EKONOMI

Gara jo e barabartë, pezullohet koncesioni i pompave

16:16 - 04.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Njësoj si në rastin e Teatrit Kombëtar, qeveria është tërhequr nga koncesioni i pompave në stacionet e karburanteve. Komisioni i Prokurimit Publik ka pezulluar garën pasi një kompani ndërkombëtare Penzoil Trading SA ka bërë ankesë.




Në ankesë, kompania zvicerane pretendon se procedura e ndjekur nga qeveria për të dhënë me koncesion këtë shërbim është e jo transparente dhe e paligjshme, duke çuar praktikisht në paracaktimin e fituesit pa lejuar garë.
Për këtë arsye, Komisioni i Prokurimeve Publike, ka urdhëruar ministrinë e Financave të pezullojë menjëherë tenderin dhe të vërë në dispozicion të Komisionit informacione shtesë për të gjitha pretendimet e ngritura nga kompania.

Tenderi për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve u shpall nga ministria e Financave dy javë më parë dhe ishte parashikuar të zhvillohej në 18 tetor. Ky koncesion, ka ardhur si propozim i pakërkuar nga kompania Noa Control, e cila është shpërblyer nga qeveria me 10 për qind të pikëve duke qenë e avantazhuar në tender.

Aktualisht kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë. Për këtë kompanitë e karburanteve paguajnë rreth 100 euro në vit për çdo pompë, që kanë në stacionet e tyre.

Dhënia me koncesion e shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve është kritikuar nga ekspertët, por edhe operatorët e karburanteve në treg. Ekspertë të fushës thonë se veç rritjes së çmimit të karburantit kjo mund të sjellë edhe dëmtim të konkurrencës në treg, duke mos përjashtuar marrëveshjet pjesore mes koncesionarit dhe operatorëve të karburanteve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.