DOSSIER

“Enver Hoxha me 20 napolona ndau një vajzë nga i fejuari”

14:25 - 09.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ekskluzive / Zbulohet korrespodenca e Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos me Ministrinë e Kulturës dhe Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1973, për dënimin e redaktorëve të romanit të Petro Markos dhe e ndalimin e veprës.  Zv/ Ministri Mantho Bala: “Libri është autobiografik dhe autori ka bërë autolëvdata, ndërsa figurën e shokut Enver nuk e paraqet drejt, duke e reduktuar atë”




Trajtimi i figurës së Enver Hoxhës në një vepër letrare apo dhe në artet figurative nga ana e shkrimtarëve dhe artistëve gjatë periudhës së regjimit komunist të para viteve ’90-të, ishte një problem me mjaft zarar dhe paraqiste një risk të madh për autorët që merrnin përsipër trajtimin e “figurës së udhëheqësit kryesor”, sidomos kur ai ishte në epiqendër të veprës si personazh kryesor i saj. Risku që mbartnin mbi vete krijuesit në rast të mos aprovimit të veprës, e cila trajtonte “figurën e udhëheqësit’, nuk dëmtonte vetëm autorin e veprës, por edhe redaktorët, recensentët apo drejtuesit e Shtëpisë Botuese dhe ata të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve që kishin dhënë aprovimin për botimin e saj. Sidoqoftë kësaj, atë “rrisk” e patën marrë përsipër dhe provuar një numër jo i pakët shkrimtarësh e artistësh, por jo të gjithë arritën ta kalojnë me sukses “provën e zjarrit” mbi të cilën endej e ravijëzohej “figura dhe roli i udhëheqësit kryesor” në fantazinë e tyre krijuese. Ndër të parët që e pësoi këtë gjë, ishte dhe shkrimtari i njohur Petro Marko, i cili që në vitin 1972-’73, në romanin e tij me temë historike, “Një emër në katër rrugë”, (i cili u konsiderua si “roman autobiografik”), merrte përsipër e trajtonte edhe figurën e Enver Hoxhës, kryesisht për periudhën e Monarkisë së Zogu. Madje duke e trajtuar atë gati-gati si personazh kryesor të veprës së tij, e cila jo vetëm që nuk u lejua të qarkullonte pas botimit të saj nga ana e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, por ajo shkaktoi një furtunë të vërtetë për të gjithë ata që lejuan botimin e saj. Dhe e gjitha kjo, pasi në veprën e tij, Petro Marko “nuk kishte trajtuar drejt figurën dhe rolin e Enver Hoxhës”?! Siç duket, fati i keq vazhdonte ta ndiqte “këmba-këmbës” Petro Markon, (në vitet e para të pas Luftës, vuajti disa vjet burg politik), pasi botimi i librit të tij koincidoi edhe me fillimin e pranverës së vitit 1973, kur Enver Hoxha ndërmori “furtunën” e madhe ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, ku autori me origjinë nga Bregu, u ndodh papritur në qendër të atij “cikloni”, madje krejt i zbuluar. Të gjitha këto duken dhe nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri, ku krerët më të lartë të udhëheqjes, duke filluar nga Ramiz Alia, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Mantho Bala etj., kanë bërë një sërë shënimesh mbi to, duke dhënë orientimet përkatëse për dënimin e autorit Petro Marko, si dhe atyre që kishin lejuar e dhënë viston për botimin e atij libri, si; Pipi Mitrojorgji Ali Abdihoxha, Alqi Kristo, Dilaver Dilaveri, Dhurata Xoxe, Dalan Shapllo etj. etj. Aq i madh ka qenë alarmi i shkaktuar nga ai roman, saqë Ramiz Alia si rrallë ndonjë herë në të gjitha dokumentet që ai ka parë dhe nënshkruar, ka mbushur disa faqe të tëra me shkrimin e tij për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e tij, (gjë e cila duket dhe nga faksimilet përkatëse që po i publikojmë në këtë shkrim, ekskluziv për “Gazeta Shqiptare”), libër, i cili pa dritën e botimit vetëm pas shembjes së regjimit komunist pas viteve ’90-të.

