DOSSIER

Dokumenti: Tritan Shehu me figurë morale-politike jo të mirë

14:10 - 04.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Edhe pse thuhej dhe propagandohej me të madhe mbi “trekëndëshin revolucionar, Mësim-Punë-Kalitje”, mësimi ishte gjëja e fundit për të cilën preokupohej dhe shqetësohej udhëheqja e lartë dhe Sektori i Arsim-Kulturës pranë Komitetit Qendror të PPSH-së.




Veç të tjerash kjo gjë duket qartë edhe në një dokument arkivor të nxjerrë nga një dosje me siglën “sekret” nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi 14, struktura, Aparati i K.Q. të PPSH-së), ku sektori i Arsim-Kulturës pranë Komitetit Qendror, me anë të një informacioni, i bën me dije udhëheqjes së lartë për të gjitha problemet që kishin dalë në fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, në atë “material”, që sektori i Arsim-Kulturës pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, e kishte marrë dhe selektuar nga raportet e ardhura nga Komiteti i Partisë së Universitetit të Tiranës, i cili, gjithashtu, e kishte “grumbulluar” nga mbledhjet e organizatave bazë të partisë të fakulteteve të ndryshme dhe jo vetëm, kanë zënë vend një sërë problemesh nga më të ndryshmet, si p.sh.: “pastërtia e figurës së komunistëve”, “përbërja e delegacioneve që shkonin jashtë shtetit”, “raportet mjekësore të marra pa kriter nga student e pedagogë”, “ndërhyrjet për emërimet e kuadrit”, “problemet biografike të studentëve që vinin në universitet”, “figurës morale e politike të tyre”, “ndërhyrjet dhe hatërllëqët në dërgimin jashtë shtetit të pedagogëve për specializime e konferenca shkencore”, “ndërrimet degëve”, etj. etj.

Madje në atë raport-informacion kanë zënë vend deri problemet e brendshme familjare të mjaft pedagogëve, të cilët për arsye nga më të ndryshmet ishin divorcuar nga bashkëshortët e tyre. Dhe në asnjë pikë e raport-informacionit në fjalë nuk flitet për anën mësimore dhe cilësinë e procesit mësimor, apo kalueshmërinë e studentëve në lëndët që ata zhvillonin. Nga sa shihet në dokumentin në fjalë, aty përmenden shumë emra studentësh dhe pedagogësh mjaft të nderuar në fushat dhe specialitetet e tyre, që nga ajo periudhë kohe dhe më pas, të cilët, gjithashtu, kanë bërë emër të madh edhe pas viteve ’90-të. Si p.sh. Dr. Prof. Ylvi Vehbiu, një nga mjekët më në zë në Shqipëri, Dr. Prof. Tritan Shehu, mjek reanimator-anestezist nga më të mirë në Shqipëri dhe ish-student i preferuar i profesorit të famshëm Xhelal Kurti, Dr. Prof. Ylli Ziçishti, gjithashtu, një nga mjekët më në zë të Shqipërisë, etj. etj. Dhe nisur nga ky fakt, nuk është e vështirë të kuptohet se përmendja e emrit të Tritan Shehut dhe Ylli Ziçishtit në atë raport-informacion, është bërë me tendencë dhe ajo gjë nuk ka shumë lidhje direkt me personin e tyre, se sa me familjet e tyre dhe biografitë e “dyshimta” që ata kishin, edhe pse studionin në shkollë të lartë.

