KULTURË

Robert Budina: Filmi im në festivalin “Talin” dhe beteja për teatrin

17:20 - 11.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – I frymëzuar nga natyra, historia e zonës desha të realizoj një film të realizmit magjik dhe herë-herë surreal të rrëfyer në mënyrë shumë personale dhe subjektive përmes personazhit kryesor të filmit që quhet Besnik dhe është një bari dhe besimtar i devotshëm, i cili kalon në sprova të vështira në raport me familjen, komunitetin, dashurinë dhe besimin në zot”. Ky është në pak fjalë filmi më i ri i Robert Budinës konkurrues në një prej festivaleve më të mëdha europiane, festivali “Talin”. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” rrëfen filmin dhe kohën mes xhirimeve, projekteve e protestës së pareshtur prej muajsh në mbrojtje të godinave të teatrove kombëtarë. “Personalisht për mua ka rëndësi të madhe që filmi është zgjedhur në garën zyrtare kryesore të festivalit dhe konkurron me më të mirën që vjen nga kinemaja botërore pasi ‘Tallin’ është një nga podiumet më të rëndësishme të kinemasë botërore për momentin”, thotë Budina. Në rolet kryesore interpretojnë Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.




Budina thotë se, në fakt, protesta po më pasuron jashtëzakonisht shumë për të zbërthyer qenien njerëzore në planin social, politik dhe njerëzor dhe me siguri do të bëhet frymëzim për veprën e ardhshme. Unë nuk ndaj mendimin që artisti është i shkëputur si qenie sociale apo politike nga shoqëria.

-”Streha mes reve”, nis udhëtimin ndërkombëtar. Në kushtet kur ke kaq muaj i angazhuar me kohë të plotë në mbrojtjen e teatrove kombëtarë, ç’ domethënie ka kjo për ty?

Nisja e betejës fillimisht me mbrojtjen e ligjit të kinematografisë nga ndryshimet që deshi të bënte Ministria e Kulturës dhe më pas mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar përkoi, me kohën kur unë sapo kish përfunduar post prodhimin e filmit në Rumani. Në kushtet kur beteja me qeverinë është ashpërsuar shfaqja e filmit në Black Nights Film Festival në Tallin natyrisht që merr një domethënie të fortë, pasi është një nga 8 festivalet më të mira të filmit në Europë dhe 15 më të mirët në botë, kur revistat më të mëdha të kinemasë botërore si Varaity, Hollywood Reporter apo Indrwire shkruajnë. Dhe jo vetëm, vitet e fundit Tallin ka tërhequr ajkën e industrisë kinematografike botërore ku vijnë distributorët më të mëdhenj të kinemasë dhe televizionit, pra është kthyer një nga marketet më të mëdha të filmit art në botë. Fakti tjetër që personalisht për mua ka rëndësi të madhe është që filmi është zgjedhur në garën zyrtare kryesore të festivalit dhe konkurron me më të mirën që vjen nga kinemaja botërore pasi Tallin është një nga podiumet më të rëndësishme të kinemasë botërore për momentin. Natyrisht që kjo përzgjedhje kaq e rëndësishme më jep sigurinë që ta ruaj pavarësinë e mendimit dhe të vazhdoj betejën së bashku me shumë të tjerë kundër qeverisë, e cila kërkon të shembë jo vetëm godinën e teatrit, por t’i japë një goditje fatale kulturës së vendit.

-Si ka lindur “Streha mes reve”?
Para disa vitesh unë isha një nga producentët e “Burrnesha” një film italian që morri pjesë në garën zyrtare në Berlin në 2015, i cili u xhirua në Valbonë. Gjatë qëndrimit atje në kontakt edhe me historitë reale të zonës më lindi ideja të shkruaja “Streha mes reve” që ka një frymëzim direkt nga natyra dhe gjeografia e vendit atje.

