BLUETOOTH

“Zbulimi i Manushit”, Xhilda Luzi: Si erdhi propozimi dhe të papriturat e së dielës

15:55 - 13.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Rrëfehet “Miss Durrësi”: Edhe ‘miss’-et shëndoshen, kanë celulit dhe nuk janë perfekte si në fotot në “Instagram”. “Lëre pasionin të të udhëheqë dhe mëso t’u besosh instinkteve të tua”




 Shumë surpriza po presim të shohim këtë fundvjeshte. Po flasim pikërisht për fytyrat e reja, të cilat do t’i shohim shumë shpejt nëpër ekranet e mediave shqiptare. ‘Merkato’ e vjeshtës ende s’ka përfunduar, duke qenë se shumë personazhe, të njohur apo jo, të vjetër apo të rinj do t’i shohim shumë shpejt si pjesë e pandarë e formateve të ndryshme televizive. Është quajtur si “zbulimi i Manushit” dhe mbase do të jetë me shumë mundësi një nga imazhet më të përfolura dhe të dashura të medias rozë. Ndërkaq, shumë pak dimë për të. Është pikërisht imazhi i ri i emisionit të së dielës në “Top Chanel”. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Xhilda Luzi ka rrëfyer prapaskenat e emisionit të ri, si u bë pjesë e tij dhe rrugëtimi i saj nga bota e muzikës, modës e tashmë si moderuese në ekran.  “Manushi më thotë shpeshherë me shaka që ‘ti do jesh zbulimi im televiziv’ dhe më besoni, nuk e thotë për faktin që kam qenë miss”. Këto dhe më shumë në intervistën e mëposhtme.

Para disa vitesh keni marrë pjesë në një konkurs bukurie në Durrës, ku edhe keni fituar çmim të parë. Tani sërish riktheheni në një tjetër format. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Kur fitova “Miss Durrësin 2009” isha vetëm 16 vjeçe. Ka ndodhur krejt rastësisht pjesëmarrja në kompeticion. Në atë kohë ishte akoma tabu pjesëmarrja dhe përzgjedhja e vajzave bëhej në shkolla. Aty më zgjodhën dhe fati deshi që të merrja pjesë dhe të fitoja. Më pas fitova përsëri vendin e parë në “Miss Beauty Albania 2012” dhe këtu u mbyll pjesëmarrja ime me kompeticionet e bukurisë. Mbaroi pa filluar mirë, sepse siç e thashë, ishte rastësia ajo që më bëri të merrja pjesë. Nuk ishte bota ime e ëndrrave.

Si erdhi propozimi? A ishte drejtpërdrejt nga Manushi?

Kisha vendosur t’i rikthehesha televizionit dhe ishim në bisedime për të gjetur një hapësirë ku mund të përshtatesha. Ishte rastësia përsëri që më bashkoi me Manushin. Gjatë “Top Arenës” ku isha e ftuar, Manushi më tha që ne të dy duhet të takohemi për të folur për emisionin e të dielës. Mesa duket, ishte ajo që kërkonim të dy dhe kështu lindi bashkëpunimi. Manushi më thotë shpeshherë me shaka që “ti do jesh zbulimi im televiziv” dhe më besoni, nuk e thotë për faktin që kam qenë miss. Manushi do të ketë edhe të tjerë bashkëpunëtorë në këtë projekt, secili i veçantë në llojin dhe përmbajtjen vet, për të krijuar me ngjyra të ndryshme tablonë e së dielës.

A keni pasur propozime të tjera më parë?

Nuk është hera e parë që prezantoj. Në televizion kam marrë pjesë që fëmijë, me emisionet e fëmijëve, më pas në emisione rinore. U shkëputa për të vazhduar studimet dhe për të ndërtuar veten profesionalisht.

Pse zgjodhët “Top Chanel”?

Në fakt, ishte një zgjedhje reciproke dëshire bashkëpunimi. Por, nëse do t’i referohem dëshirës sime, patjetër që do përgjigjesha: “Kush nuk dëshiron të punojë në ‘Top’?! ‘Top-i it’s On Top’! Sidomos kur ti je në hapat e parë të karrierës tënde, nëse bashkëpunon me më të mirët, patjetër që edhe rezultatet që merren janë më të mirat.

Kur nis emisioni?

Në fund të tetorit besoj jemi gati, maksimumi në fillim të muajit nëntor.

A do të ketë të njëjtin emër emisioni i së dielës?

Jo, do jetë të dielën, por nuk do ketë të njëtin emër dhe format. Vetëm dita është e njëjtë, asgjë tjetër.