Përmendja e emrit të Tritan Shehut, si person “me figurë morale-politike jo të mirë”, duket që më shumë lidhet me figurën e të atit të tij, Masar Shehut, (nga një familje mjaft e njohur me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës), një intelektual i diplomuar në Lion të Francës në vitet ’30-të për Histori dhe Letërsi, (ndërsa bashkëshortja e tij dhe njëkohësisht nëna e Tritanit, Zana Bogdo, u diplomua për Muzikë, dega piano, në Konservatorin e Santa Cecilja në Romë në vitet ’30-të) një antifashist i orëve të para, i cili bashkë me një grup prej 18 personash, të gjithë intelektualë antifashistë u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, vetëm pak javë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Aty Masari ra në kontakt me idetë komuniste dhe pas kthimit në Shqipëri u vendos në Durrës si një nga krerët kryesorë të Lëvizjes Antifashiste dhe për atë aktivitet ai u caktua si përgjegjës politik i Grupit Partizan të Pezës. Por akoma pa mbaruar mirë Lufta, duket se Masari u zhgënjye nga veprimet që po ndërmerrnin krerët kryesorë të Partisë Komuniste me në krye Enver Hoxhën dhe filloi të fliste edhe hapur për ato gjëra (vrasjet dhe krimet) dhe për këtë shkak, ai u arrestua nga Koçi Xoxe në vitin 1946. Pasi u mbajt disa kohë i arrestuar, Masari u lirua nga burgu si “viktimë e Koçi Xoxes” dhe punoi si gazetar dhe zv/kryeredaktor në gazetën “Zëri i Popullit” deri në vitin 1956 ku ndodhi Konferenca e Tiranës. Në atë kohë në mbledhjet e organizatave bazë të Partisë që po zhvilloheshin në pragun e mbajtjes së Konferencës së Tiranës, Masari ishte një nga eksponentët kryesorë që ngritën problemet për privilegjet e “Bllok”-ut dhe udhëheqjes së lartë, etj.

Madje në organizatën e Partisë të gazetës “Zëri i Popullit” ku ishte e deleguar Nexhmije Hoxha, Masari u përplas haptas me të, aq sa Nexhmija, në shenjë presioni, i kujtoj atij që në periudhën e Luftës, ai ishte arrestuar njëherë nga italianët?! Duke nënkuptuar në mënyrë diabolike, se mund të kishte lidhje me S.I.M-in, akuzë kjo nga më të rëndomtat që u bëhej herë pas here të gjithë atyre komunistëve që “dilnin nga binarët”, të cilët gjatë periudhës së Luftës, ishin arrestuar dhe liruar më pas nga pushtuesit italianë. Por, nga personat që kanë qenë prezent në atë mbledhje,(Intervista me Muhamer Spahiu, “Gazeta Shqiptare”, shkurt 2002) thuhet se Masari i është përgjigjur menjëherë Nexhmijes duke i thënë: “Po të kisha lidhje me S.I.M.-in, do të kisha dorzuar ty atje dhe jo në shtëpinë time ku të strehova me muaj, si baza më e sigurtë e Levizjes pa të hyrë asnjë gjëmb në këmbë”. Por gjithsesi Masari mundi të shpëtojë nga dënimi i dytë me burg, vetëm me masën e përjashtimit nga partia, ashtu si pjesa më e madhe e atyre komunistëve idealistë që “ngritën krye” në Konferencën e Tiranës, por damka si njeri “antiparti” i mbeti gjatë gjithë kohës deri sa doli në pension si mësues i thjeshtë ne Politeknikumin e Tiranës.

Po kështu, diku nga viti 1962 gjatë një mbledhje në lagjen afër shkollës “Qemal Stafa”, ku ishte i deleguar Adil Çarçani, Masari kërkoi fjalën, por Adili i tha: “Ti Masar Shehu nuk ke të drejtë fjale, se je armik”. Nisur nga të gjitha këto, Masari kaloi një jetë plot stres dhe nën një presion të madh deri në vitet e fundit të jetës kur ai u arrestua përsëri ndonëse në një moshë të thyer. Arrestimi i tij ndodhi diku nga viti 1989, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Simon Stefani, (i sapoemëruar në atë detyrë pas një debati të ashpër në Byro, ku ai kritikoi ministrin, Hekuran Isai, se; “përse nuk po zbuloheshin më grupe armiqësore, si në kohën e shokut Enver” dhe Ramizi i tha: shko ti Simon ministër), Masar Shehu dhe disa ish-kuadro të tjerë që nga periudha e Luftës dhe më pas, si Muhamer Spahiu, Ihsan Budo, Mustafa Qilimi etj, u arrestuan (arrestim sekret) dhe u mbajtën për gati dy javë në një bazë sekrete të Sigurimit të Shtetit (Hotel Tirana Internacional), duke u bërë presion që ata të pranonin se kishin qenë agjentë të Italisë që nga koha e Luftës. Natyrisht kjo gjë dështoi dhe skenari i Sigurimit doli blof dhe personat e arrestuar i liruan. Po kështu përmendja e Ylli Ziçishtit në atë raport-informacion, duke se, më shumë se sa me emrin e tij, ka të bëjë me babanë e tij, Mihallaq Ziçishti, zv / ministër i Brendshëm dhe xhaxhanë e tij, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, ndaj të cilëve, (pikërisht në atë kohë që është hartuar raport-informacioni) sapo kishte filluar goditja dhe më pas u arrestuan të akuzuar si “bashkëpunëtorë të ngushtë të Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut”. (Siç duhet Mihallaqi u dënua me 20 vjet burg, kurse Llambi u pushkatua).