 

LETRA E ZV/MINISTRIT MANTHO BALA PER PROBLEMET QE NXORRI ROMANI I PETRO MARKOS

         R E L A C I O N

  MBI ROMANIN E PETRO MARKOS “NJE EMER NE KATER RRUGE”

Romani ka ardhur në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në shtator të vitit 1972. Në muajin tetor-nëntor 1972 është recensionuar nga Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri. Redaktor i veprës është caktuar Llazar Siliqi, i cili ka punuar nga dhjetori i vitit 1972 e deri në maj të vitit 1973. Në qershor 1973 e ka pasur redaksia, ndërsa autori e ka mbajtur për ripunim deri nga gjysma e korrikut të këtij viti dhe në 15 gusht vepra është dërguar në shtyp.

Mbasi e lexuam dhe diskutuam romanin, arritëm në konkluzionin se ai nuk duhet të qarkullojë për këto arsye:

  1. Regjimi i Zogut nuk pasqyrohet me forcën e duhur në aspektin e tij klasor. Duke u marrë më shumë me shthurjen morale dhe injorancën që i karakterizonte njerzit në shërbim të këtij regjimi, autori ka lënë thuajse jashtë këndit të vështrimit tërë veprimtarinë politike të këtij mbreti satrap.
  2. Tërë romani përshkohet nga shthurja e degjenerimi moral, nga skena e përshkrime erotike dhe banalitete që do të ndikonin negativisht tel lexuesi ynë. Në mënyrë krejt të shtrembër paraqitet femra shqiptare. Del sikur ajo që në takimin e parë me mashkullin mendon vetëm për dashuri, bile në këtë drejtim tregohet e guximëshme e inisiatore, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Duke spekulluar mbi pasqyrimin e shthurjes morale të regjimit në fuqi, autori nuk ka ruajtur sensin e masës dhe të krijon përshtypjen sikur këto fenomene ishin të përhapura gjërë në vëndin tonë, çka nuk është e vërtetë.
  3. Figura e shokut Enver nuk paraqitet drejt, saktë e gjërë. Bile ka episode të tilla ku veprimtaria e tij reduktohet në dhënien e 20 napolonave për të shkëputuir një vajze (Qazimen) nga i fejuari i saj, të cilën ajo nuk e donte. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur dihet se shoku Enver përballonte probleme shumë të rëndësishme që kishin të bënin me fatin e Atdheut dhe të revolucionit.
  4. Disa personazhe nuk i trajton drejt. Kështu mund të përmëndim Rizon. Duke theksuar injorancën e tij, të lokalizuar “nga një fshat i Kurveleshit”, pavarësisht nga qëllimi që i ka vënë vetes autori, konfirmon propagandën e magali-idesë së shqiptarëve injorantë, të egër etj. Kjo figurë negative nga Kurveleshi, e paraqitur pa ndonjë personazh pozitiv po nga kjo krahinë e Labërisë që t’i kundërvihej, nuk tingëllon mirë.

Demiri (nga Peqini) për lexuesin tonë nuk mbetet figurë e krijuar, por histrike dhe prandaj, ashtu si trajtohet, nuk duhet të zërë vënd në veprat tona.

Edhe figura të tjera të fshatit Dhrimadhe, sado që duken të krijuara, veçanërisht për lexuesin e asaj krahine njihen, prandaj paraqitja e tyre në mënyrë të pasaktë historikisht nuk është e drejtë.

  1. Romani ka pasaktësira historike edhe sa i përket vendosjes së së ngjarjeve në Dhrimadhe. Për lexuesin shqiptar është e qartë se këtu kemi të bëjmë me Dhërmiun. Por ta paraqesësh atë si një qëndër të lëvizjes revolucionare në bregdet, kur dihet se s’ka qenë e tillë, do të thotë të shtrembërosh realitetin historik.

Vënja e e emrave të krijuar e për më tepër me ngajshëmri si për disa personazhe ashtu dhe për vëndin, nuk mund ta justifikojë autorin, i cili njeh mirë specifikën e lexuesit dhe të vëndit tonë.

  1. Duke u nisur nga fakti se lexuesi e ka të lehtë të kuptojë se, Gjikë Bua është vetë autori, roli që i atribuohet atij si përhapës i ideve komuniste dhe i lëvizjes nacional çlirimtare në bregdet, është aspak i saktë, as për periudhën para formimit të Partisë dhe aq më pak pas saj. Në këtë vështrim, ne mendojmë se me elementët autobiografik është tepruar shumë, duke kaluar në autolëvdata të pamerituara.

