OPINION

Drejt “shkurorëzimit” të GDP-së?

07:32 - 11.10.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto ditët e fundit kanë tërhequr vëmendjen katër ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, në dukje rastësore, por ngushtësisht të lidhura në përmbajtjen dhe mesazhet e tyre domethënëse. Java filloi me nderimin me çmimin “Nobel” të ekonomistëve elitarë amerikanë, William Nordhaus dhe Paul Romer, përkatësisht për integrimin e klimës dhe teknologjisë në analizat e zhvillimeve afatgjata makroekonomike. Ndërsa pardje, FMN-ja njoftoi korrigjimet e saj në ulje për prirjet e rritjes ekonomike botërore për 2018-2019 dhe parashikime të zymta për më tej. Po ashtu, Këshilli Botëror i Klimës miratoi raportin voluminoz të Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve (GIEC) që kërkon me urgjencë masa radikale për shmangien e ngrohjes së mëtejshme globale në prag të Samitit Botëror vijues të Klimës, në dhjetor në Katovicë. Po në këtë kuadër, pardje ministrat e Mjedisit të BE-së ranë dakord me vështirësi për reduktimin 35 për qind të gazrave të automjeteve deri në vitin 2030.




Por, nëse në këto katër ngjarje, për vetë specifikën dhe kufizimet përkatëse, më tepër u hodh dritë mbi sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik botëror, në dy aktivitete të tjera  të mëparshme ndërkombëtare u shkua më tej, duke venë gishtin në plagët që ka shkaktuar vetë rritja ekonomike, që sipas tyre po del “jashtë loje”.

Është fjala për “Konferencën e Post- Rritjes Ekonomike”, të zhvilluar më 18-19 shtator në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel, me praninë e përfaqësuesve të grupeve politike të tij, të OJQ-ve, think tankeve, institucioneve kërkimore, etj. Ky takim vijoi letrën zyrtare që 200 ekonomistë, kërkues dhe politikanë të njohur nga SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika etj. i drejtuan në fillim të muajit shtator Komisionit Evropian, ku tanimë kërkojnë rishikimin e qëndrimeve mbi vetë konceptin e rritjes ekonomike të mishëruar në GDP, sepse ajo nuk tregon gjendjen reale social-ekonomike të shoqërisë.

Këto dhe mjaft lëvizje/veprimtari të tjerë në botë janë kambana të fuqishme alarmi që po ushtojnë prej kohësh. Në fakt, krizat serioze bankare, financiare dhe ekonomike të 10 viteve të fundit, papunësia, varfëria ekstreme dhe zotërimi i pjesës dërmuese të pasurive në duart e pak manjatëve, dështimi i klasave tradicionale politike, që ka çuar në përshkallëzimin e populizmit dhe ekstremizmit të djathtë tashmë dhe brenda vetë BE-së shpjegohen edhe në dështimin e këtij koncepti dhe praktike që ka “bërë ligjin” kudo gjatë shtatë dekadave të fundit; kur rritja ekonomike konsiderohet si tregues, argument dhe instrument pothuajse magjik i pazëvendësueshëm, një dogmë dhe tabu e paprekshme, por larg realiteteve të dhimbshme sociale dhe humanitare.

Shembull i qartë i dritëhijeve të mëdha në këtë fushë është Gjermania, “lokomotivë” e ekonomisë botërore, që shquhet për ritme të vazhdueshme të rritjes ekonomike. Vitet e fundit, falë edhe përgjysmimit të nivelit të papunësisë, thuhet se aty po realizohet “mrekullia e dytë” ekonomike pas asaj të viteve ‘50. E megjithatë, në terrenin konkret, zhgënjimet, pakënaqësitë dhe pritshmëritë për mirëqenien masive sociale, sidomos në pjesën ish-lindore janë shumë më të mëdha. Ndërkohë, varfëria po përhapet duke goditur ¼ e popullsisë. Mendoni se ç’ndodh pastaj në vende të tjera të BE-së si Italia, Spanja, Portugalia, Greqia dhe në rajone të tjera në botë ku shifrat mbi rritjen ekonomike kanë shërbyer më shumë si gjethe fiku për të mbuluar dobësitë dhe deficitet e shumta.

