Kryesore

Paketa anti-shpifje e Ramës dhe të drejtat e njeriut

16:27 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Megjithëse nuk ka dhënë asnjë detaj për të ashtuquajturën “paketa antishpifje”, vetëm masën që çdo media online të jetë e regjistruar në QKB, kryeministri Edi Rama thotë se asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.




Më tepër si një kërcënim për median, se sa një masë konkrete këtë të premte shefi i qeverisë thotë se lekët e fituara në gjyqe, për shpifjet do të hidhen në Fondin e Edukimit, që do të krijohet enkas pas paketës anti-shpifje.

Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq! Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore”, shkruan shefi i qeverisë.

Rama është i bindur se do të fitojë këto gjyqe, dhe njofton se Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë.

Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje. Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje. I cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes. Kazanpolitika dhe kazanmedia, s’mund ta kthejnë Shqiperinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t’i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit”.

Rama, i cili është përballur me akuza të shumta për korrupsion dhe lidhje me rrjetet e krimit, pretendon se telashet e tij janë pasojë e fushatave të shpifjes kundër qeverisë së tij dhe ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur gjatë javëve të fundit të ndërmarrë atë që e quan “një paketë antishpifje”. Ai nuk e ka shpjeguar se çfarë nënkupton me të.

Megjithatë ekspertë për të drejtat e njeriut, thonë se propozimi i Ramës shkon kundër rekomandimit të Raporterit të OKB-së për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtës së lirisë së opinionit dhe të shprehjes mbi këtë çështje. Mbi të gjitha e drejta për të komentuar në mënyrë anonime në internet është e pranuar gjerësisht.

Raporteri i OKB-së i ka bërë thirrje shteteve anëtare të sigurojnë që individët të kenë të drejtë të komentojnë në internet në mënyrë anonime dhe të vetëpërmbahen për të mos adoptuar një sistem regjistrimi të emrave realë. Sipas Raporterit, masa të tilla mund të ndërmerren vetëm në situata të jashtëzakonshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.