Por unë doja të realizoja një film shumë personal subjektiv, i cili të kishte të veçantën e tij dhe njëkohësisht të ishte universal për një audiencë që i kalon kufijtë kombëtare, ndaj morra përsipër të trajtoj marrëdhëniet e një individi në raport me familjen, dashurinë, komunitetin, besimin në zot dhe natyrën.

-Përtej sinopsit për një bari e një besimtar a qoftë edhe pronat, cili ka qenë fokusi yt?
I frymëzuar nga natyra, historia e zonës desha të realizoj një film të realizmit magjik dhe herë-here surreal të rrëfyer në mënyrë shumë personale dhe subjektive përmes personazhit kryesor të filmit që quhet Besnik dhe është një bari dhe besimtar i devotshëm, i cili kalon në sprova të vështira në raport me familjen, komunitetin, dashurinë dhe besimin në zot.

-Sa kohë të ka marrë ky film, ku është xhiruar, kush interpreton?
Puna ka filluar në mesin e vitit 2015 dhe ka përfunduar tani, pra rreth tre vjet që nga ideja fillestare deri në shpërndarjen e filmit. Në rolet kryesore interpretojnë: Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala. Pastaj personazhet dytësore i morëm nga zona, të cilët u përshtatën më së miri me aktorët kryesorë. Më ka ngelur në mendje puna përgatitore me aktorët, sepse kemi kaluar një periudhë krijuese shumë frytdhënëse dhe të bukur me njëri- tjetrin, ishim realisht si një familje e ngrohtë ku të gjithë ndihmojnë njëri- tjetrin.

– Budina, sa të mungon sheshxhirimi në kohë proteste?
Në fakt, protesta po më pasuron jashtëzakonisht shumë për të zbërthyer qenien njerëzore në planin social, politik dhe njerëzor dhe me siguri do të bëhet frymëzim për veprën e ardhshme. Unë nuk ndaj mendimin që artisti është i shkëputur si qenie sociale apo politike nga shoqëria, madje edhe nëse është i tillë ai përsëri është i lidhur në formë të pandarë me realitetin, por duke qenë i përfshirë direkt kupton më mirë si ndërsillet qenia njerëzore në raport me një ngjarje politike apo shoqërore, e cila nga ana e saj ndikon direkt në metamorfozën e individit.
Gjithsesi pavarësisht protestës unë po punoj intesivisht për projektet e radhës së Erafilm qoftë si producent apo edhe si skenarist për projektin e ardhshëm.

– Si i ke siguruar fondet për filmin?
Filmi është financuar nga QKK dhe RTSH dhe pjesërisht nga bashkëprodhuesi rumun DIGITAL CUBE. Ndërsa shpërndarja ndërkombëtare e filmit është bërë nga PLUTO FILM Gjermani. Distributori gjerman i filmit e ka pëlqyer filmin që në fillesat e tij dhe më ka asistuar përgjatë gjithë kohës që kam shkruar skenarin. Mendoj se ka qenë një siguri e madhe që filmi të përfundonte me sukses.

– A është biznesi shqiptar dashamirës ndaj arti aq sa të kontribuojë në një film?
Mendoj se për momentin biznesmenët janë shumë më të prirur ndaj artit të konsumit se sa veprave të vërteta te artit në Shqipëri, kjo vlen jo vetëm për kinemanë, por edhe për dokumentarët, teatrin apo dhe forma të tjera artistike jo shumë fitimprurëse që janë cilësore. Për këtë duhet një formim ndryshe jo vetëm i biznesmenëve, por edhe i gjithë shoqërisë dhe besoj së shpejt do të vijë edhe tek ne. Gjithsesi deri sa të vijë ajo kohë duhen disa ndryshime në ligjin për sponsorizimin dhe krijimin e formave të reja të lehtësive fiskale për të përfshire biznesin privat në vepra cilësore, siç mund të jetë rimbursimi për një pjesë të shpenzimeve që ata mund të bëjnë në vepra të tilla. Forma të tilla ka kohë që Europa dhe bota i aplikon si një formë efikase e zhvillimit të artit të vërtetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.