Kryesore

Gara në universitete s’ka përfunduar, mundësia e fundit për maturantët

17:00 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur dot të aplikojnë në raundin e parë dhe të dytë në një nga programet e studimit për vitin e ri akademik 2018-2019, mund të shfrytëzojnë edhe një mundësi të fundit. Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë përmes një shtese që ka bërë në udhëzimin nr.18 të datës 21.5.2018 ka vendosur t’u japë një shans atyre që s’kanë mundur të bëhen ende pjesë e universiteteve. “Në udhëzimin nr. 18, datë 21.5.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të ndryshuar, pas pikës 1, të kreut IV, “Raundi i tretë”, të shtohet pika 1/1, me përmbajtjen si më poshtë: “1.1 Për maturantët që nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë dhe në raundin e dytë, të cilët kanë plotësuar formularin A1/A1Z dhe respektojnë kriterin e notës mesatare, sipas vendimit nr. 216, datë 20.4.2018, të Këshillit të Ministrave, mund të bëhen pjesë e raundit të tretë, pasi të kenë aplikuar në portalin U-Albania, duke ndjekur procedurën e parashikuar në pikën 5, germa A, kreu III, të këtij udhëzimi. Kjo procedurë të kryhet brenda datës 18 tetor 2018, pasi të jetë kryer më parë konfirmimi në portalin U-Albania nga institucionet e arsimit të lartë, ku këta maturantë janë të interesuar të studiojnë.””,-theksohet në udhëzim. Për zbatimin e këtij udhëzimi janë ngarkuar Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, Qendra e Shërbimeve Arsimore, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë. Ky udhëzim ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.




Raundi i tretë
Të gjithë ata kandidatë që kanë aplikuar në një prej degëve të studimit në universitete në raundin e dytë, kanë pasur mundësi të regjistrohen pranë sekretarive mësimore në datat 9-13 tetor të këtij viti. Sakaq, aplikantët që nuk janë shpallur fitues as në Raundin e parë, as në Raundin e dytë, mund të riaplikojnë sërish në afatin kohor 15-18 tetor 2018. Ndërkohë, regjistrimi i kandidatëve të miratuar në sekretaritë mësimore do të bëhet në 19 dhe 20 tetor për t’i dhënë fund kështu procesit të aplikimit dhe regjistrimit në universitete për vitin e ri akademik 2018-2019. Çdo raund do të përbëhet nga 7 faza 48-orëshe secila. “Përzgjedhja e programeve të ciklit të parë të studimeve, të programeve të studimeve me karakter profesional, si dhe programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë të ofruara nga IAL-të për vitin akademik 2018-2019, të bëhet në portalin e aplikimit universitar U-Albania. Maturantët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare. Kandidatët zgjedhin deri në 10 (dhjetë) programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/ jopublike, për vitin akademik 2018-2019.”,-thuhet në udhëzim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.