DOSSIER

“E vërteta e vrasjes së babait tim, Bardhok Biba”

15:10 - 02.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Me ndërmjetësinë e mikut tonë, Preng Përgjetanit, një veterani të nderuar mirditas, kuadër drejtues i Kulturës në qytetin e Rrëshenit për disa dekada me radhë e, gjithashtu, një nga të paktët njerëz që ka mbetur në Mirditë nga ata që e kanë njohur nga afër Bardhok Bibën, madje “mek e dashamer” i familjes Biba, pa shumë mundim arrijmë të takohemi me znj. Marie Biba, diku në një nga lokalet në qendër të qytetit të Rrëshenit. Sapo mëson arsyen e ardhjes sonë nga Tirana, Maria, duket si e zënë në faj dhe e qorton Preng Përgjetanin, duke i thënë “mos na korit”, dhe na fton ta ndjekim pas për në shtëpinë e saj, e cila ndodhet fare pranë, diku në katin e katërt të një pallati të ndërtuar në periudhën e komunizmit. Derën e shtëpisë na e hap bashkëshorti i Maries, mjeku i njohur, Zef Prenga, i cili na fton të ulemi në një nga dhomat e apartamentit të tyre të thjeshtë dhe të mobiluar me po ato “rraqe”, siç kanë qenë pothuaj të gjitha familjet shqiptare në ato vite të “periudhës së lavdishme” të regjimit komunist.




Duket sikur koha nuk ka lëvizur fare pasi asgjë nuk ka ndryshuar tek ajo shtëpi për afro katër dekada e kusur kur ata janë martuar dhe kanë hyrë sefte në atë apartament, “dhomë e kuzhinë” siç thuhej atëherë. Edhe pse Maria ka pasur poste drejtuese në Mirditë, si deputete dhe Kryetare e Bashkisë së Rrëshenit dhe bashkëshorti, Zefi, gjithashtu, një mjek tepër human dhe me emër të madh në të gjithë qarkun, (nga Laçi, Lezha dhe Mirdita ku ai ka punuar për vite me radhë), duket se ato poste, detyra dhe funksione që kanë pasur, nuk ua kanë ndryshuar aspak karakterin e tyre dhe çdo punë e kanë kryer me nder. Gjë e cila dukej qartë edhe nga jetesa e thjeshtë e tyre, por që na e treguan edhe mjaft mirditas që patëm rastin të takojmë dhe intervistojmë aty në qytetin e Rrëshenit, ku Maria vazhdon të gëzojë një popullaritet të madh nga “të dy krahët” edhe sot e kësaj dite që është vetëm një qytetare e thjeshtë.

Pas prezantimit me grupin tonë të xhirimit që ka shkuar enkas në Mirditë për të realizuar disa intervista për një dokumentar ku në qendër është historia e babait të saj, Bardhok Bibës, pas një ngurrimi të natyrshëm për të rrëfyer atë histori të dhimbshme jo vetëm për atë, por edhe për dhjetëra familje mirditore, Maria na vë në dispozicion dokumente, foto, albume dhe disa relike të rralla që ajo ka ruajtur dhe i ruan me fanatizëm të rrallë, kujtim nga babai i saj që atë e la vetëm pak më shumë se një vjeçe. Në intervistën e saj, Marie Biba flet për herë të parë lidhur me historinë e vërtetë të babait të saj Bardhok Biba, nga shkollimi në Orosh dhe në Shkodër; lidhja me grupet komuniste; vrasja e tij prej Komitetit të Maleve; bisedat e gjyshit me Mehmet Shehun pas vrasjes; ceremoninë e madhe të varrimit; kujdesin e madh që tregoi Enveri për familjen e tyre; si dërgoi Ilirin me Teutën në dasmën e saj në Rrëshen, ftesat që i bënte duke e thërritur në Tiranë dhe duke kërcyer valle me të dhe ora që Enveri i bëri dhuratë; si e gjeti Maria në Degën e Brendshme të Rrëshenit; letrën që i kishin lënë mbi kufomën e të atit Komiteti i Maleve; refuzimi për t’u takuar me Ndue Pjetër Gjonmarkun pas vitit 1991 dhe çfarë i shkruante ai në letrën që dërgoi asaj?!