Edhe përforcimi gjatë tri dekadave të kaluara i GDP-së me elementë jetikë si “rritje e qëndrueshme” e “gjelbër” “gjithëpërfshirëse” etj., nuk ka dhënë dhe as nuk pritet të japë rezultatet e pritshme.

Pavarësisht nga sa sipër, ende OKB-ja, OECD-ja, madje edhe vetë BE-ja vazhdojnë t’i përmbahen këtij treguesi. Kështu, kohët e fundit, Komisionit Evropian iu paraqit për shqyrtim logoja “Përtej GDP-së”, por ai e redaktoi në “GDP dhe përtej”. Por, me këtë statuskuo nuk janë pajtuar shoqëria civile, studiuesit e kësaj fushe, OJQ-të, diplomatë, think tanke, fraksionet në Parlamentin Evropian, etj.

Në krye të këtij procesi, diskutimi për një shoqëri të post-rritjes është Nisma Globale “Aleanca e Ekonomive të Mirëqenies” (Wellbeing Economies Alliance/WE ALL, e cila bashkërendon agjencitë dhe rrjetet e shumta për paraqitjen e modeleve përkatëse alternative.

Institucioni i parë serioz në këtë fushë është Klubi i Romës, i krijuar në vitin 1968 nga ish-presidentë/kryeministra, politikanë, ekonomistë të shquar etj.

Mesazhi i dytë alarmues është rreziku që në dekadat e ardhshme të mos ketë më vend për rritje ekonomike, sepse ajo do të shkatërronte mjedisin, klimën, paqen sociale dhe shkaktonte rrënimin e demokracisë. Sipas ekspertëve me zë, GDP-ja i ka arritur dhe po i kapërcen limitet fundore. Në fakt, këto limite dhe ndikimin e madh të klimës në tkurrjen e rritjes ekonomike, Nobelisti Nordhaus e ka paralajmëruar qysh në vitin 1972.

Shkaku kryesor buron nga përkeqësimi i gjendjes së mjedisit dhe rreziku i ngrohjes globale tej limitit prej 1,5 për qind deri në fund të shekullit. Sipas raportit zyrtar të publikuar gjatë kësaj jave nga Këshilli Botëror i Klimës, nëse nuk merren masat e duhura, në vitin 2030 temperatura globale do të rritet në 3,5 nga 1,5 gradë që është kufiri i caktuar në Traktatin e Parisit mbi Klimën 2015. Kjo do të jetë me pasoja të pallogaritshme në përkeqësimin drastik të kushteve të motit, fatkeqësive natyrore dhe vetë zhvillimin social-ekonomik. Nga ana tjetër, ulja drastike e përdorimit të gazit, naftës dhe qymyrit, të lëshimit të gazit karbonik dhe masat e tjera të ngjashme janë me ndikim në uljen e ritmeve të punësimit, konsumit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Shkak tjetër i rëndësishëm, që nënvizohet edhe në raportin e lartpërmendur të FMN-së është mbingopja e tregjeve, përshkallëzimi i proteksionizmit dhe lufta e ashpër tregtare sidomos ndërmjet fuqive të mëdha, SHBA, Kinë, Japoni, Rusi, BE etj.

Po cilat janë alternativat për të ardhmen në shqyrtim?

Në mënyrë të përmbledhur, veç sa sipër, përmenden  tatimi progresiv, që prej tij të mos përfitojnë shtresat e pasura, por ato më në nevojë dhe të mesmet, përmirësimi i cilësisë së jetës nëpërmjet rritjes së shpenzimeve për sigurimin social, arsim, kulturë, reduktimi i pabarazisë ekonomike dhe sociale etj.