Reçenzentët, sidomos Dalan Shapllo, kanë ngritur disa probleme, por nuk i kanë shkuar deri në fund veprës. Kurse redaksia nuk e ka realizuar plotësisht as vërejtjet e recenzentëve dhe nuk u ndal seriozisht tek kjo vepër, sidomos pas fjalimeve të shokut Enver dhe materialeve të Pleniumit të IV-të, kur ajo rishqyrtoi shumë vepra të tjera që kishte në shtypshkronjë apo në proces.

Përgjegjësia kryesore për botimin e kësaj vepre të gabuar bie mbi Drejtorinë e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, dhe personalisht mbi ish-drejtorin, Ali Abdihoxha dhe nëndrejtorin, Alqi Kristo, të cilët janë kritikuar edhe më parë për praktika të tilla pune.

Përgjegjësi të rëndë kanë gjithashtu: redaksia me në krye Dhurata Xoxe, e cila nuk e vlersoi drejt shqyrtimin e romanit, as dhe disa vërejtje të reçenzentëve: redaktori Llazar Siliqi, i cili me përvojën dhe pjekurinë e tij në këtë fushë, nuk duhej të kish lejuar t’i kalonte një vepër e tillë, mbi të cilën ai punoi një kohë të gjatë; recenzentët Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri, të cilët nuk u thelluan sa duhet në gabimet e veprës, por e quajtën atë “pozitive dhe me vlera edukative”.

Për këto arsye u porosit Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” të bëjë një analizë të thellë, të nxjerrë shkaqet, të përcaktojë përgjegjësitë dhe masat që duhen marrë.

Ne mendojmë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të organizojë një diskutim për romanin si edhe për dramën e të njëjtit autor “Niku i Martin Gjinit”, botuar në “Nëndori” nr. 11.

Sipas marrëveshjes që kemi me entin botues “Rilindja” të Prishtinës, një kopje e botuar e këtij romani është dërguar në Kosovë në kohën kur ai u dërgua për botim në shtypshkronjë. Prandaj do të lidhemi në telefon me entin botues të “Rilindja” për t’jua kërkuar që të na kthejnë kopjen e romanit, nën pretekstin e ripunimit nga ana e autorit.

 

Tiranë, më 4-XII-1973     ZV / MINISTRI

                (Mantho Bala)

 

 

………………………………………………………..

        R E L A C I O N

  MBI ROMANIN “NJE EMER NE KATER RRUGE”

Në bazë të porosisë sonë Ministria e Arsimit dhe e Kulturës shqyrtoi romanin “Një emër në katër rrugë”, procedurën që është ndjekur për botimin e tij dhe arriti në konkluzionin që përfshihen në informacionin që bashkëngjisim. Ne bashkohemi me konkluzionin e Ministrisë dhe shtojmë se:

1.Romani është një vepër autobiografike. Vetë vepra në variantin e saj të parë mbante titullin “Gjikë Bua”. Dimë nga ana tjetër se i jati i Petro Markos quhej Marko Bua. Figurë kryesore, hero i veprës, është Gjikë Bua, që personifikon autorin e veprës, Petro Marko. Kjo kuptohet lehtas nga lexuesi. Rreth Gjikë Bua shtjellohen të gjitha ngjarjet dhe episodi i romanit. Ai jepet si një nga figurat kryesore revolucionare, si figurë qëndrore në përhapjen e ideve komuniste. Rreth tij lëvizin të gjithë revolucionarët e tjerë t’ë asaj kohe. Meritat dhe autolëvdatat janë n’ë atë shkallë që të ngjallin zëmërim dhe neveritje, të bërë me paramendim, me qëllim që të mbulojë të kaluarën e tij dhe të krijoi tek lexuesit e rinj që nuk e njohin një adhurim për “veprimtarinë e shquar revolucionare të Petro Markos” (sic).

  1. I përshkruar nga një subjektivizëm i shfrenuar romani shtrembëron të vërtetën historike lidhur me pasqyrimin e lëvizjes revolucionare dhe Luftën Nacional-çlirimtare.

Veçanërisht dobët, skematike dhe pa dinjitet është trajtuar figura e dhe roli i shokut Enver.

