Kryesore

Ligji i ri për Teatrin, Ilir Meta e kthen sërish! Arsyet pse…

13:40 - 11.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pavarësisht amendamenteve të ndryshuara sa i përket ligjit për Teatrin, Presidenti Ilir Meta e ka rikthyer atë sërish në Kuvend.  Kreu i shtetit në këtë për këtë vendim, liston edhe arsyet. Sipas Ilir Metës, pas vlerësimit dhe shqyrtimit të ligjit që u miratua në 5 korrik dhe atij që u miratua në 20 shtator, ka ndryshime qoftë në parashikimet e qëllimit dhe objektit, por dhe në procedurat e mjetet e parashikuara në secilin prej tyre.




Ligji i parë, argumenton presidenti kishte për objekt dhe qëllim përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, pa procedura konkurrimi, me një partner privat të përzgjedhur drejtpërdrejtë me ligj (shoqërinë Fusha shp.k).  Ligji i ri, ai i datës 20 shtator sipas Presidentit parashikon dhe procesin e vlerësimit të çdo propozimi që mund të paraqitet nga palët private, si rezultat i zbatimit të procedurës së konkurimit.

Megjithatë edhe ky ligj, për Presidentin Meta është jo në përputhje me Kushtetutën e vendit, interesin publik, ruajtjen e vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. Ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara dhe më parë, thotë presidenti.

Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje. Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë. Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës”, argumenton kreu i Shtetit.

Arsyet mbi të cilat Presidenti i Republikës, e ktheu për rishqyrtim ligjin nr.37/2018, po i citojmë në mënyrë të përmbledhur si më poshtë:
1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018) bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 (dt.05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.