Jashtë impenjimit të ekranit, me çfarë merret Xhilda në jetën e përditshme?

Unë kam mbaruar Liceun për violinë, më pas kam studiuar juridik. Kam qenë gjithmonë e tërhequr nga politika dhe kjo më bëri të ndiqja dhe një Akademi Politike. Kam besuar gjithmonë që nëse do të ndryshosh diçka, duhet të jesh brenda sistemit për ta bërë atë. Aktualisht punoj juristë në një studio ligjore private. Siç e shikoni, jam një miks gjërash që më formojnë mua, përtej imazhit.

Ekrani ka qenë një ëndërr e Xhildës, apo një shtysë për të promovuar dhe provuar më tej veten?

Ka qenë një dëshirë që u rizgjua tek unë. Ekrani të jep mundësinë të përdorësh fjalën dhe të dëgjohesh. Një pushtet që nëse di ta përdorësh siç duhet, është një shtysë shumë e mirë si trampolinë për të realizuar edhe qëllime të tjera të vetes.

Cili është sekreti për linjat perfekte që keni? Ndiqni ndonjë dietë apo palestër?

Oh… jam shumë larg perfeksionit! As nuk besoj që ekziston. As nuk do ta shes ndonjëherë veten si të tillë. Linjat e mija janë luhatur shpeshherë nga dashuria që kam për ëmbëlsirat. Edhe ‘miss’-et shëndoshen, kanë celulit dhe nuk janë perfekte si në fotot në “Instagram”. Këtë e them për çdo vajzë që ndihet keq nga kjo bota perfeksionit, që lehtësisht shpërndahet sot. Për të qenë e sinqertë, sa herë e shoh veten keq, i drejtohem dietologes Anila Kalleshi, që është edhe mikja ime dhe më sjell në drejtimin e duhur. Por përtej shakasë, kam filluar të mbaj një regjim për të ngrënë shëndetshëm, më shumë se për t’u dukur bukur. Shëndeti i brendshëm është më i rëndësishëm se paraqitja e jashtme.

Cila është muza në jetën tuaj?

Muza më e mirë për një njeri besoj që është pasioni. Lëre pasionin të të udhëheqë dhe mëso t’u besosh instinkteve të tua…

Po pendesa më e madhe?

Eksperienca është emri që u vëmë gabimeve tona. Pas ç’do gjëje që më ka ndodhur, është me e rëndësishme t’i them vetes çfarë mësova nga kjo që më ndodhi, sesa të pendohem pse ndodhi. Nuk pendohem për asgjë, sepse çfarë më ka ndodhur, kanë krijuar atë që unë jam sot.

Edhe pse keni fituar ‘miss’-in, nuk keni një “Instagram” të mbushur me foto e video ku ekspozoni linjat tuaja. Pse një zgjedhje e tillë?

Rrjetet sociale janë si media jote personale, ku ti pasqyron veten. Kam zgjedhur që t’i përdorur unë rrjetet sociale dhe jo të më përdorin mua ato. Siç thashë edhe me lartë, unë nuk jam perfektë, as jeta ime jo, aq më pak “Instagram”-i im. Nuk dua të pasqyroj imazhin perfekt sipërfaqësor për veten. Bukuria zgjat vetëm 5 minuta, nëse nuk ke diçka tjetër për të mbajtur gjallë kuriozitetin. Paraqitja ime nuk është diçka që e kam krijuar unë që të jem krenare, Xhilda si njeri po. Nuk dua të njihem për paraqitjen. Nuk është ajo që vlerësoj tek vetja, edhe pse nuk mund ta mohoj që më ka ndihmuar shumë. E them shpesh që në jetë njerëzit të presin si dukesh, por në fund të përcjellin si ke mendjen. Mendoj që shoqëria jonë është e tejmbushur me imazh, me lakuriqësi, por i mungon përmbajtja. Sikur të investonin edhe tek vetja brendshme aq shumë sa kujdesen për imazhin e jashtëm, do kishim një shoqëri më të mirë. Personalisht dua të dal përtej imazhit dhe kurrë nuk do e shes imazh për ndjekës më shumë. Bëhu ndryshimi që ti do të shohësh, duke e nisur nga vetja.

Çfarë përfaqëson “e bukura” sipas jush?

E bukura është kudo, mjafton të duash dhe të dish ta shohësh dhe ta krijosh atë. Bukuria është pushtet, është zili, xhelozi, harmoni, mirësi, dashuri. Varet çfarë çmimi zgjedh të marrësh dhe japësh në këmbim të saj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.