Znj. Marie, a mund të na thoni shkurtimisht, kush ishte babai juaj, Bardhok Biba, prejardhja e familjes së tij, shkollimi dhe si ra ai në kontakt me idetë komuniste?
Babai im, Bardhok Biba, ka lindur në 28 janar 1920 në Bulshar të Mirditës, në një familje te varfër. Kjo familje është e lidhur me familjen e Gjonmarkajve, pra pjesë e asaj familje. Baba ka mbaruar në shkollën e Oroshit 7-vjeçaren dhe prej andej ka shku në gjimnazin e Shkodrës. Disa mësues që vinin në shkollën e Oroshit ishin shkodranë, ju ka pëlqy si fëmijë dhe pastaj në gjimnaz ka ra në kontakt me grupet komuniste të asaj kohe, me Tom Kolën dhe Nazmi Rushitin dhe ka fillu të përqafojë ato ide. Eshtë zbulu që një ndër ta ishte edhe im at që merrej me kto grupe komuniste dhe për këtë gjë është përjashtu nga shkolla dhe në vitin 1940-te, është çu me xhandar në Orosh, në familje. Pastaj meqenëse ishte pak larg qëndrave, kto kan pas një shtpi të vogël edhe në Qafë Mollë, me afër qytetit, aty ka ndejt gjatë kohës. Meqenëse kishte edhe vetë interes, ishte i lidhur me grupet e Shkodrës, të Pukës, filloi pastaj veprimtarinë e vet. Pastaj është pranu në parti në ’43-shin dhe është fut në çetën Pukë-Mirditë. Ka qenë gjithashtu komisar politik në batalionin “Perlat Rexhepi”. Kto që ju them ai i ka shkru vetë të gjitha në biografinë e tij

Po mbas mbarimit të Luftës e në vazhdim?
Ka qenë edhe Kryetar Fronti, ka qenë edhe Sekretar i Parë i rrethit të Mirditës. Ka qenë edhe delegat i Kongresit të parë të PPSh. Është zgjedh edhe deputet. Ka kry veprimtarinë e tij edhe politike, është perpjek t’i bindi njerzit në rrugën që kishte marrë vendi ynë dhe për luftën Nacional-Çlirimtare dhe ka punu deri në ’49-ën.

Thuhet se gjatë kësaj periudhe, pra nga mbarimi i Luftës dhe deri në gushtin e vitit 1949, Bardhok Biba ka ndihmuar disa njerëz që kanë qenë të arratisur në male, duke u dërguar fjalë që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe duke u premtuar që të mos dënoheshin?
Nga ata të cilët kanë dalë në mal në atë kohë, ka shumë njerëz, ka edhe persona që më kanë thënë personalisht, që; mu më ka kthy Bardhok Biba në rrugë. Kam qenë në mal, kam bisedu me të, nuk kam pas problem me njerëz dhe me shtetin dhe jam kthy e jam gjallë në sajë të atij. Ai ka punu me kta, i ka afru…

Si është e vërteta e ngjarjes së 7 gushtit të vitit 1949, përse shkoi Bardhoku në atë vend ku iu bë dhe prita?
Ne prill të ’49 ka ardh qendra e rrethit nga Shpali në Rrëshen. Në fillim kanë qenë vetëm shtëpitë e fshatarëve. Kanë qenë 3-4 kulla, kulla e Jakajve, kulla e Gjet Dudës dhe kjo kullë është marrë për zyra. Ka qenë që do të mblidhnim vullnetarë për hekurudhat. Kuptohet që të gjitha rrethet kishin detyrimet e veta. Edhe Mirdita kishte një plan. Janë shpërnda të gjithë nëpër zona dhe ka ardh një njoftim që në zonën e Kaçinarit nuk po dalin shumë vullnetarë. Edhe ka shku vetë. Ka shku në Orosh, ka bërë një takim me popullin. Ka qenë natyrë shumë popullore, nuk ka qenë njeri me kriju konflikte dhe ka shku me idenë që nuk kam pse të kem roje, me idenë që mirditorët nuk më vrasin.

