Kronikë

Lanë fëmijët jetim, përcillen për në banesën e fundit tre punonjësit. Dëshmitari: Do i vriste të gjithë…

12:12 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“As gjarpri nuk të ngacmon kur ha bukë…” E kemi dëgjuar shpesh këtë shprehje të vjetër, por nuk ndodhi kështu në masakrën e Matit, në drekën e fundit… Pjata pilafi të papërfunduara, gjella të lëna përgjysmë dhe gjak… Kjo është ajo çka la pas masakra në fshatin Shëlli. Nuk mundën ta mbaronin kafshatën e fundit Mentor Hoxha, Erzen Alija dhe Hamit Buçi. E teksa drekonin, ata u vranë me bukë në gojë nga Kujtim Koxha, i arrestuar tanimë. Ndërkohë që një person mbeti i plagosur.




Dhimbje, lot dhe trishtim… 36-vjeçari Mentor Hoxha, 49-vjeçari Erzen Alija dhe Hamit Buçi janë përcjellë sot për në banesën e fundit. Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe stafi i bashkisë së bashku me këshillin bashkiak, ndërsa merrte pjesë edhe deputeti Përparim Spahiu.

Të nisur me mision për në fshatin Shëlli, aty ku po punonin për ndërtimin e një rruge janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga Kujtim Koxha. Sherri ka nisur siç ndodh rëndom në Shqipëri: “Kush je ti e kush jam unë dhe kush është i “fortë”.

Burime nga policia bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se kryeplaku iu kishte kërkuar punonjësve të Bashkisë t’i çonin rrugën deri tek shtëpia e tij, por ata nuk kishin pranuar, ndërsa i janë përgjigjur se kishin një projekt para, të cilin duhet të zbatonin e që me sa duket nuk e parashikonte rrugën deri te shtëpia e kryeplakut. Ndërsa, burime të tjera po nga policia pohuan se gjithçka ndodhi pas një sherri banal, pa e ditur se gjithçka do të përfundonte në masakër.

Në Mat ka pllakosur zia… Tre familje qajnë humbjen e kryefamiljarëve, të cilët lanë fëmijët jetimë. Ndonëse bëhet e ditur se e shoqja e Kujtim Koxhës e ka ndjekur nga pas bashkëshortin e saj se e ka parë që një gjë nuk shkonte, masakra nuk u ndal dot. Tre djem nënash janë futur në dhe sot pas sherrit banal…

Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme mbrëmjen e së enjtes për ngjarjen e rëndë, ndërsa Këshilli iu akordoi tre punonjësve të vrarë titullin e lartë “Nderi i Bashkisë Mat”.

Po në këtë mbledhje është vendosur akordimin i një fondi prej 1 milion lekësh të rinj për shpenzimet mortore të tre familjeve.

DËSHMITARI

Pak orë pas masakrës, janë zbuluar detaje të tjera të frikshme. Mësohet se ngjarja mund të kishte pasur dhe më shumë viktima. Sipas dëshmitarëve, Kujtim Koxha ka hyrë në lokal më një kallashnikov dhe dy karikatorë. Njërin e kishte në armë dhe tjetrin në xhep. Në momentin që ka qëlluar me breshëri në drejtim të tavolinës ku ishin punonjësit e bashkisë, ka hyrë një person në lokal. Ai i ka kapur nga pas automatikun Koxhajt dhe ia ka ngritur lart. Nëse nuk do i kishte kapur armën, asnjë nuk do ishte gjallë. Ai na shpëtoi”, tha dje një dëshmitar për “Gazeta Shqiptare”. Ndërsa, mësohet se në lokal, në momentin e ngjarjes ndodheshin gjithsej 7 persona, pjesa më e madhe punonjës të Bashkisë së Matit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.