Kosova

Opozita në “gjueti” të votave për mocion mosbesimi

16:51 - 03.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partitë opozitare në Kosovë, prej disa muaj, në vazhdimësi kanë theksuar se qeveria aktuale e vendit është qeveri e pakicës dhe si e tillë nuk po mund t’i kryejë detyrimet e veta, për të cilat ka marrë përgjegjësinë. Por, për një mocion mosbesimi të suksesshëm ndaj qeverisë, as partitë opozitare nuk kanë arritur t’i sigurojnë 61 votat e domosdoshme.




Megjithatë, partitë opozitare thonë se u nevojiten edhe 3 vota për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe kanë paralajmëruar se do të përpiqen që ato t’i sigurojnë nga deputetët e partive brenda koalicionit qeverisës.

Ditë më parë, liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë takuar dhe kanë shprehur gatishmërinë e intensifikimit dhe koordinimit të bashkëpunimit opozitar.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se në situatën e tanishme, zgjidhja e vetme është të vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por, Bilall Sherifi, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila është brenda koalicionit qeverisës, thotë se subjektit të tij politik, deri më tani askush nuk i është drejtuar për të shqyrtuar eventualisht çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se janë tërhequr nga koalicioni qeverisës dhe megjithatë kanë vazhduar, siç e kanë quajtur ata “punën teknike” në dikasteret e ndryshme qeveritare, nuk kanë dashur që të deklarohen nëse kanë qenë të kontaktuar nga partitë opozitare lidhur me shqyrtimin e ndonjë mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë./ Burimi: REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.