Ka pasur shoqërues me vete?
Ka pas një polic me vete. Ka qenë edhe një njeri i veti, edhe ai ka pas një armë dhe mbasi kanë bërë mbledhjen e takimin, e do vinin, baba ka ec përpara atyre. Ata i kanë zënë pritë në një pozicion shumë të saktë për ta dhe fatal për atë.
Meqenëse ka qenë i pari, e kanë gjujt dy herë. Edhe vetë ka pas një armë, automatik me vete. Gjujtjen e parë e ka marrë në gjoks. Gjujtjen e dytë e ka marrë duke u kthy për me nxjerrë armën. Është vra. Aty kan gjujt kta që kishte me vete, njeri, se tjetrit si ka ashtu pushka dhe e kanë lënë aty dhe nuk kanë mujt me e lëviz, sepse shkonin me idenë që po akuzohemi për atë që ndodhi.

Kush ishin ata që i bënë pritën babait tuaj dhe qëlluan mbi të?
Në vrasjen e tij…ato kan ardh si grup…., kan ardh nga Italia. Atëhere dihej që kanë qenë kto grupet. (Kanë koincidu edhe me provokacionet e 2 gushtit në Jug). Ata kanë ardh me avion, kanë zbarku…..

Thuhet se atë ditë ka pasur edhe bashkëshorten me vete, pra nënën tuaj?
Po në atë takim ka pas edhe nanën me vete, por ajo ishte në një takim me gratë. Nana ka ndigju edhe armët dhe ka marrë rrugën andej nga kanë dëgju armët. Kanë taku në rrugë një gru me një femijë dhe i ka thënë: “A di gjë, ça ishin ato arme”? Ajo u ka tanë: “Unë kam pa gjith zi dhe terr, (siç thotë populli), se kanë vra Bardhok Bibën”, pa e dit se kush ishin kto që po e pyesnin. Nana e ka pyet prap: “Vdekun”?!”Po”-i ka thënë ajo. “Me sa pashë unë, vdekur”.

Çka ndodhur më pas?
E kanë pru pastaj në Rrëshen dhe është bërë ceremonia e varrimit. Për kohën është bërë një ceremoni madhështore. Kanë qenë pothuajse mirditorët shumicë. Edhe dikush që mund të kishte diçka, (pra probleme) ka ardh, me thënë që s’jam unë, ndoshta. Ka qenë edhe një organizim shtetëror, sepse ishte edhe deputet edhe Sekretar i Parë i Mirditës. Ceremonia mortore e babës tim është bërë madhështore për kohën.

Kush ka qenë nga udhëheqja e lartë e Tiranës?
Në atë ceremoni ka qenë Mehmet Shehu edhe Gjin Pjetër Markatoma, gjenerali. Ata të dy e kanë pas arkivolin në krah. Kam pas gjyshin gjallë në atë kohë dhe atij i ka pas thënë Mehmet Shehu: “Ne do t’i nxjerrim ujin e zi Mirditës”. Gjyshi ka qenë një plak i urtë, i zgjuar dhe i ka thënë: -“Mua nuk më ka faj e gjithë Mirdita. N.q.s. jeni të zotë me gjet doracin, është tjetër punë, por Mirdita mua s’më ka borxh”. Ishte fëmija i dytë, djalë që i vritej. I kanë vra edhe vllain babës tim, në moshën 18 vjeçare në Orosh. Nëna ime ka qëne 21 vjeçe atëhere.

Si kanë qenë marrëdhëniet e babait tuaj me gjeneralin e famshëm mirditor, Gjin Marka Toma?
Me Gjin Markun baba ka pas mardhënie shumë të mira. Bile unë me nanën kam shku njëhere tek Gjin Marku. Kishte ai një problem dhe kemi shku e kemi bisedu me të në familje. Kam njohur edhe të jemen që ishte gjallë atëherë…

Është thënë dhe shkruar se pak kohë para vrasjes, Bardhok Biba nuk i ka pasur mirë punët dhe raportet me udhëheqjen e lartë të Tiranës, gjë për të cilën thuhet se ai edhe nuk u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror në Kongresin e parë të PKSH-së në nëntorin e vitit 1948. Dini ndonjë gjë ju rreth kësaj…?