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Yllka Plasarin që përmendet në këtë raport-informacion, një nga studentet më të shkëlqyera të fakultetit të saj, e cila ishte viktimë e mbiemrit të saj, pasi i ati, Ndreçi Plasari, u godit pas ngjarjeve të vitit 1982 me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Co”, dhe, gjithashtu, prej Anastas Plasarit, ish-gazetar dhe publicist i njohur që nga periudha e Monarkisë së Zogut, i cili në periudhën e regjimit komunist konsiderohej dhe trajtohej si “reaksionar”. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi 14, i Komitetit Qendror të PPSH-së.

I N F O R M A C I O N
Nga informacionet e Komitetit të Partisë së Universitetit dhe nga asistimet tonat në mbledhjet e organizatave bazë të Universitetit për diskutimin e letrës së Komitetit Qëndror dërguar organizatave bazë për pastërtinë e figurës morale të komunistëve kanë dalë këto probleme:
1. Në punën ideo-politike dhe edukative me komunistët dhe kuadrot janë vërejtur të meta dhe dobësi.

Nga të gjitha organizatat bazë të Partisë ka dalë se ka ndërhyrje e presione nga prindërit dhe kuadrot jashtë Universitetit, por nganjëherë edhe brenda përbrenda Universitetit, për pranime, ndërrime degësh, kalueshmëri, për emërime të kuadrit pedagogjik e shkencor, për dërgime jashtë shtetit etj.
Si pasojë e veprimeve të tilla, në disa degë “të preferuara”, si Arkitektura, Elektronika, Gjuhët e huaja, Mjeksia, Shkencat politiko-juridike, etj, pjesa dërmuese e studentëve, janë bij nënpunësish.

Shrregullime, shkelje normash dhe veprime të parregullta, janë vërtetura edhe në sistemin pashkëputje nga puna të Universitetit, si në mosmarrjen në provime, në mosmbajtjen si duhet të dokumentacionit, etj, gjë që ka lënë shteg për shfaqje liberalizmi, hatërllëqe etj.
Nga disa rrethe nuk janë vlersuar si duhet kriteret politike për studentët e dërguar në Universitet. Vjet Tirana dërgoi 14 studentë të tillë. Kritika të shumta janë bërë për kriteret e dërgimit të studentëve jashtë shtetit (vajza e Mihallaq Gjinikasit), për dërgime specialistësh, përbërje delegacionesh etj. Në Fakultetin e Mjeksisë janë kritikuar rastet kur Josif Adhami ka shkuar disa herë jashtë në konferenca ndërkombëtare, i shoqëruar nga njerëz të papërgatitur; Jahja Pulaj që morri pjesë në Konferencën e O.M.S-it, ishte i papërgatitur. Xhavit Ulqini ka shkuar në Konferencën Ndërkombëtare në Paris, në rrugë jo të drejtë në kundërshtim me normat dhe kriteret.

