do të ishte i/e lirë ta plotësonte atë hapësirë boshe.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.