Në atë kongres mund të ketë qenë edhe ndërhyrja e Gjinit që Bardhoku t’u zgjidhte anëtar i Komitetit Qëndror i Partisë Komuniste, por në Kongres është çu dikush nga Veriu dhe e ka trajtu Bardhok Bibën si derë Gjonmarku. “Të jete edhe ca kohë në provë, se ai është Gjomarkaj” dhe kështu baba nuk është zgjedh në atë kongres. Me sa di unë, e ka taku edhe Enveri edhe Gjini dhe i kanë thënë: “Mos na mbaj inat, se shokët e tu, nukë dinë se kush je ti”. (Gjin Marka Toma në atë kohë ishte zv/ministër i Mbrojtjes dhe pritej që në atë Kongres, të zgjidhej kandidat apo anëtar i Byrosë Politike. Por kjo gjë nuk ndodhi, pasi Gjini jo vetëm nuk e sulmoi Koci Xoxen, siç bënë pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë të nxitur nga Enveri, por u mundua ta shfajsonte, duke thënë që; Koci nuk ka ndërrmarë asnjë veprim pa dijeninë e Partisë dhe çdo gjë është bërë në mënyrë kolegjiale. Shënimi ynë, D.K.)

Enver Hoxha ka qenë disa herë në Mirditë dhe te shtëpia e gjyshit tuaj, gjë e cila dihet tashmë dhe nga foto të ndryshme. Si e ka trajtuar familjen e gjyshit tuaj Enver Hoxha?
Po Enver Hoxha ka qenë disa herë në shtpinë tonë. Në fillim është bërë një takim në Rubik që do të shkonte për Hidrocentralin në Ulëz. Aty është taku nëna ime me të dhe gjyshi. Enver Hoxha i thënë se do të kujdesem unë sikur me qenë djali i dytë për ty. Gjyshi im nuk shihte në atë kohë dhe i ka thënë Enveri që; do të çojë dikë, do të marri të operojë dhe ti do të shohësh. Ai e ka falenderu, ndërsa nëna i ka thënë: “S’na duhen më sytë”!

Po tek shtëpia juaj a ka ardhur Enver Hoxha?
Po vite më vonë ka ardh në shtëpi tek unë. Gjyshi nuk jetonte. Di që kur ka vdek gjyshi, ishin ato shërbimet shtetërore, nuk e di. Kanë sjell në atë kohë, kafe, pije. Enver Hoxha ka ardh në shtëpine tonë, në ’68-ën që ka kalu në disa zona në Mirditë dhe kur jam martu unë, në dasëm më ka sjellë të birin me nusen (Ilirin dhe Teutën) dhe më ka bërë edhe një letër urimi dhe më ka dhuru një orë. Me Enver Hoxhën jam taku gjithashtu edhe në moshë të rritur, përveç ’68-ës edhe një herë në Kongresin e 8- të Partisë. Ish Kryetari i Komitetit ktu athëre, Gjon Deda, në një takim që kishte me Enverin, ai e pyeste vazhdimisht. I ka thënë që; unë nuk e kam pa prej kohësh Marijen dhe kam dëshirë me e taku. Më kanë marrë, më kanë çu me një makinë apostafat në Tiranë dhe kam qenë në mbrëmjen që është bërë në Pallatin e Brigadave, në mbyllje të Kongresit. Aty pastaj më ka taku dhe ka thënë që; do marr një valle me Marijen. Kemi kërcy një valle popullore duke u thëne edhe delegacioneve që; kjo është goca e një shokut tim të luftës.