Pothuaj në të gjitha organizatat bazë të Partisë janë bërë vërejtje se të gjithë specialistët që shkojnë jashtë shtetit, jepen shumë pas interesave personale dhe kur kthehen nuk japin sa duhet llogari para katedrave për punën e bërë.
Një fenomen shqetësues që ka marrë përpjestime të gjëra është lëshimi pa kriter i raporteve mjeksore të pamerituara, sidomos për komponentin e punës prodhuese dhe stërvitjen ushtarake, për justifikim mungesash në procesin mësimor, për shtyrje të afateve mësimore etj.
Në degën e Financës të Fakultetit Ekonomik për vitin mësimor 1981-1982, kanë paraqitur raporte mjeksore për punë prodhuese dhe stërvitje ushtarake, 17% e studentëve, nga të cilët 70 ishin nga Tirana dhe 50 fëmijë kuadrosh. Fenomeni i marrjes së raporteve vihet re edhe nga pedagogët. Ka organizata partie që në këtë komponent marrin pjesë jo më shumë se 20%-30% e komunistëve. Për zgjidhjen e këtij problemi është propozuar me kohë ngritja e Poliklinikës për studentët, por nuk është marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë.

2. Mbi disa problem të punës me kuadrin, metodës dhe stilin në punë
Në marrjen e kuadrit të ri në përgjithësi janë zbatuar normat dhe kriteret e vendosura, por në mbledhjet e organizatave bazë u kritikuan ndërhyrjet dhe shkeljet e vërejtura për marrjen e ndonjë kuadri të ri, për qarkullimin, emërimin e kuadrit që sapo mbarojnë universitetin etj. Kështu me ndërhyrjen e Ylvi Vehbiut është propozuar për t’u mbajtur si asistent, Ylli Ziçishti, duke pasur edhe notë mesatare të ulët. Në organizatën e partisë të Fakultetit të Shkencave Politiko-Jurdike është ngritur problemi, se për marrjen e Yllka Plasarit si pedagoge, ka ndërhyrë e jëma, Burbuqe Plasari. Katedra e Kirurgjisë është kritikuar për ndërhyrje se ka propozuar për dërgim jashtë shteti për specializim, Tritan Shehun, me figurë jo të mirë morale-politike. Shkelje në marrjen e kuadrit tregon edhe fakti se nga 1430 punonjës që ka Universiteti, 168 janë lidhje fisnore, prej të cilëve 130 janë punonjësh mësimorë-shkencorë.
Në organizatën e Partisë janë kritikuar edhe rastet e prishjes së familjeve dhe dhënies pas interesit personal të disa pedagogëve. Kështu Nasi Bozhegu, Argjir Ligori, Thoma Kristo, Vasil Kristo, Medi Agalliu, Jolanda Kostari etj, kanë prishur familjet. Margarita V. ka marrë haptazi rrushfet, pedagogu Ardian Këlliçi me figurë të kompromentuar, me shfaqje të mëndjemadhësisë, të intrigave ndërmjet kolegëve etj. Ndërsa disa pedagogë te Gjuhët e huaja, jepen shumë pas interesit personal, saqë dëmtojnë edhe procesin mësimor.

Kritika janë bërë shumë edhe për përdorimin për nevoja personale të veturave nga shtatë profesorë të Mjeksisë, në një kohë kur fakultetet nuk kanë asnjë të tillë për nevoja pune.

Kritika u bënë edhe ndaj katedrës së pedagogjisë dhe organizatës bazë të Histori-Letërsisë për qëndrime oportuniste dhe liberale mbajtur ndaj Bedri Dedës, për huazime dhe kopjime nga literatura sovjetike. Në disa organizata partie ka pasur sinjalizime për qëndrime jo të mira morale të pedagogëve ndaj studentëve, siç është rasti i Fane T. etj.
Për këto problem, Komiteti i Partisë i Universitetit ka urdhëruar organizatat bazë që t’i rishikojnë me kujdes, ndërsa për disa probleme të tjera që dolën jashtë instancave të universitetit, janë bërë informacionet përkatëse.

7.8.1982 SEKTORI I ARSIM-KULTURES


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.