OPINION

Komunikimi kundër opozitës i opozitës

07:30 - 10.10.18 Julian Zyla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kritikat ndaj qeverisë kanë qenë nga më kreativet dhe të lirshmet ndaj një qeverie në Shqipëri, si nga opozita ashtu dhe nga shoqëria civile. Atëherë, kur opozita kërkon të mos kritikohet opozita, nuk është duke kërkuar që të kritikohet qeveria, por, të kritikohet vetëm qeveria.




Por cili ka qenë komunikimi më i efektshëm kundër opozitës? Ai i opozitës! A ka mundur opozita të bindë se është një nga pjesët e shoqërisë që kërkon me çdo kusht të përmirësojë jetesën e shqiptarëve dhe se ardhja e tyre në pushtet është thjesht mjeti?

Njerëzit më tepër shohin një grup që kërkon me çdo kusht të vijë në pushtet dhe se përmirësimi i kushteve të jetesës së shqiptarëve është thjesht një nga temat. Ose, nuk është as një nga temat, sepse komunikimi i opozitës përmban kryesisht tema abstrakte penale e politike. Njerëzit, edhe kur janë personazhe nismëtarë të ndonjë çështjeje, kthehen jo në shkallë, por në raketë, për të shkuar në akuza përgjegjësie të drejtpërdrejta për Ramën. Si mund të jetë kjo mënyra për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve?

Në çfarë elementësh do të mund të ndahej kjo mjeshtëri në paaftësi e opozitës? (Kush nuk është dakord se është mjeshtëri në paaftësi, pranon se Basha po kërkon vetëm pushtetin, çka mund të diskutohet.)

Së pari, një nga elementët është: opozita nuk përshëndet asnjë vendim të qeverisë. As me nismat për mjedisin nuk është dakord? Të pastrosh Shqipërinë qenka diçka për të cilën nuk ia vlen të bashkohet politika? Si mund të ketë besueshmëri kur e gjen fjalën e përbashkët përpara zgjedhjeve, por jo përpara një aksioni kombëtar për pastrim?

Reagimet pozitive nuk do të ishin vetëm legjitimim i veprimeve të qeverisë, por, mbi të gjitha, legjitimim i vetë opozitës si një grup politik që nuk kritikon për hir të kritikës, por vetëm kur beson se diçka po keqmenaxhohet. Nëse për çdo tështimë fajin e ka Edi Rama (“Thanks Obama!”), ai që konsumohet nuk është Rama (ose Obama), por pala akuzuese.

A ka faje Rama? E pranon edhe vetë që bën gabime, duke u tërhequr në disa raste. Por padurimi për të arritur te ai për çdo ngjarje, pavarësisht nivelit në të cilin ndodh, tregon vetëm papjekuri nga ana e opozitës.

Së dyti, një tjetër element është perceptimi ndaj opozitës se nuk ka një alternativë qeverisëse ndryshe apo më të mirë për të ofruar. Kjo lidhet si me faktin që është një forcë që ka udhëhequr për dekada, ashtu edhe me elementin e tretë e të fundit, të cilin e përmendëm: faktin që debati i saj nuk qëndron te problemet e njerëzve, por mezi pret të fluturojë te Edi Rama.

Nëse debati opozitar nuk i jep shumë hapësirë problemeve ditore të njerëzve, si mund të shmanget perceptimi se mund të bëhet fjalë për mungesë alternative? Pse duhet t’u interesojnë njerëzve debatet që i interesojnë opozitës, mbushur me emra të përveçëm, por të zbrazët nga problemet e përgjithshme? Ky perceptim bën pa interes përpjekjet e veçanta të opozitës.

Elementi i tretë, i sipërpërmendur, është dedikimi i munguar ndaj problemeve, ndaj njerëzve. Duket sikur ka një padurim për të gjetur rrugë të shkurtra. Shkohet tre ditë nëpër fshatra, durohen historitë e tyre për dy-tre ditë dhe, kur nuk ndërrohet pushteti, “kthehemi te temat e zakonshme”.

Imagjinoni këtë padurim ndaj punës së detajuar të qeverisë. Qoftë si ekzekutiv, qoftë si ekzekutuese e disa strategjish komunikimi.

Është thënë e rithënë, që për të krijuar ndjekës një njeri duhet të frymëzojë. Sa frymëzojnë prokurorët, si njerëz të akuzës? Aq frymëzon opozita. Edhe nëse preceptimi i fillimit mund të jetë në favor të tyre për ndonjë çështje, qoftë para se me dy lëvizje të arrihet te akuzat për Edi Ramën, maksimumi që mund të arrijnë janë disa vota më pak për shumicën parlamentare.

Por a janë këto vota për ta? Me gjasa kthehen në abstenime. Do të mjaftonte? Nëse po, është opozita në drejtimin e duhur dhe së shpejti do të vijë në pushtet. Por, me gjasa, opozita pa ndërruar gjeneral apo strategjinë gjenerale do të jetë rruga e shkurtër për fitore radhë të atyre që flasin me njerëzit për ato që shqetësojnë njerëzit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.