KULTURË

“Ne jemi fëmija e trupit tonë, një fëmijë që ka humbur pusullën”

16:45 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Ditari i një trupi”, vepra e përkthyer nga Edmond Tupja




 Trupi është një shpikje e brezit tuaj, Lizon. Të paktën nga mënyra si e përdorni dhe si e ekspozoni atë. Por për sa u takon marrëdhënieve që mendja jonë mban me të si thes plot surpriza dhe si pompë jashtëqitjesh, sot heshtja është po aq e rëndë sa ishte në kohën time. Po ta këqyrnim me kujdes këtë çështje, do të vërenim që s’ka njerëz më të turpshëm sesa aktorët pornografikë më të zhveshur apo sesa artistët më të rruar e më të kruar të ‘body art’-it”.

“Ditari i një trupi” i Daniel Pennac përkthyer nga Edmond Tupja është një rrëfim që ka të bëjë me procesin, e gjatë sa vetë jeta, të pajtimit me trupin tonë, me këtë të huaj të brendshëm, që është njëkohësisht vetja jonë dhe një mister i përhershëm.

Ky roman nuk është si romanet e tjera, ai merr formën e ditarit të një njeriu të vetëm, përshkon gjithë jetën e tij, nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 87- vjeçare, por nuk rrëfen detajet biografike më themelore. Ai përqendrohet te trupi i rrëfimtarit: trupi i tij fizik dhe jo personaliteti që e mbush atë, është heroi dhe subjekti i këtij libri. “Nëse do të më duhej ta botoja këtë ditar, do t’ua kushtoja së pari grave. Si këmbim, do të doja të lexoja ditarin që një grua do të kishte mbajtur për trupin e saj. Sa për të parë pak më qartë në misterin femëror. Ku qëndron ky mister? Në faktin, për shembull, se një burrë nuk di asgjë për atë çka ndien një grua lidhur me formën dhe peshën e gjinjve dhe se gratë nuk dinë asgjë për atë çka ndiejnë burrat lidhur me telashet që u nxjerr penisi”, shkëpusim nga libri. Qëllimi i rrëfimtarit ishte të vërente dhe të regjistronte të papriturat e shumta me të cilat na përball trupi ynë. Kështu, ai arriti të përshkruante gjithë evoluimin e organizmit të tij, por jo nga një pikëpamje mjekësore apo anatomike, por në mënyrë intime, duke përfshirë në çdo faqe personazhe, situata, dialogë dhe mendime që na e bëjnë këtë trup të ngjashëm me tonin. Ne që ndihemi ndonjëherë kaq të vetmuar në trupin tonë, zbulojmë pak nga pak që ky kopsht sekret, në të vërtetë është një truall i përbashkët. Gjithçka që fshehim është shkruar këtu, e zezë në të bardhë dhe ajo që shpesh na frikësonte, tashmë kthehet në hare. Sipas kritikës, rrëfimtari ia dorëzon ditarit të gjitha disfatat romantike, zaptimet seksuale dhe dështimet, nga fryma e parë tek e fundit. Kjo është shprehja e trupit nëpërmjet penës. “Mbetet jetësor fakti që nuk kemi thjesht një koleksion fenomenesh fiziologjike, por një personazh, një zë, që na tërheq brenda… Pennac-u ka qenë gjithmonë një shkrimtar argëtues e njëkohësisht i aftë për të krijuar çaste bukurie të rrallë, që të lënë pa frymë, por më shumë se gjithë këto, ai është thjesht shkrimtari më njerëzor, më bujar dhe dashamirës ndaj qenieve të tjera njerëzore. Në ‘Ditari i një trupi’ ka gjetur një mënyrë të re dhe frymëzuese për ta treguar këtë”, shkruan “The Guardian”.

Për mediat franceze, libri është edhe “historia e fibrave tona, historia e njeriut që e nisi keq, vdiq e u ringjall mijëra herë dhe e mbushi jetën e tij”, është njëherësh një rrëfim pa tabu që nuk mund të jetë i pacipë, pasi secilit prej nesh i flet veç për trupin e tij. “Culturebox Pennac-u përqafon tërësisht enigmën e ringjalljes, cila është lidhja midis meje dhe trupit tim? Dhe na tregon që misteri nuk shteron kurrë”, thuhet prej kritikës.

Autori Daniel Pennac ka shkruar më shumë se 31 vepra në të gjitha gjinitë, duke filluar nga albumet për fëmijë tek esetë, te librat me ilustrime, romanet dhe autobiografitë. Me veprën autobiografike “Chagrin d’ecole”, botuar në 2007-ën, ai mori çmimin Renaudot. Hoqi dorë nga profesioni i mësuesit në vitin 1995, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë. Në shqip është botuar romani i tij “Parajsa e gogolëve” (Botime Pegi, 2012) dhe eseja e mirënjohur “Si një roman” (Botime Pegi, 2014).

Për autorin, sa më shumë e analizojmë këtë trup modern, sa më shumë e ekspozojmë, aq më pak ekziston ai. E shumëzojmë me zero, në përpjesëtim të zhdrejtë me ekspozimin tij. Ne jemi deri në fund fëmija e trupit tonë. Një fëmijë që ka humbur pusullën”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.