Një dispozitë tjetër tejet e rëndësishme është që krahas minimumit jetik, të përcaktohen sa më parë ligjërisht edhe të ardhurat maksimale për një shpërndarje më të drejtë të tyre, duke reduktuar  ndjeshëm diferencat stratosferike. Mundësi të mëdha ka në kufizimin e përdorimit të burimeve natyrore, futja e teknologjive të reja për lehtësimin kohës së punës etj.

Për këtë qëllim, mbështetësit e “shoqërisë së post- rritjes” në radhë të parë kërkojnë çlirimin nga vartësia prej rritjes ekonomike, ose “shkurorëzimin” e saj, por natyrisht pa e “fshirë nga defteri”. Në vijim, në Francë, Gjermani, Angli dhe gjetkë janë propozuar koncepte/tregues alternative më të gjerë, si “mosrritje (decroissance)” “post-rritje (postwachstum), rritje ekonomike dhe mirëqenie sociale” etj. Ndërsa, në vend të GDP-së është propozuar GNH ose Indeksi Kombëtar i Lumturisë, etj. Një tjetër ekspert i kësaj fushe, Tim Jackson, në librin e botuar vitin e kaluar, “Begati pa rritje” (Prosperity without growth) e konsideron këtë të fundit si “objektiv të saktë dhe domethënës”.

Vetëkuptohet që dukuritë e lartpërmendura, me aspektet pozitive dhe ato problematike janë madje më të pranishme edhe në vendin tonë. Lajmi i mirë është se për shkak të bazës sonë shumë të ulët fillestare, ka ende mjaft mundësi për rritjen e mëtejshme ekonomike. Padyshim që parashikimi i FMN-së për dy vitet e ardhshme për Shqipërinë, për një rritje prej 3 për qind është rrjedhojë e përpjekjeve dhe reformave të deritanishme. Por, nuk ka kurrfarë arsye për eufori, edhe pse formalisht kemi lënë prapa disa  vende të BE-së, përfshirë dhe Gjermaninë, “steka” e të cilave është pakrahasueshmërisht më e lartë se jona. Ndryshe nuk do të na duheshin edhe mbi tri dekada që t’i kapim ato. Mjafton të kujtojmë propagandën butaforike të qeveritarëve tanë në mesvitet ‘90 se gjoja po bëheshim “model ekonomik” që plasi si flluskë sapuni më 1997.

Gjithashtu, është pozitive që sipas Bankës Botërore, GDP-ja dhe të ardhurat vjetore për frymë në vendin tonë në 10 vitet e fundit janë rritur 40 për qind! Mirëpo, efektet e saj social-ekonomike janë pothuajse  të padukshme dhe të paprekshme për shumicën dërmuese të popullsisë, si pasojë e pabarazive dhe padrejtësive “makabre” në shpërndarjen e përfitimeve prej saj. Kështu, vërtet GDP-ja mesatare vjetore për frymë është rritur në 3600 dollarë, por për shumicën ajo luhatet vetëm në 1400 dollarë, ndërkohë që 14 për qind e popullsisë merr vetëm 2 dollarë në ditë!

Ndaj, me gjithë aspektet pozitive, rritja ekonomike shqiptare është shumë larg plotësimit të nevojave bazë të përditshme ekonomike të shumicës dërmuese të popullsisë. Tabloja bëhet edhe më e zymtë po të përmendim ndikimin e madh negativ të ekonomisë informale, të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që e nxjerrin edhe më “zbuluar” këtë koncept.

Kësisoj, është momenti që forcat politike dhe fondacionet e tyre studimore, universitetet dhe institutet tona ekonomike, shoqëria civile, think tanket etj., të thonë fjalën e tyre me studime dhe analiza tërësore mbi këto çështje që shifrat dhe arritjet ekonomike, përfshirë dhe GDP-në të mos mbeten thjesht variabla statistikore dhe propagandistikë por, siç këshillonte legjendari Ludwig Erhard në bestseller “Mirëqenie për të gjithë”, ato të jenë të prekshme edhe për njeriun e thjeshtë të rrugës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.