  1. Regjimi i Zogut nuk pasqyrohet në aspektin e tij klasor. Vihet theksi në shthurrjen morale dhe injorancën që e karakterizonte Mbretin Zog dhe njerzit në shërbim të këtij rrethi. Janë lënë thuajse jashtë këndit të vështrimit veprimtaria e tij politike, figura e tij si shtypës, shfrytëzues dhe sundimtari më i egër e më i shëmtuar i historisë së popullit tonë.
  2. Në roman ka shumë skena liçensioze, episode të përshkrimit erotik dhe banale të tipit Dekameron, të krijuara nën ndikimin dirtekt të veprave të autorëve të huaj, që ndikojnë negativisht tek lexuesi ynë.

Përgjegjësia e shokut Ali Abdihoxha, Dhurata Xoxe dhe Llazar Siliqi është veçanërisht e madhe po të mbahet parasysh se shqyrtimi i veprës dhe aprovimi për botim i saj, është bërë pikërisht në kohën kur zhvillohej debati i madh ideologjik për luftën kundra ndikimeve dhe shfaqjeve të huaja në letërsi dhe arte, kur organizatat e partisë dhe institucionet e kulturës dhe arteve ishin angazhuar në diskutime të gjalla kundër tyre. Shoku Ali dhe shoqja Dhurata nuk zbatuan me rigorozitet ndaj kësaj vepre, porosinë e dhënë për rishikimin e gjithë veprave që ndodheshin në redaksi ose në shtypshkronjë, nën dritën e fjalimeve të shokut Enver dhe më vonë në Pleniumin e 4-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Ata vepruan gjithashtu në kundërshtim me porosinë e dhënë nga shoku Ramiz në muajin maj të këtij viti, sipas së cilës nuk duhej të botohej asnjë vepër letrare dhe jo letrare që merren në trajtimin në çfarëdo mënyre e shkallë të figurës së shokut Enver, pa marrë më parë pëlqimin e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Edhe në botimin e kësaj vepre shoqja Dhurata dhe shoku Ali kanë praktikuar metoda që nxisin dhe ushqejnë subjektivizmin në vlersimin e veprave. Kështu vepra “Një emër në katër rrugë”, ju dha për redaktim Llazar Siliqit në mbështetje të kërkesës personale të autorit.

Si konkulzion:

1.Për dobësitë serioze ideore që u përmëndën më lart, romani “Një emër në katër rrugë”, të mos qarkullojë.

2.Brenda këtij muaji në bazë të udhëzimeve të K.P. të rrethit Tiranës, organizata bazë e partisë e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” do të analizojë thellë këtë fakt, do të nxjerrë shkaqet, do të përcaktojë përgjegjësitë dhe masat që duhen marrë. Organizata bazë e partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve do të analizojë përgjegjësinë e shokut Llazar Siliqi si redaktor i veprës. Në mënyrë të veçantë do të analizohet fakti që ai gjatë redaktimit nuk morri në konsideratë disa vërejtje të drejta të karakterit parimor që kishin bërë recenzentët dhe e ka marrë për redaktim veprën në rrugë jo të drejtë, sipas kërkesës personale të Petro Markos. Do t’i hiqet vëmëndje shokut Dalan Shapllo, i cili si recenzent i veprës ka dhënë aprovimin për botimin e saj dhe e ka çmuar atë si vepër pozitive me vlera artistike.

  1. Pavarësisht nga mendimi i organizatës, për arsyet që thamë më lart dhe për faktin se shoku Ali Abdihoxha nuk ka nxjerrë akoma konkluzionet e nevojëshme nga kritikat që i janë bërë si drejtues i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, të shkarkohet nga funksioni i këshilltarit. Të zbatohet menjëherë vendimi i marrë për largimin e shoqes Dhurata Xoxe nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
  2. T’i hiqet vëmëndja Komitetit të Kulturës dhe Arteve, i cili nuk ka ushtruar kontrollin e nevojshëm në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, për ruajtjen të pastërtisë ideologjike në botimin e veprave letrare.
  3. Të ngarkohet shoku Mantho Bala të thërasë autorin dhe ta vëjë në dijeni për arsyet e mosqarkullimit të veprës së tij.

 

Sektori i Shypit

8.III.1973

(vijon nesër)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.