Kryesore

Tkurren universitetet publike, mbyllen 41 programe studimi në vend

13:26 - 09.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Këtë vit të ri akademik, universitetet publike në vend do të hapin dyert për studentët me 41 degë studimi të mbyllura e me 7000 kuota të paplotësuara. Të dhënat alarmante që dëshmojnë qartë tkurrjen e universiteteve publike zbardhen nga studimi i organizatës “Qëndresa Qytetare” sipas së cilës në universitetin e Gjirokastrës do të mbyllen 13 degë, në atë të Elbasanit 12, në universitetin e Shkodrës do të mbyllen 6 degë dhe në universitetin e Korçës 7 të tilla.




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate tregon se shkaqet kryesore të mbylljes së 41 degëve në mbarë vendin janë tarifat e larta të studimit, përkeqësimi i situatës së arsimit të lartë në vend si dhe reformat e njëpasnjëshme që kanë shkaktuar kolaps. Xhemollari më tej thekson se sipas raporteve të mëparshme të ‘Qëndresës Qytetare’ në lidhje me nivelin e perceptimit dhe pranisë së korrupsionit në universitete, tek ato universitete që niveli i korrupsionit është më i lartë janë mbyllur më shumë degë studimi.

Sipas analizës që ka realizuar “Qëndresa Qytetare”, sa është numri i degëve që do të mbyllen për vitin e ri akademik 2018-2019 dhe në cilat universitete?

Bazuar në të dhënat e portalit të krijuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për rankimin e maturantëve u-albania, aktualisht rezultojnë 41 programe studimi që për shkak të mungesës së studentëve të regjistruar shkojnë drejt mbylljes. Në Universitetin e Gjirokastrës mbyllen 13 degë, në atë të Elbasanit 12, 6 në atë të Shkodrës dhe 7 degë në Universitetin e Korçës.

Cilat janë degët që do të mbyllen? Sa kuota kanë ngelur bosh në institucionet e arsimit të lartë publik në vend?

Për shkak të politikave të gabuara të ndjekura nga shteti ynë, po nxitet çdo ditë e më shumë emigrimi I të rinjve duke braktisur universitetet publike, duke ndaluar prej 6 vitesh me ligj doktoratat. Universiteti Eqerem Çabej në Gjirokastër nuk do të diplomojë më historianë, universiteti Luigj Gurakuqi nuk do të diplomojë më fizikanë. Për ironi të fatit edhe universiteti Aleksandër Xhuvani s’do të diplomojë më filozofë e ai i Vlorës nuk do të ofrojë më programe studimi për kiminë. Këtë vit të ri akademik, universitetet publike do të hapin dyert me 41 degë studimi të mbyllura në total dhe 7000 kuota të lira, kuota në dispozicion të studentëve shqiptarë në kërkim.

Sa është numri i degëve që rrezikojnë të mbyllen?

Përveç programeve të studimit që nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve që është 10 studentë për program studimi, sipas analizës së ‘Qëndresës Qytetare’, edhe 22 Programe te tjera rezultojnë me 12 – 13 studentë, të cilët për arsye emigracioni ose humbje të interesit apo për shkak të mos arritjes së rezultateve të duhura nuk e kalojnë vitin akademik, do të çojë në vazhdimin e tkurrjes së programeve të studimit duke i kthyer këto universitete në shkolla – kolegje 2 – vjeçare.

Cilat janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në mbylljen e 41 degëve?

Sipas analizës sonë arsyeja kryesore përse situata e arsimit të lartë është përkeqësuar duke mos u preferuar më nga të rinjtë shqiptarë është mungesa e trajtimit të arsimit si prioritet kombëtar duke investuar vetëm 3% të GDP dhe duke u renditur të fundit në rajon sa i takon këtij treguesi. Ne me ligj kemi ndaluar shkencën duke bllokuar doktoratat për 6 vite, po me ligj po shkatërrojmë edhe universitetet. Pra, në vendin që ka më shumë nevojë për arsim dhe rritje të cilësisë së kapitalit human, investohet më pak.

Mendoni se tarifat janë faktor për tkurrjen e universiteteve publike?

Studentët shqiptarë paguajnë tarifat më të larta në Europë të studimit për universitetet publike dhe marrin shërbimin më pak cilësor të mundshëm. Gjithashtu, vendi ynë edhe pse rezulton me pagat minimale dhe mesatare nga më të ulëtat, ju ofron atyre jetën studentore më të shtrenjtë në Rajon. Këtë fakt na e vërteton edhe raporti i Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert “Pabarazia në Europën Juglindore” ku theksohet se vetëm 1% e të varfërve shqiptarë kanë akses në arsimin e lartë, ndryshe nga vendet e rajonit ku kjo shifër shkon deri në 11%. Ky fakt tregon se politikat tona sociale janë më të dobëta, pagat minimale 180 euro dhe mesatare 290 euro nuk arrijnë të përballojnë tarifa deri në 2500 euro, përpos jetesës, qirave dhe shpenzimeve të tjera që kanë studentët. Këto tarifa krahasuar me vendet e zhvilluara europiane janë absurde pasi po të marrim shembullin e Gjermanisë dhe Austrisë, ku pagat mesatare shkojnë deri në 2200 euro, tarifat e studimit janë 0-600 euro.

Po reformat e njëpasnjëshme në arsim si kanë ndikuar?

Në Shqipëri prej 2006-s, çdo vit ndryshon rruga e maturantëve për në universitet, njëherë fuqizohet mesatarja e më pas provimet, apo matura njëherë bëhet hyrëse e më pas dalëse, kjo situatë krijon kolaps dhe cenim të sistemit meritë preferencë, gjë që ka shtyrë maturantët e këtij viti të zgjedhin universitete perëndimore për të studiuar. Pas çdo reforme të pasuksesshme shteti ynë ka ndërmarrë një tjetër po të pasuksesshme pa analizuar efektet e së parës.

A ka korrupsion në universitetet publike?

Sipas raporteve të mëparshme të ‘Qëndresës Qytetare’ në lidhje me nivelin e perceptimit dhe pranisë së korrupsionit në universitete, tek ato universitete që niveli i korrupsionit është më i lartë janë mbyllur më shumë degë studimi. Ky fakt tregon se tregtimi i notës dhe diplomës si mall tregu ka prodhuar efektin e antireklamës tek këto universitete.

Sipas jush si mund të parandalohet tkurrja e universitetit publik?

Në emër të Qëndresës dua t’i bëj thirrje të gjithë pedagogëve dhe studentëve të angazhohemi së bashku për të shpëtuar universitetin nga tkurrja dhe mbyllja e degëve të studimit. Vetëm qytetarët dhe banorët që popullojnë universitetin mund të ndryshojnë këtë situatë që do e quaja anti – shkencë që ka kapluar çdo instancë që ka në objekt rregullimin e sistemit arsimor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.