Intervista

Egla Ceno: Po s’u vesha si karakteri i pjesës, “ngrij” fare

16:40 - 27.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Sezoni i ri artistik ka nisur dhe skena e teatrit pret pjesë me impakt impresionues për publikun. Aktorja Egla Ceno rreshtohet krah personazheve të zgjedhura për faqet e “Gazeta Shqiptare”. Intervistat mbeten vetëm copëza të shkëputura, që nuk na çojnë deri në thellësi të dikujt, asnjëherë nuk mjafton një lexim që të njohim brendinë; ‘lupa’ jonë kërkoi përtej asaj që u tha me fjalë. E njohur për publikun në disa role, në teatër dhe kinema, Egla Ceno vjen për faqet tona me projektet e reja dhe diçka personale. Si një portë që hapet para nesh, e shfletuar si një libër, Egla kalon nga ndjesia për skenën, tek përjetimet personale që të jep vendi ku banon apo rrethi miqësor. Trokasim lehtë dhe nisim ta njohim nga pak…




Çfarë ‘këpucësh’ të duhen për të shkelur në skenat shqiptare?
Këpucët e personazhit. Po nuk u vesha si karakteri i pjesës sime, po nuk fola si ai… unë “ngrij” fare. Del në pah droja ime dhe mirupafshim. Në përditshmërinë time, jam si Gavrosh shumicën e kohës. Nuk kam blerë kurrë një palë këpucë me takë më të lartë se 5 cm dhe as kam ndërmend të filloj të ble. Bëjnë keq për shpinën.

Ajo që do i thoshe tani një spektatori që ka ngrënë kokoshka gjatë një pjese teatri?
Do i flisja me fjalët e një personazhi që po punoj: “Heu! Ntc! Ntc! Ntc! Ah! Hëm! Ah!! Yytt! Ptu! Buah! Pufff! Eh! Ihhhh! Ptuh! Ihhh! Ptu! Ptu! Ptu! Paau!”, – ja kështu do i thosha.

Roli te telenovela italiane “100 Vitrinat”, një grua që vret burrin, ndjesia jote e brendshme?
Kam bërë shumë audicione për një rol atje dhe çdo herë ishte “Le faremo sapere”. Është shumë e rëndësishme në profesionin tonë që të mësohesh të bësh llogaritë me refuzimin. Në momentin që je “IN”, bëj punën tënde dhe rezulto i besueshëm. Kaq është. Paguhesh për këtë.

Koha më e përshtatshme për ta jetuar bukur një qytet?
Për mua, në verë, kur ka më pak njerëz. Unë preferoj të jetoj në fshat dhe ashtu kam jetuar gjithmonë, por në Shqipëri, të jetosh në fshat, kthehet në mundim të madh.

Çfarë bën për të mbajtur afër miqtë e tu?
Asgjë. Miqtë e vërtetë nuk kanë nevojë “të bësh gjëra” që të qëndrojnë afër. Janë aty, sepse ti u pëlqen ashtu si je dhe anasjellas.

Cila është mënyra përmes së cilës një mashkull mundet të të lexojë drejt?
Nuk e dija që burrat dinë të lexojnë… bëj shaka. Po kaloj te pyetja tjetër.

Çfarë do të thotë “ta marrësh jetën siç të vjen”?
E ka thënë edhe Papa Françesko: “Nëse nuk mëson ta jetosh jetën ashtu si vjen, nuk mund ta jetosh kurrë”. Nuk mund të shtosh dhe të heqësh as edhe një presje.
Partnere me Elvis Pupën në komedi, çfarë gruaje mund të bëheshe në rrethana të vështira?
Shumica e punëve të mia kanë regjistër dramatik. Vlerë të shtuar te komedia gjej mundësinë për të rrëfyer diçka, edhe dramatike, pa hequr dorë nga ironia dhe pa gjykuar. Humori që bëj në televizion bazohet mbi paradoksin. “Kodi i të shprehurit” është shumë ndryshe nga një film apo pjesë teatrale. Nëse do bëja të njëjtën gjë edhe në film apo teatër, do rezultonte aspak e besueshme dhe mediokre.

“Rruga e Qumështit”, një pjesë nga Armand Bora, roli më ri që do të vësh në skenë?
Po. Do jem vetëm në skenë për rreth 1 orë e 30 minuta. Më pëlqeu shumë pjesa dhe mezi po pres ta performoj para publikut. Ka edhe ngjyra humori, edhe dramë të fortë. Rrëfen të vërteta të rëndësishme që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë tonë. Po punoj për të.

“At Sergei” e Tolstoit, çfarë i sjell realitetit në Shqipëri kjo pjesë?
Novela e mrekullueshme e Tolstoit, metaforikisht, i fut dorën brenda njeriut dhe e kthen mbrapsht si një triko leshi. Unë jam shumë e kënaqur që jam pjesë e vënies në skenë të kësaj shfaqjeje, nga regjisori Fatos Berisha. Ka kast të dashur për mua dhe mendoj se i ka të gjithë përbërësit për të “gatuar” diçka super të shijshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.