Po nëna juaj, lidhur me vrasjen e Bardhokut apo trajtimin që iu bëhej familjes suaj më pas, a ka pas shprehur ndonjëherë ndonjë pakënaqësi ndaj atij regjimi?
Nana nuk ka pas shpreh asnjëherë ndonjë pakënaqësi.

Mbas vitit 1991, janë kthyer në Shqipëri disa nga ata të Komitetit të Maleve që kanë qenë atë ditë me grupin që morën dhe vendimin për të vrarë Bardhok Bibën. A keni tentuar ndonjëherë të takoheshit me ta, apo ata me ju?
Me kta që erdhën nga emigracioni…., po e zemë njëherë me fisin tim, Ndue Pjetër Gjonmarkun, nuk jam taku dhe nuk kam dash me u taku. Ai ka ba pastaj një kërkesë, por nuk kam pas dëshirën, sepse unë kam dit mirfillt, se e kam pa me sytë e mi, letrën që ai kishte shkru për vrasjen.

Kur e keni parë atë letër dhe çfarë shkruhej në të?
Ka qënë atëhere Dega e Punëve të Brendshme, flas para viteve ’90-të. Me një drejtues kam pas muhabet dhe më pat thënë që; ne kemi disa dokumenta që do i çojme me i dorzu. Në qofte se dëshiron, diçka mund të jap, por të mbetet vetëm ktu. E pashë…..

Po pse u shkrua ajo letër që iu la mbi trupin e vrarë të babait tuaj?
Ndojës (Ndue Pjetër Gjonmarkut)i kanë thëne me bë letrën fisi, sepse kuptohej që ishin problem fisesh aty, dhe kanë qenë edhe Mëlysht, etj. Kanë thëne që; nuk e vrasim pa na dhënë një letër, sepse nesër kur të ndodhi ndonjë diçka, do të ngatërrohesh me ne, sepse e ke të fisit tënd. E ka ba atë letër. Me emrin dhe me firmën e vet.

Thatë që nuk keni dashur dhe nuk keni pranuar ta takonit Ndue Pjetër Gjonmarkun?
Ndue Pjetri ka pas kriju Komitetin e Maleve, më pat shkrujt diçka, që; unë nuk jam fajtor. (bëhet fjalë për organizatën “Heroizma Shqiptare” që pati krijuar Ndue Pjetër Gjonmarkaj, e cila pati aktivitet edhe në Shqipëri pas vitit 1991 kur ai erdhi për herë të parë në atdhe nga emigracioni i gjatë. Shënim ynë. D.K.). Ndue Gjonmarku më ka ba një letër pas ’90ës dhe si Kryetar i Komitetit të Maleve, ku midis të tjerash më shkrunte: “Ne kishim bindje të ndryshme, por nuk kam pas dëshiren me e vra Bardhokun”. Më vonë e kam dëgju me veshet e mi, duke thënë: “Unë e kam vra Bardhok Bibën”. Pas kësaj për mua ishin të preme të gjitha mardhëniet, ndërsa me pjesën tjetër të fisit, mardhëniet i kemi kriju veç në demokraci.

Ju personalisht, ku keni punuar para viteve ’90-të
Mësuese kam punuar në Rrëshen dhe shumë vite në Komitetin e Partisë të Mirditës, fillimisht si instruktore dhe më pas edhe si sekretare komiteti.

Ndërsa pas viteve ’90-të jeni zgjedhur deputete e Mirditës në Parlamentin e parë dhe disa vjet më vonë edhe si kryetare e Bashkisë së Mirditës…?
Po, në ’91-in jam zgjedhur deputete në Kuvend Popullor, atëherë nga Fronti. Kam qenë për zonën Rubik-Kaçinar. Ndërsa në vitin 2000, për një mandat jam zgjedhur edhe kryetare e Bashkisë së Rrëshenit ku kam punuar me të gjitha energjitë e mija.

Zgjedhja në këto detyra e funksione tregon se Mirdita dhe mirditorët ju kanë respektuar edhe si e bija e Bardhok Bibës?
Po patjetër…. dhe më respektojnë mjaft dhe për këtë gjë u jam shumë mirënjohëse.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.